NATO-ja ka shprehur gatishmëri për të punuar ngushtë me Peter Sorensenin kur të nisë zyrtarisht punën si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pozita e tij është konfirmuar një ditë më parë, dhe ai do të nisë punën më 1 shkurt. “Vazhdimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së është kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart përmes një postimi. Më herët gjatë ditës, i dërguari në shkuarje i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është takuar me pasardhësin e tij, dhe janë duke u siguruar që transicioni të ndodhë sa më lehtë që është e mundur. Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale. Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku ka punuar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse kryediplomatja Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut. REL
Kontrolloni gjithashtu
Blerta Deliu-Kodra, akuzoi Vetëvendosjen për orkestrimin e tensioneve, me qëllim për të provokuar ndasi të rrezikshme
Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj akuzave të ministrit të Kulturës, …