Biri i Avdyl e Nazmie Tërstenës, dëshmori i kombit Jeton Tërstena, me pseudonimin Tota, lindi më 8.1.1974 në Vushtrri. Të parët e tij kishin zbritur nga malësia e Shalës së Bajgorës. Babagjyshi i Jetonit, Feriz Tërstena, pastaj Sherif Tërstena, babagjyshi nga nëna, Ejup Havolli – Llapashtica nga Besiana, e së fundi Idriz Asllani etj., janë figurat e shquara të të parëve të Jetonit, të cilat nuk e pushuan asnjëherë luftën për liri. Me trimërinë e këtyre figurave u ushqye Jeton Tërstena.
Jetoni kishte dy vëllezër: Dritonin dhe Agronin. Shkollën fillore e kreu në SHF “Ali Kelmendi” në Vushtrri, ndërsa të mesmen në Shkollën Teknike “Arkitekt Sinanai” në Mitrovicë. Studimet i filloi në Prishtinë, mirëpo profesioni i tij praktik ishte ai i axhustatorit.
Shtati muskuloz i djaloshit flokëprerë, por, me një begati të pasur shpirtërore, i urtë e zemërmirë, i dhimbshëm e i afërt me të gjithë bijtë e gjakut të vet, por i ashpër ndaj armikut, harmonizohej me trupin e tij të gjatë, të shkathët e të fuqishëm. Konstruktin fizik ia formoi sporti, që iu nevojit edhe për luftë.
Pas vënies së kontakteve me shokët e organizimit u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me bindjen se pa luftë të armatosur nuk mund të vinte liria. Në radhët e UÇK-së radhitet pas paraqitjes në shtabin local të Ashlanit, më 6 qershor të vitit1998, ku sistemohet në Togun e Tretë të Kompanisë së Parë të Batalionit të II-të të Brigadës 142 të ZOSH-it. Ai u srërvit dhe luftoi në Ashlan, Pantinë dhe në Qyqavicë.
Në mëngjesin e 6 gushtit 1988, forcat serbe e kishin rrethuar fshatin Pantinë. Në këtë rast Jetoni me bashkëluftëtarët e tjerë të lirisë: Ferkiun, Ruzhdiun, Muhametin, Rrahmanin, Muhametin, Bekimin, Tahirin, Bahriun, Shefqetin, Shefqetin, Bastriun dhe me dhjetëra bashkëluftëtarë të pozicionuar në krahun tjetër, i doli përballë pushtuesit të egër serb.
Në mbrojtje të pozicioneve të luftës, më 6 gusht të vitit 1998 ai ra heroikisht me armë në dorë, në Pantinë. Në pozicionet e nderit, me atë rast u plagosën ushtarët: Ferki Aliu, Bastri Sejdiu, Xhemail Mehmeti e Xhevat Mehmeti. Atë ditë Jetoni u varroset në fshatin Ashlan. Më 1 shtator 1999 trupi i tij u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë. Dëshmorit Jeton Tërstena i është ngritur lapidari në Pantinë, ndërsa lapidari i përbashkët i dëshmorëve të Vushtrrisë është ngritur në Bletajë dhe në qytetin e Vushtrrisë. Familja e dëshmorit Jeton Tërstena ka marrë shumë mirënjohje në shenjë respekti për sakrificën e tij. Me emrin e Jetonit sot krenohet palestra sportive e qytetit të Vushtrrisë. Këtë emër e mba edhe një rrugë e këtij qyteti. (Z. Gj.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …