“SHKOLLA SHQIPE” – Zvicër: Në Zvicër nga shoqata «Bashkimi» në Uster u përkujtuan viktimat e gjenocidit serb në Kosovë

“SHKOLLA SHQIPE” – Zvicër: Në Zvicër nga shoqata «Bashkimi» në Uster u përkujtuan viktimat e gjenocidit serb në Kosovë

Më, 15 janar 2025, në një mbrëmje mirë të organizuar nga shoqata “Bashkimi” në Uster të Zvicrës u përkujtuan të gjitha viktimat e terrorit shtetëror serb, të cilat janë përkufizuar me një emër të përbashkët “Gjenocidi serb në Kosovë”.

Aktiviteti filloi ashtu siç ishte paralajmëruar në ora 19:30 me ndezjen e qirinjve duke përkujtuar të gjithë ata të cilët janë pjesë e themeleve të Lirisë së Kosovës. U përkujtuan fëmijë, gra, pleq, familje të tëra shqiptare të vrara në mënyrë mizore nga duart gjakatare të forcave paramilitare, policore dhe ushtarake serbe, të cilët ushtruan terror shtetëror me qëllim spastrimi të trojeve shqiptare.

Fillimisht në këtë tubim, në fjalën e tij hyrëse kryetari i Shoqatës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës Guximtar Alushi duke ju dëshiruar mirëseardhje anëtarëve të shoqatës dhe pjesëmarrësve tjerë përkujtoi viktimat e terrorit në Kosovës, duke dëshmuar edhe njëherë se kjo shoqatë çështjen kombëtare, përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe sakrificën e tij e ka në programin e saj. Ai, nëpërmjet mesazhit : “Ne nuk harrojmë”, kërkoi nga pjesëmarrësit, por jo vetëm, që gjaku për Lirinë e Kosovës të mbetet i paharruar në mesin e shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe veprojnë.

Pas tij fjalën e mori veprimtari Adnan Asllani, i cili është e nënkryetar i qendrës “Gjenocidi në Kosovë plagë e hapur”. Ai  foli për përpjekjet e tyre si shoqatë me qëllim që të bëhet sa më i organizuar sensibilizimi i faktorit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke paraqitur të vërtetën e patjetërsueshme se Serbia si urdhërdhënës dhe aktore e drejtpërdrejtë, e cila i realizoi këto masakra, të  marrë dënimin e merituar. Ai foli për tragjeditë e shkaktuara nga forcat paramilitare dhe militare serbe në Kosovë, të cilat, nën direktivat e Beogradit, popullit shqiptar i shkaktuan gjenocid, dhe si të tilla të dënohen me të gjitha ligjet e luftës për gjenocid. Nëpërmjet fotografive përshkroi disa nga ngjarjet, të cilat shpeshherë janë të papërshkrueshme. Vrasjet masive, torturat çnjerëzore, vrasjet në prani të anëtarëve të familjeve, vrasjet e fëmijëve, grave, pleqve, njerëzve të paarmatosur, jo vetëm që janë të dënueshme, por edhe llogariten si gjenocid, dhe si të tilla kërkojmë që këtyre veprimeve t`iu jepet dënimi i merituar. Kjo kërkesë  e qendrës sonë është obligim i yni dhe i të gjithë neve që ta çojmë përpara çështjen me qëllim që historia të mos na përsëritet, tha në mes tjerash ai.

Në këtë tubim përkujtimor foli edhe mësuesi Vaxhid Sejdiu, i cili nëpërmjet përshkrimeve të shumta solli kujtesën e atyre viteve, të cilat përkufizohen si një dhimbje e madhe dhe  e paharruar mbi kombin shqiptar. Ai duke përkujtuar sakrificën e popullit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përpjekjet e popullit shqiptar ndër shekuj, kërkoi që të veprohet në vazhdimësi me qëllim që drejtësia më në fund të njihet edhe për popullin tonë. Fjala e tij përfshiu masakrat dhe krimet e Serbisë mbi shqiptarët duke filluar nga koha  e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur edhe u bë copëtimi i tokave shqiptare, ndarja e tokave shqiptare për t`u sunduar më lehtë, shpërngulja e shqiptarëve nëpërmjet projekteve serbe të spastrimit etnik, masakrat e viteve 1912-13, gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dëbimi i më se 400.000 familjeve shqiptare pas LDB-së për në Turqi, inskenimet serike dhe vrasjet e atdhetarëve shqiptarë, persekutimi i më se 600.000 shqiptarëve në burgjet e atëhershme jugosllave, duke përfunduar me masakrat e viteve të fundit siç janë Masakra  e Prekazit, në mars 1998 – ës , në të cilën u vranë 50 veta, Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999, në të cilën u vranë mizorisht 45 veta, Masakra e Likoshanit, Qirezit,  më 28 shkurt 1998, Masakra e Izbicës, më 28 mars 1999, në të cilën u masakruan mbi 120 veta, Masakra e Mejës, më 27 prill 1999, në të cilën u vranë dhe u masakruan mbi 376 veta, Masakra e Krushës së Madhe dhe e Krushës së Vogël, në të cilën u vranë mbi 240 veta,  Masakra e Suharekës,  më 26 mars 1999, në të cilën u vranë dhe u masakruan me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë, Masakra e Dubravës, maj 1999, në të cilën u vranë dhe u masakruan mbi 100 të burgosur shqiptarë, Masakra e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit, Labjanit, në maj 1999, në të cilën u vranë mbi 200 shqiptarë, Masakra e Gjakovës, maj 1999 mbi 100 veta, Masakra e Vushtrrisë, maj 1999 mbi 50 veta, Masakra në Abri të Epërme dhe shumë masakra të tjera, në të cilat forcat serbe kishin vrarë dhe masakruar shqiptarë të pafajshëm duke i dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe duke i grumbulluar dhe vrarë në vende të caktuara, duke i varrosur në varre masive. E gjithë kjo nuk kishte përfunduar me kaq, po ato forca nën komandën e ushtrisë dhe policisë serbe kishin zhvarrosur dhe i kishin ngarkuar me kamionë dhe mjete transportuese për në Serbi, duke i varrosur përsëri në varre masive për të mbuluar gjurmët. Fakte të cilat u dokumentuan pas mbarimit të luftës në Kosovë duke i zhvarrosur nën presionin ndërkombëtar. Edhe sot e kësaj dite me qindra e qindra shqiptarë nuk kane një varr ku të afërmit e tyre mund të t`i përkujtojnë. E gjithë kjo ka vetëm një emër i cili, padyshim, përkufizohet si gjenocid mbi popullin shqiptar, në bazë të Konventës së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Dhe sot në këto momente që po flasim u drejtohemi të rinjve, të cilët falë teknologjisë mund të bëjmë shumë më tepër se sa kemi bërë deri më tani, duke i marrë fotografitë, të cilat janë milionëshe dhe duke ua drejtuar institucioneve ndërkombëtare me qëllim që fajtori të marrë dënimin e merituar. Të bëhemi bashkë në rrugëtimin për Lirinë e Kosovës me qëllim që viktimat e terrorit shtetëror serb më në fund të gjejnë drejtësi.

Ajo qe është e veçantë e këtij përkujtimi, ishte pjesëmarrja e të rinjve, anëtarëve të shoqates dhe jo vetëm ata, por edhe shumë bashkatdhetarë me dhembje e plagë zemre për popullin e atdheun.

Më pas fjalën e mori edhe bashkatdhetari ynë Isuf Ismaili nga Prishtina, i cili  përshëndeti dhe emocionalisht  i shprehu disa mendime.  Ai tha se është e domosdoshme t’i kujtojmë  ngjarjet e dhimbshme të popullit tonë. Historia jonë së pari është histori e gjakut për liri, për një atdhe të përbashkët, për një Shqipëri të bashkuar. Por, ka plot ngjarje të dhembshme gjer në shpirt, përkujtimi i të cilave na e copëton zëmrën, por ne duhet t’i kujtojmë për të ardhur e drejta në vend, sepse shumë padrejtësi na bëhen edhe sot e kësaj dite. Ngjarjet për të cilat jemi mbledhur, janë histori dhembjeje, të gjakut e tmerrit, të dhunës e gjenocidit që e ka ushtruar Serbia pushtuese e barbare mbi ne shqiptarët e mbi trojet tona stërgjyshore. Pasojat e tyre edhe sot e kësaj dite i vuajmë. Por, ne e të parët tanë kemi vuajtur edhe para luftës, nën sundimin e Serbisë e Jugosllavisë, gati 100 vjet dhe po ashtu nën Perandorinë Osmane e perandoritë të tjera si romake e bizantine etj. Këto të gjitha duhet t’i kujtojmë edhe për hir të së vërtetës, por edhe për brezat që janë e do të vijnë, për arsye se ne duhet të marrim mësim nga të gjitha ato dhimbje e padrejtësi, nga të gjitha ato të tmerre që na i kanë shkaktuar pushtuesit. Dhunimet  e grave e vajzave që i kanë bërë serbët janë të tmerrshme, këto nuk mund t’i bëjnë njerëzit, i bëjnë vetëm bishat e tërbuara, siç qenë ushtritë serbe e jugosllave në trojet shqiptare, siç e ceka për gati një shekull. Unë i mbaj mend edhe tregimet e pleqve shqiptarë, kur duke lotuar i tregonin ngjarjet që ushtria, xhandarët e policia serbe i kishin bërë në trojet shqiptare. Këta barbarë të tërbuar i kishin marrë fëmijët shqiptarë e i kishin varë e pjekur dhe mishin e të këtyre fëmijëve ua kishin dhënë nënave të tyre. Më tej nuk mund të vazhdoj, se këto ngjarje nuk kap lapsi, nuk mund të përshkruhen. Por doja të thosha se bota politike është shumë e padrejtë, ne mbase nuk kemi forcën për të na i pranuar bota, tani për tani, këto të vërteta, por askush nuk mund të na mohojë këmbënguljen, veprimtarinë tonë për të vërtetën e së kaluarës dhe realizimit të ëndrrave për një atdhe të lirë, kudo, ku janë shqiptarët e për bashkimin e tij.

Thonë se pika e ujit e çanë gurin, jo nga forca që ka, por ngase e rreh, e godet, shpesh e në të njëjtin vend. Kështu, pra, duhet të marrim mësime të mira. Këtu ku jemi ne duhet të punojmë e veprojmë, pra, të gjithë ne shqiptarët këtu në mërgim duhet të kuptojmë, që edhe fëmijët shqiptarë në mërgim duhet ta mësojnë mirë gjuhën shqipe e kulturën shqiptare, por edhe ngjarjet e dhembshme e gjithë historinë shqiptare, por edhe patjetër t’i vijmë në ndihmë, t’i shërbejmë atdheut tonë.  Të mblidhemi kështu, së toku, e të veprojmë.

Ky takim u mbyll me një fjalë që përfshinë dhembjen, kujtimin dhe nderimin e madh për të gjithë, ata të cilët janë pjesë e Lirisë së Kosovës.

L A V D I  TË PËRJETSHME

Uster, 15 janar 2025

Sektori i për informim nga “SHKOLLA SHQIPE” – Zvicër

Kontrolloni gjithashtu

Musa JUPOLLI: Shefqet Dibrani, krijues e kritik letrar

Shefqet DIBRANI; A ËSHTË SHPIRTI MALLIKM?!

Miradije Maliqi, “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, poezi, botoi “LENAgarfic”,  Prishtinë 2024, faqe 110. …