Digjet një shtëpi, dyshohet se rryma ishte shkaktare e zjarrit

Shtëpia e Xhemajl Pllanës, nga Kqiqi i Madh i komunës së Mitrovicës, është përfshi nga zjarri i shkaktuar nga rryma elektrike. Shtëpia është dëmtuar shumë dhe është bërë e pabanueshme. Vetëm intervenimi i familjarëve, fqinjëve dhe zjarrfikësve, ka bërë që shtëpia të mos shkatërrohet deri në themel.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri i shoqëruar nga nënkryetari Safet Kamberi dhe drejtorët Musa Dragaj e Besnik Beka, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parë dëmet e shkaktuara nga zjarri në shtëpinë e Pllanës.

Ai e ngushëlloi kryefamiljarin Pllana që të mos mërzitet, duke e sigurua se komuna do të ndihmoj në meremetimin e shtëpisë dhe kthimin e familjes së tij për të banuar në të.

“Me rëndësi është që familjarët kanë shpëtuar pa lëndime. Komuna do të gjej mjete për të ndihmuar në meremetimin e shtëpisë dhe për vendosjen e sërishme të anëtarëve të familjes në shtëpinë ku kanë jetuar deri tash”, tha kryetari Bahtiri.

Familja gjashtë anëtarësh e Xhemajlit tani jeton në një objekt ndihmës të pa përshtatshëm për banim. Sipas kryefamiljarit, dyshohet se shkaktare e zjarrit në shtëpi, është rryma elektrike.

“Shtëpia është dëmtuar tej mase përbrenda. Fatmirësisht, askush nga anëtarët e familjes nuk është lënduar. Të gjithë kemi shpëtuar falë reagimit të shpejtë të të afërmve, fqinjëve dhe e zjarrfikësve. Tani kemi hyrë në këtë objekt që nuk është për banim, por nuk patëm ku të shkojmë. Jetoj nga asistenca sociale dhe nuk kam kurrfarë mundësish që të bëj diç për rregullimin e saj, apo ndërtimin e një shtëpie tjetër”, tha Xhemajli.

Ai falënderoj shumë kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me bashkëpunëtorë që kanë dalë  për të parë gjendjen reale dhe për mbështetjen që i ofruan.

“Më premtuan mbështetje dhe për këtë i falënderoj shumë. Po ndjehem pak më rehat tani pas mbështetjes që po më ofron kryetari Bahtiri. Shpresoj se do të arrimë që gjatë verës të meremetojmë së paku një hapësirë sa për të vendosur familjen”, tha Xhemajli, dukshëm më i relaksuar pas fjalëve që dëgjoi nga zyrtarët e komunës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …