Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e thellë për veprimet e fundit të Qeverisë, të cilat synojnë përjashtimin e shqiptarëve nga bordet drejtuese të institucioneve shëndetësore publike. Këto veprime përbëjnë një politikë të qartë të përjashtimit dhe dominimit monoetnik, duke minuar parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë. Ndërkohë që Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, gënjente opinionin se ishte ftuar në inaugurimin presidencial në Uashington dhe shëtiste rrugëve të atjeshme, këtu në vend janë ndërmarrë masa për të zëvendësuar anëtarët shqiptarë në bordet e institucioneve shëndetësore publike me persona të etnive të tjera. BDI dënon fuqishëm këto veprime dhe kërkon nga Qeveria që të respektojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve etnike në vend. BDI do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për të siguruar që parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të respektohen në të gjitha institucionet shtetërore.
