Elegjia, Elif-Elif, varianti i kënduar nga rapsodi i mirënjohur, Rizah Bllaca, është pa dyshim një këngë e veçantë, e krijuar nga një këngëtar apo dervish anonim, që i përket shekulli 19-të. Kjo elegji për nga përmbajtja realiste, tema shoqërore, politike e ideologjike, është një krijim sui generis, i papërsëritshëm edhe për vlerat e tjera artistike, për mënyrën vajtuese dhe qortuese të këndimit dhe referenca ndër më tipiket e më të veçantat. Është një këngë nga më të arrirat e kohës që mban në fondin e vet, poezia shqipe e kohës së sundimit osman, e shkruar me alfabet arabo-turk, e injoruar nga injorantët dhe sharlatanët shqiptarë, të cilët pretendojnë ta fshijnë nga kujtesa e historia, përudhën 500-vjeçare të Perandorisë Osmane të cilës shumica shqiptare i kishte shërbyer dhe kishte bashkë-qeverisur.
Me ardhjen e tij në Shqipëri, pushteti Osman solli me vete kulturën e tij te larmishme, e cila më vonë do te bëhej edhe pjesë integrale e identitetit Shqiptar. Një fe e re, Islami, u përhap në Shqipëri, ndërmjet jugut ortodoks dhe veriut katolik, fe që u kthye në fenë dominante të Shqiptareve. Edhe pse në dekadat e para të shtetit Osman ne Shqipëri, pak shqiptarë ishin islamizuar, gjate shekullit te 17-të, rreth 50% e popullsisë së Shqipërisë veriore kaloi ne Islam. Katolicizmi Roman dhe Ortodoksia sllavo-helene tek e fundit ishin mbajtëse te influencave të huaja në Shqipëri, te mbushura nga gjuhe te huaja, dhe shqiptarët në krahasim me fqinjët e tyre, grekë, bullgarë e serbë ishin ndjekës sipërfaqësor të këtyre feve. (Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I)
Me qëllim të caktuar, citova këtë fragment të historianit dhe letrarit të mirënjohur, Robert Elsie, për të vërtetuar se në të kaluarën hartuesit e teksteve të historisë dhe letërsisë kanë varrosur një literaturë e tërë, në gjuhën shqipe, e cila në radhë të parë ishte injoruar për shkak të alfabetit arab me përpjekje antihistorike për ta injoruar e për ta zhbërë, tërë një epokë.
Janë me qindra autorë shqiptarë, madje edhe anonimë, që për qindra vjet kanë shkruar shqip me alfabet arab. Me këtë rast do ta analizojmë një elegji ende anonime, e cila për nga ndërtimi, tema e përmbajtja, shoqërore, fetare, politike e ideologjike është elegji antologjike, krejtësisht e veçantë në shumë segmente edhe për nga ndërtimi poetik, stilistik e artistik.
Varianti, të cilin e ka kënduar rapsodi, Rizah Bllaca, me titullin elif-elif, shkronja e parë e alfabetit arab, në analogji me alfa- alfa të alfabetit grek, ka 14 stofa me nga pesë vargje, pasi vargu i parë dedikues përsëritet në hyrje të çdo strofe, një varg referues për dëgjuesin e këngës, duke iu drejtuar me fjalët, Aman ja dost, të dyja fjalët turke që ishin të pranishme në të folur shqipe në kohën e Perandorisë, po të pranishme e të kuptuara edhe sot, që kanë mbijetuar në mesin e shumë turqizmave, shumë nga të cilat janë bërë pjesë e gjuhës sonë të folur e të shkruar. Po kështu, në fund të çdo strofe, hartuesi anonim i këngës ka përdorur shprehjet pikëlluese e vajtuese: haj-haj dhe medet-medet, secila në funksion përmbyllës të strofës.
Strofa e parë stigmatizon Vilajetin, ( njësi administrative) këtu në kuptimin e “decentralizimit” të Perandorisë, si shkaktar i fillimit të rënies dhe vendosjes së Kushtetutës monarkike, nga xhonturqit, me përkrahje të nëntokës e mbi-tokës së Stambollit, qysh në kohën e Sulltan Abdylazizit, i cili u ngjit në fron pas vdekjes së vëllait të tij më 25 qershor 1861, në moshën 31 vjeçare. Ai është sulltani i fundit i Perandorisë, të cilin e rrëzuan nga froni dhe e vranë xhonturqit, në vitin 1876.
Ja si vajton dhe konstaton krijuesi anonim i kësaj elegjie në strofën e parë:
Aman ja dost! 1)
Elif-elif ma mirë me vdekë,
tuk se mbërrini Vilajeti, 2)
Dhe bilahi nuk e kujtova.
Para andej na mundoi dovleti, haj-haj!
Këngëtari anonim shpreh bindjen se ndarja në Vilajete e Perandorisë ishte fajtore e fillimit të copëtimit të saj, dhe nuk e kupton, apo nuk do ta kuptojë se pse na paska munduar, Dovleti-Shteti.
Që në strofën e dytë nge dyshimin se shkaktar për atë gjendje ishin lëshimet që kishte bërë Turqia e kohës, duke u njohur të drejtat kombëtare e fetare të gjithë qytetarëve. Madje ky lëshim sipas konstatimit të hartuesit të tekstit tejet fanatik, paska sjellë edhe fundin epokës, Ahir Zemanin. ( Fundin e Epokës).
Aman hej dost!
Qef qelybe do ta bajmë 3- a
Tuk se mbërrimë Ahir zemanin,3)
Se vet baba i Turqenisë
I dha krye din-dushmanit, medet-medet.
Krijuesi anonim i kësaj elegjie evidenton gjendjen sociale të shoqërisë turke të kohës, e cila kishte rrjedhë si rezultat i fillimit të shpërbërjes nga brenda e nga jashtë. Dhe për këtë gjendje ai akuzon pushtetin që bënte lëshime, me pretendime për ta ruajtur rendin dhe qetësinë publike.
Dy strofat në vijim janë predikime fetare, duke kërkuar nga besimtarët t’ iu përmbahen rregullave dhe të mos lakmojnë gjërat e ndaluara, të mos lejojnë ta marrin në dorë drejtësinë armiqtë e Perandorisë.
Aman ja dost!
Gjithë gjunahet t’i bajmë tybe 4)
Isha vjen në insaf inqari 5)
Asht habitun fort ky hallki, 6)
Sheriatin jau ndanë çyfari, haj-haj! 7)
Aman ja dost!
E hutueme asht kjo jetë
Mos ta vranë mëndja insanit, 8)
Kjo dynja kujt s ka me i mbetë
Mbasi nuk i mbet Hazreti Sylejmanit, ja dost hej dost! 9) (Sulltan Sylejmanit)
Aman ja dost!
Gjithë zullumi që na zbriti
Edhe u shtrue Turqenia
U derdhi gjak i atij Sulltani
Ishalla i preftë Hazreti Mehdia, haj-haj!
Aman ja dost!
Zi e zeher u mbush kjo jetë,
Edhe u çue merahmeti, 10)
Si s kanë frikë që kemi me vdekë
Kabull s na ban Muhamedi, ja dost, hej dost.
Aman ja dost!
Gjithë gajretin qe e bani Shkodra,
Davleti nuk e bani kabull
Për gajretin qi e bani Shkodra
Perendia ata i baftë mahmur, haj-haj! 11)
Aman ja dost!
Sheriati i pejngamberit, 12)
nuk u pyet n atë zaman, 13)
Edhe sabër s mund po i bajmë
Jena ba lajk për tufan, medet medet! 14)
Aman ja dost!
Zi e zeher u mbush dynjaja,
dhe na mori myrtati, 15)
Veç Allahu atij u ardhtë hakut
Ditë për ditë po shtohet bidati, haj-haj.
Aman ja dost!
Kaf Kur-ani që asht shkrue
Dhe asht fole prej Perëndisë
Qef qellpaze jemi ba 15)
Tuk se na shkeli kamba e jezidisë, haj-haj. 16)
Aman ja dost!
Laik jena ba
Ne koftë qi e harrojmë Perëndinë,
Se vetë gjaku i Ali Osmanit,
E harlisi krejt Turqeninë, medet-medet.
Aman ja dost
Do ta marrë vesh kuvendi
Se s po flas kurrgja hilaf 17)
Na i lutem zyl-xhelalit, 18)
Sulltanin me pru n’ insaf, haj-haj 19)
Aman ja dost!
Kurrnji fajde që jena gjallë
Mos i preftë dora e Zulfi Asllanit
Dhe vallahi jau baj nje be
Hakikat mbreti kand s kish pas me veti, haj-haj. 20)
Aman ja dost!
I hutu ish kanë Sulltan Abdylazizi, 21)
Tuk se u vnojke murtati, 22)
Ti je baba i këtij zamani,
Sy e zemër na i qet haku, 23)
Ti je baba i këtij xhihani, 24)
Sy e zemër na i qet haku
Shpjegim fjalësh arabe turke të kësaj kënge elegjiake
Aman ja dost! 1) shok, mik
Elif-elif ma mirë me vdekë,
tuk se mbërrini Vilajeti, 2) njësi administrative
Dhe bilahi nuk e kujtova.
Para andej na mundoi dovleti, haj-haj!
Aman hej dost!
Qef qelybe do ta bajmë 3- a
Tuk se mbërrimë ahir zemanin,3) epoka, koha
Se vet baba i Turqenisë
I dha krye din-dushmanit, medet-medet,
Aman ja dost!
Gjithë gjunahet t’i bajmë tybe 4) pendim
Ishall vjen në insaf inqari 5) pendimi
Asht habitun fort ky hallki, 6) njerëzia
Sheriatin jau ndanë çyfari, haj-haj! 7) i pafe
Aman ja dost!
E hutueme asht kjo jetë
Mos ta vranë mëndja insanit, 8) njeriu
Kjo dynja kujt s ka me i mbetë
Mbasi nuk i mbet Sulltan Sylejmanit, ja dost hej dost! 9) (Hazreti Sylejmanit)
Aman ja dost!
Gjithë zullumi që na zbriti
Edhe u shtrue Turqenia
U derdhi gjak i atij Sulltani
Ishalla i preftë Hazreti Mehdia, haj-haj!
Aman ja dost!
Zi e zeher u mbush kjo jetë,
Edhe u çue merahmeti, 10) mëshira
Si s kanë frikë që kemi me vdekë
Kabull s na ban Muhamedi, ja dost, hej dost.
Aman ja dost!
Gjithë gajretin qe e bani Shkodra,
Davleti nuk e bani kabull
Për gajretin qi e bani Shkodra
Perendia ata i baftë mahmur, haj-haj! 11) i pastë mëshirar
Aman ja dost!
Sheriati i pejngamberit, 12) kanuni, e drejta islame
nuk u pyet n atë zaman, 13) kohë
Edhe sabër s mund po i bajmë
Jena ba lajk për tufan, medet medet! 14) jena prishë
Aman ja dost!
Zi e zeher u mbush dynjaja,
dhe na mori myrtati, 15) tradhtia
Veç Allahu atij u ardhtë hakut
Ditë për ditë po shtohet bidati haj-haj.
Aman ja dost!
Kaf Kur-ani që asht shkrue
Dhe asht fole prej Perëndisë
Qef qellpaze jemi ba 15) jemi stërkeqë
Tuk se na shkeli kamba e jezidisë, haj-haj. 16) këmba e vrasësi
Aman ja dost!
Laik jena ba
Ne koftë qi e harrojmë Perëndinë,
Se vetë gjaku i Ali Osmanit,
E harlisi krejt Turqeninë, medet-medet.
Aman ja dost
Do ta marrë vesh kuvendi
Se s po flas kurrgja hilaf 17) të keqe
Na i lutem zyl-xhelalit, 18) Allahut
Sulltanin me pru n’ insaf, haj-haj 19 – në rregull
Aman ja dost!
Kurrnji fajde që jena gjallë
Mos i preftë dora e Zulfi Asllanit
Dhe vallahi jau baj nje be
Hakikat mbreti kand s kish pas me veti, haj-haj. 20) të vërtetë
Aman ja dost!
I hutu ish kanë Sulltan Abdylazizi, 21) …
Tuk se u vnojke murtati, 22) tradhtia
Ti je baba i këtij zamani,
Sy e zemër na i qet haku, 23) e vërteta
Ti je baba i këtij xhihani, 24) bota
Sy e zemër na i qet haku…
refren
Ti je baba i këtij xhihani, 24) bota
Sy e zemër na i qet haku…
Ahmet Qeriqi
Shtator
2024