Partitë politike në Kosovë po vijojnë fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mes debatit për çështje të brendshme dhe të jashtme, si dhe ndarjeve të thella mes forcave kryesore politike. Analistët paralajmërojnë se qeveria e ardhshme do të përballet me sfida të rëndësishme në një kontekst gjeopolitik të ndryshuar. Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare vlerëson se zhvillimet e fundit në Evropë dhe në Amerikë kanë ndikuar në pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Cilado qeveri që del prej zgjedhjeve të dielës do të duhet të fokusohet në pozitën e Kosovës në Ballkan dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike, të cilat janë sfiduar nga qasja e re e administratës amerikane ndaj Evropës, tha Engjëllushe Morina. Kosova mbetet nën masa ndëshkuese nga BE që prej qershorit të vitit 2023 për shkak të veprimeve të saj në veriun me shumicë serbe. Ndërkohë, partitë opozitare kritikojnë qasjen e qeverisë aktuale, duke premtuar përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.