leoni

Bedri Halimi: TË DHËNA TË SHUMTA RRETH PARAQITJES SË FASHIZMIT SERB

Philip J. Cohen: “Lufta e fshehtë e Serbisë – Propaganda dhe Falsifikimi i Historisë”, botoi shtëpia botuese “Jakup Ceraja”, 2024

Libri “Lufta e fshehtë e Serbisë – Propaganda dhe Falsifikimi i Historisë” i autorit Philip J Cohen paraqet elementet nacional shoviniste serbe gjatë periudhave të ndryshme të historisë.

Autori në këtë libër, prezanton, idenë e themelimit të Serbisë së Madhe, duke filluar që nga Naçertania e Ilija Garashaninit, e për të vazhduar pastaj me projekte tjera antishqiptare dhe popujve tjerë jo serb, si projekti i Vasa Qubrilloviqit “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e shqiptarëve) etj.

Që në projektin e Naçertanies, autori Cohen sqaron se për realizimin e kësaj ideje, parashihen disa veprime që duhej t’i ndërmerrte Serbia dhe populli serb. Sipas Naçertanies, përkatësisht Garashaninit, populli kroat nuk pranohej si etni kroate, si komb kroat, por paraqitej si pjesë e kombit serb e konvertuar në fenë e krishterë – françeskane. Ashtu siç edhe popullin mysliman të Bosnjës, pra boshnjakët e Bosnjë e Hercegovinës e konsideronin si popull serb, që e ka përqafuar fenë islame. Për të gjitha këto jepeshin udhëzime konkrete se çfarë duhej të bëhej, që të dy këto etni, t’i riktheheshin Serbisë, përkatësisht serbizimit. Po në këtë vazhdë të kësaj ideologjie, që autori Philip J Cohen, me të drejtë e quan fashiste, duke përdorur metoda çetnike të veprimit, parashiheshin të përdoreshin edhe në projektin “Shpërngulja e Shqiptarëve” të Vasa Qubrilloviqit, duke theksuar se si, e me cilat forma, dhe në cilat vende, duhej të veprohej dhe si të veprohej konkretisht, në drejtim të shpërnguljes masive të shqiptarëve. Në këtë drejtim, parashiheshin edhe masat e kolonizimit që do të ndërmerreshin, për vendet që do të zbrazeshin nga shqiptarët, e të cilat vende duhej të kolonizoheshin me malazezë dhe serbë, nga pjesët e ndryshme të Serbisë, përkatësisht ish – Jugosllavisë. Parashihej që të nxiteshin konflikte mes shqiptarëve dhe malazezëve, sepse politika serbe, dhe shteti serb, konsideronte se shqiptarët e malazezët kanë afërsisht temperamentin e njëjtë, prandaj edhe ekseset që do të nxiteshin nga ata, do të rezultonin me konflikte të përgjakshme. Në këtë drejtim, shteti serb, do të luante fillimisht rolin e nxitjes së konflikteve në mënyrë të fshehtë, pa u ekspozuar, por që pastaj do të përzihej, pas ndodhjes së ekseseve, në marrjen e masave për sanimin e pasojave, ku gjithsesi masat drastike do të merreshin ndaj shqiptarëve të cilët do të konsideroheshin fajtorë.

Të gjitha partitë politike, grupacionet politike të periudhës të viteve 30-ta, kishin të njëjtën përmbajtje, pra kishin idenë e Serbisë së Madhe. Edhe në kohën e Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene, mbretëronte hegjemonia serbe. Kudo, në ushtri mbretëronin në përqindje të madhe oficerët serb, në ministritë e qeverisë të mbretërisë SKS, resorët kryesorë si: Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë etj., drejtoheshin nga përfaqësues serb.

Kjo logjikë e veprimit vazhdoi edhe pas okupimit të ish Jugosllavisë nga nazifashizmi. Secila parti politike serbe, filloi koketimin, përkatësisht bashkëpunimin e ngushtë me Nazizmin gjerman. Dihet në këtë drejtim edhe formimi i qeverisë së Milan Nediqit. Por edhe grupacionet e tjera politike të udhëhequra nga Lojtiqi, Cvetkoviqi, Aqimoviqi, Drazha Mihajlloviqi, etj, vazhdonin të bashkëpunonin me nazizmin gjerman, madje duke insistuar te gjermanët për t’i bindur, se këta janë më të zotët për t’i realizuar kërkesat e gjermanëve. Që të gjitha këto formacione politike ishin pro nazizmit dhe që të gjitha këto formacione politike kishin të njëjtën qëllim, të njëjtën ideologji, çetnikizmin, për Serbinë e Madhe. Madje gjatë zhvillimit të luftimeve, kjo qeveri e ndihmuar edhe nga parti të tjera, kërkonin miratimin e Gjermanisë fashiste për realizimin e Serbisë së Madhe.

Nazistët gjerman në parim e përkrahnin idenë e ekzistimit të Serbisë së Madhe, por kur në praktikë serbet kërkonin nga nazistet, që kjo ide e Serbisë së Madhe, të zgjerohej edhe në Kroaci e deri në Slloveni, përfaqësuesit e nazizmit gjerman në takimet e shumta që kishin me ta, u kishin thënë se lidhur me zgjerimin e territorit të Serbisë së Madhe siç kërkoni, kjo ide tani më tani duhet të shtyhet për tu shqyrtuar pas përfundimit të luftës. Pra edhe nazizmi gjerman e kishte kuptuar se nuk mund të zhbëhej një Kroaci apo një Slloveni për interesat shoviniste të palës serbe.

Gjatë kësaj kohe, të sundimit të nazizmit në Serbi, popullata hebreje që jetonte në Serbi, e pëson më së shumti. Në pësimin e kësaj popullate, ndihmonin edhe të gjitha partitë politike serbe, madje edhe vet popullata serbe si dhe kisha serbe. Ata nuk e merrnin në mbrojtje popullatën e pa fajshme hebreje. Në shumë raste kishin bërë ndarjen e meshkujve nga femrat, dhe meshkujt ua kishin dorëzuar gjermanëve. Nazistet gjerman pastaj kishin ndërmarrë hapa veprimi për eliminimin e tyre, qoftë duke i pushkatuar, apo duke i futur në dhoma të gazit. Gjithashtu paraqiten edhe rastet kur në Kragujevc, një grup çetnikësh të Drazha Mihajlloviqit i kishin zënë disa ushtarë gjerman, të cilët pastaj i kishin pushkatuar, dhe më pastaj ua kishin masakruar kufomat e gjermanëve, duke ua prerë organet gjenitale të secilit ushtarë të vrarë dhe duke ua futur pastaj penisët në gojë. Ky veprim e kishte bërë nervozizmin kulminant të udhëheqjes naziste të cilët kishin kërkuar të bënin hakmarrje. Çetnikët arrijnë të shmangin përgjegjësinë, duke ua gjuajtur fajin pjesëtarëve të forcave partizane.

Sipas këtij autori, numri i forcave partizane në Serbi ishte shumë i pakët dhe i vonshëm. Numër më i theksuar kishte ndodhur në Uzhicë, ku kishin ndodhur edhe luftime të ndërsjella, e ku çetnikët e Drazha Mihajlloviqit kishin bashkëpunuar me palën gjermane.

Autori më tej vazhdon për të paraqitur edhe gjendjen në Kroaci, me theks të veçantë për veprimtarinë e ustashëve që kishin bërë dëme të mëdha në popullatën e vet dhe të cilët kishin koketuar po sikur çetnikët me nazifashizmin gjerman e italian.

Dallimi mes ustashëve dhe çetnikëve sipas autorit Philip J Cohen, ishte se: gjatë periudhës së luftës, ustashët nuk e kishin përkrahjen masive të popullit kroat, kurse çetnikët e kishin përkrahjen masive të popullit serb. Ustashët ndonëse kishin bërë edhe dëme ndaj popullit hebrenj, veprimtaria e tyre ishte pakrahasimisht më e vogël në raport me veprimin e çetnikëve ndaj popullatës hebrenje.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dihet se politika e Jugosllavisë e udhëhequr nga Tito, kishte qëndrim anti izraelit. Gjithashtu dihet se Tito pastaj bashkë me Nehrun e Naserin udhëhoqën të ashtu quajturën organizatë “Vende të painkuadruara”.

Gjatë kësaj kohe dihen qëndrimet jugosllave, që deklaroheshin kundër cionizmit izraelit. Mirëpo në anën tjetër, menjëherë pas luftës, sipas autorit, disa studiues serbë, arritën që përmes shkrimeve të tyre të quajtura studimore, t’ia plasonin opinionit ndërkombëtarë ‘të vërtetën serbe’. Sipas këtyre shkrimeve, paraqitej gjendja e serbëve gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore. Këto punime ishin botuar edhe në revista e media të ndryshme ndërkombëtare si në Amerikë, Francë etj., autori Cohen e pranon, se këto të dhëna të gabuara, fillimisht janë marrë si të vërteta nga disa studiues në vende të ndryshme si në Francë, gjithashtu edhe në Shtete të Bashkuara të Amerikës, etj. Mirëpo me kalimin e kohës, vet përfaqësuesit e popullatës hebreje, filluan përmes formave të ndryshme ta tregonin të vërtetën e përjetimeve të popullit hebrej në Serbi, Kroaci, Shqipëri etj. Sipas autorëve serb, por edhe sipas kishës serbe, jepeshin të dhëna kinse për ndihmesën e madhe që u paskan bërë popullata serbe si dhe partizanët ndaj popullatës hebraike. Po këta autorë serb, theksojnë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli që më së shumti e ka pësuar nga nazifashizmi, na qenka populli serb, e pastaj populli hebraik. Në të vërtet, sipas autorit, dihet se disa pjesëtarë të popullit hebraik, i janë bashkangjitur partizaneve, sepse aty e kanë ndier veten me të sigurt. Ndërkaq prania e tyre jashtë partizanëve paraqiste rrezik nga çetnikët, pastaj nga përfaqësuesit e qeverisë së Nediqit, si dhe grupacioneve tjera politike si dhe vet popullata serbe.

Sipas autorëve serbë thuhet se gjatë Luftës së Dytë Botërore janë vrarë 1.7 milionë të njerëzve në ish Jugosllavisë. Në mesin e këtyre 1.7 milionëve, po sipas autorëve serbë thuhet se 1 milion kanë qenë viktima të popullatës serbe. Gjera këto që natyrisht nuk qëndrojnë.

Kur pas luftës, Gjermania Federale kërkon në mënyrë zyrtare nga Jugosllavia për të paguar dëmet e luftës, nga ana jugosllave u janë dërguar të dhënat në shifrën prej 600.000 njerëzve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në ish Jugosllavi.

Për të gjitha këto për sa u thanë, autori nxjerr shumë të dhëna, duke cituar burime të shumta serbe, ish jugosllave si dhe burime ndërkombëtare, e që këto të dhëna padyshim janë të rëndësishme për shumë hulumtues të ndryshëm, që merren me studimin e kësaj periudhe të historisë.

Vlen për të përmendur në këtë drejtim edhe tendencat e politikës serbe përmes formave të ndryshme të veprimit, për të ndikuar kudo nëpër arkiva të ndryshme të vendeve perëndimore, natyrisht edhe në arkivat e Serbisë, për t’i zhdukur shumë nga këto dëshmi të kësaj periudhe.

Gjendja e raporteve politike mes Jugosllavisë dhe Izraelit, në aspektin zyrtar mbetet po ajo që e ka udhëhequr Tito deri në vitin 1985 – 1986. Në këtë kohë, Klubi Kulturor Serb, si dhe Kisha serbe, insistojnë që të merret miratimi nga politika serbe, për t’i përmirësuar raportet me popullin hebrej, përkatësisht shtetin izraelit. Në këtë kohë, në Serbi udhëhiqte Sllobodan Millosheviq, i cili kishte dhënë pëlqimin për përmirësimin e këtyre raporteve. Në hapat e parë të veprimit, ishin disa shkrime të Lidhjes se Shkrimtarëve të Serbisë që u ishin drejtuar shkrimtarëve të Izraelit me përmbajtje të përkrahjes së popullit izraelit duke i quajtur ata bashkëvuajtës me popullin serb.

Në këtë kohë formohet Shoqata Serbo-Hebraike, ku në kuadër të kësaj shoqate, serbet ishin përkujdesur që ta ofronin edhe ndonjë intelektual me prejardhje hebreje, por që kishte orientime serbe. Përmes tyre kishin vënë urat e miqësisë mes Serbisë e Izraelit. Kishin bërë vizita studimore, kulturore e artistike në mënyrë të ndërsjellë. Veçmas ishin përkujdesur në përzgjedhjen e përfaqësuesve nga Serbia që do të prezantonin në Izrael.

Marrë ne tërësi, ky libër i përkthyer në gjuhën shqipe, paraqet një ngjarje të rëndësishme për kulturën dhe historinë shqiptare, ashtu siç në mënyrë të veçantë, paraqet një dokument të rëndësishëm në historiografinë botërore, për temën për të cilën bëhet fjalë. Në këtë libër ka aq shumë të dhëna të cituara dhe që kanë vlerë të veçantë, saqë leximi i këtij libri do t’i bënte nderë secilit intelektual, jo vetëm që merret me shkencën e historisë, por edhe të lexuesve të rëndomtë.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Behlul Jashari

Behlul Jashari: Në 17 Janar 1993 u arrestova në Prishtinë nga Policia e Serbisë  

PRISHTINË, Janar 2025/ Gazeta e rezistencës “Bujku” e datës 19 Janar 1993  shkruante dhe protestonte …