Në orën 8.20 minuta, (nuk mbaj mend cila ditë e javës të ketë qenë), në oborrin e Medresesë Alaudin, në Prishtinë, kishte hyrë me shpejtësi “Marica” e milicisë jugosllave.
Derisa profesori i historisë, Ramadan Jusufi dhe të gjithë ne po shikonin nga dritarja, në klasë kishte hyrë shërbëtori i Medresesë, Rexhep Gashi, i cili i dha në dorë, një letër profesorit. Ai pas pak thirri emrin tim, Ahmet Aliu, (atë mbiemër kisha asokohe) pastaj Rizah Gjokën, Shemadin Akitin, Ali Jusufin, Ymer Mehmetin dhe Januz Hoxhën. Të gjithëve na rreshtuan në korridorin mes dy klasave, derisa profesori, Ramadan Jusufi, kishte kërkuar sqarim nga milicia për ndërhyrje të tillë në shkollë, pa paralajmërim, duke përmendur edhe faktin se të gjithë të arrestuarit ishim të moshës jo madhore, nxënës të vitit të dytë dhe të tretë të shkollës së mesme.
Na futën në pjesën e sprasme të “maricës” dhe me shpejtësi na nisen drejt SUP-it, ish-Sekretariatit të Punëve të Brendshme, ku ishte edhe Burgu i Prishtinës.
Sapo u ndal xhipi, dolën disa milicë, dhe na ndanë, duke na drejtuar në korridorin e katit të parë të ndërtesës. Milici, i cili më përcolli më urdhëroi të qëndroja këmbë para derës, ndërsa vetë hapi një derë nga ku dëgjoheshin zëra në gjuhën serbe.
Pasi kisha qëndruar afër një orë këmbë, ai më në fund më kapi për zverku, hapi derën dhe me shtyu dhunshëm drejt zyrës, edhe pse unë ecja pa ndonjë rezistencë.
Sapo më futi në zyrë, më urdhëroi të kthehem me kokë nga muri, ballin mbështetur për të, duart e mbështetura lart dhe këmbët hapur anash.
– Kështu të qëndrosh! – më kishte thënë. Në fillim mu duk se mund të qëndroja lehtë, por pas pak fillova të ndiej sesi duart po më mpiheshin, e po ashtu edhe këmbët. Megjithatë kisha qëndruar me shpresë se nuk do të zgjaste shumë ajo gjendje.
Hetuesit, të cilit ia kisha parë fytyrën kur ishte hapur dera, fliste në telefon me dikë dhe herë-herë shkulej të qeshuri, pastaj sërish vazhdonte bisedën, të cilin nuk e kisha kuptuar edhe pse gjuhën e zotëroja në një nivel mesatar komunikimi.
Pas një kohe, kur duart e këmbët m’u kishin mpirë dhe mezi qëndroja, inspektori i UDB-së me një zë të vrazhdë më urdhëroi të kthehesha drejt tij.
– Si të quajnë? – më pyeti
I kisha treguar emrin tim dhe të babait. Ai kishte kërkuar edhe emrin e nënës dhe mbiemrin e saj të vajzërisë.
– Ashtu, gjyshin tënd, babanë e nënës, Kadri Beben dhe tre kushëri të saj i kemi pushkatuar, si armiq dhe bashkëpunëtorë të fashizmit, 16 vjet më parë. Edhe gjyshin tënd, hoxhën, e kemi mbajtur sa e sa herë në burg. Edhe ai është armik i përbetuar i Jugosllavisë. Mirë ata, po ti, çka të duhet ty rruga e tyre? – mu kishte drejtuar me një zë kërcënues dhe sikur donte të më përpinte?
Nuk kisha folur asnjë fjalë, por kisha vështruar me kujdes fytyrën e tij të zeshkët, kokën e madhe, ballin e ngushtë, vetullat e zeza e të dendura dhe trupin e bëshëm, mbi të gjitha shikimin tejet armiqësor, zhbirues, si dhe dy të mëdhenj e të zi si të dalë jashtë.
– Thuaje pra çka të duhet të merresh me politikë?
Kisha rrudhur krahët, por nuk kisha folur.
– A di serbisht m’u kishte drejtuar.
– Di pak, ia kisha kthyer i hutuar dhe i frikësuar nga befasia me të papriturat.
– Dëgjo, këtu nuk të kanë sjellë kot. Ti e di me kënd ke biseduar, çka ke biseduar, si quhet organizata armiqësore të cilës i takon, cilët janë ata me të cilët ke vepruar. Nëse i thua të gjitha dhe nuk gënjen, ne të lëshojmë dhe të kthejmë në shkollë, nëse e shohim se nuk tregon drejt, të mbajmë këtu në burg, jo me ditë e muaj, por edhe me vjet të tëra.
Prapë kisha heshtur, por isha i vetëdijshëm se nuk mund të heshtja gjatë, mirëpo edhe isha në dilemë, meqë nuk dija nga t’ ia filloja. Kisha vendosur që për fillim të mos pranoja asgjë.
– Po të drejtohem për herë të fundit, zgjidhe gjuhën dhe fol. Mos me detyro të ngrihem në këmbë dha ta përdor këtë, kishte thënë duke e ngritur lartë kërbaçin e zi dhe të trashë.
– Nuk di çka të them, nuk di asnjë organizatë!
– Shokët tu kanë pranuar, ata thonë se i takojnë organizatës e cila vepron për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
– Nuk di gjë, kisha thënë me një zë të mekur duke shprehur pasiguri dhe dilemë.
– Tash e humba durimin, “sad si jebo jezha!” kishte thënë dhe ishte ngritur në këmbë, më kishte kapur për flokësh, pastaj kishte filluar të ma mbështeste kokën për muri, duke më dhënë të kuptonte se mund të ma ndante dysh.
– Vetëm njëherë më duhet ta shtyp fort dhe ta ndaj në dysh këtë kokë kungulli, kupton ti apo jo?
Gjuha më kishte ikur, por thellë në qenie besoja se nuk do të ma përplaste kokën për muri.
– Dëgjo, tash do të fillosh të tregosh prej ditës “kur ke dalë nga barku i nënës”, fjalët i kishte përcjellë duke më rënë fort në stomak dhe në moment isha përplasur për dysheme. Pastaj më kishte goditur me majën e mprehtë të këpucës në hundë dhe më kishte pëlcitur gjaku. Më vonë kam kuptuar se kisha humbur ndjenjat dhe për një kohë kurrë nuk kam ditur ç’ kishte ndodhur pastaj…
Nuk di sa kohë kishte kaluar, por kur kisha hapur sytë, kisha kuptuar se ndodhesha në një podrum, të errët pa dritare. Një rreze drite depërtonte nga lart, nga kapaku me të cilin mbyllej për së larti. Shkallë nuk vëreja. Pas pak, bebëzat e syve ishin zmadhuar dhe kisha hetuar afër një enë të madhe të qeramikës, një si qyp i cili kundërmonte erë të keqe, që ishte shpërndarë në tërë podrumin. Në këndin tjetër ishte një kalanicë, (pjatë e qeramikës) një lugë druri, një tas i zbrazët i aluminit dhe një si karrige druri me katër këmbë. Tavani i qelisë ishte i ulët dhe prekej me dorë. Brendësia nuk kishte më shumë se katër-pesë metër katrorë.
Instinktivisht kisha prekur hundën dhe kisha vërejtur dregëzen e gjakut që ishte forcuar në mesin e saj.
Pas një kohe ishte hapur kapaku dhe kisha parë fytyrën e gjatë dhe të vrarë lije të një gardiani, i cili pasi ishte kollitur rëndë, me cigaren në gojë, m’u kishte drejtuar:
– Ngrite tasin dhe mbaje drejt. Isha hutuar, kisha stepur, meqë nuk dija se për cilin tas ishte fjala. Pas pak, një burrë tjetër, kokërruar, më kishte shpjeguar ta merrja tasin e metaltë dhe ta mbaja me të dyja duart, derisa ai të më mbushte me ujë. Ai më kishte dhënë edhe një gjysmë buke, por nuk kishte folur.
– Bukën e ke për 24 orë kishte sqaruar gardiani dhe e kishte lëshuar me rrëmbim kapakun, i cili në çast mu kishte dukur se kishte shembur podrumin.
Përnjëherë e kisha kuptuar se litra e ujit e hedhur në tas dhe gjysma e bukës 400 gramë ishin ushqimi për 24 orët në vijim. Bukën e kisha ngrënë të tërën, meqë isha ndier shumë i uritur, ndërkohë kisha pirë edhe ujin. Më pas isha ngritur në këmbë për ta hulumtuar vendin ku më kishin ngujuar dhe kapakun e rëndë me kornizë hekuri e dërrasa të trasha sipri.
Nuk kishte shkallë dhe nuk e kisha marrë me mend se sa kohë kishte kaluar dhe si më kishin futur aty. Nuk kishte shtrojë, mbulojë as dysheme druri. Toka ishte e lagësht dhe në këndet e saj hetohej sipërfaqja e depërtimit të thellë të ujit.
Më kujtohet se në çast kisha ndier një forcë të brendshme shpirtërore, një si besim në vetvete se gjithçka do të kalonte, pavarësisht se sa do të më mbanin në atë podrum. Me rëndësi ishte të mos më merrnin në pyetje.
Gjendja e tillë nuk kishte zgjatur shumë dhe një orë më vonë sërish ishte hapur kapaku.
Një gardian tjetër, po ashtu me një shikim urrejtës më kishte urdhëruar të dilja nga podrumi. Fillimisht isha kacavjerrë për kornizën, ku mbështetej kapaku, por ai më kishte urdhëruar të hipja mbi katërkëmbëshin me dërrasa e kornizë hekuri që shërbente për të qëndruar ulur, pastaj të dilja. Ashtu edhe kisha vepruar dhe pa ndonjë mundim isha ngjitur lartë.
Edhe gardiani, i cili më kishte përcjellë nëpër korridorin e gjatë, më kishte kapur për zverku dhe herë- herë ma kishte shtrënguar qafën, sikur donte të vërtetonte se mund edhe të ma dredhonte në çast, sikur kokën e një lepuri, po qe se bëja përpjekje të lirohesha nga dora e tij.
Nuk kisha reaguar në veprimet e tij të dhunshme, meqë kisha menduar se veprimet e tilla ishin të rëndomta dhe ushtroheshin kundër gjithë të burgosurve.
Në çast gardiani kishte ndalur te dera e hetuesit dhe sapo e kishte hapur sytë më kishin zënë gardianin trupmadh, i cili ashtu si herën e kaluar ishte i zënë duke biseduar me telefon.
Gardiani, për të mos e penguar eprorin e tij, më kishte mbështetur për muri më kishte rënë lehtas këmbëve me kërbaç, për të më bërë ta kuptoja se ato duhej të hapeshin dhe më shumë. Po ashtu ma kishte mbështetur ballin për muri. Ashtu kisha qëndruar derisa inspektori kishte kryer bisedën dhe më kishte urdhëruar të kthehesha drejt tij.
– “Duhet me fol. Nuk po ka shiptar qi nuk po priznat para meje”. E di kush jam unë?- mu kishte drejtuar me një shqipe të çalë, por me zë të lartë dhe kërcënues.
Kisha rrudhur krahët dhe nuk kisha folur.
– Unë jam, Moma Zdravkoviq, inspektor i UDB-së me përvojë qysh nga lufta, kishte vazhduar në gjuhën e tij i bindur se e kuptoja. Nëpër duar të miat kanë kaluar edhe dajat tuaj derisa ishin gjallë. Në këtë zyre kanë hyrë e kanë dalë mijëra shqiptarë dhe ta them se nuk ka dalë bir i së ëmës që nuk ka folur jo nuk po flet ti, “ jebeni balavac”. Sërish ishte ngritur në këmbë, ndërsa më duhet të pranoj se isha ligështuar aq sa këmbët mëzi më mbanin. Sërish më kishte kapur për zverku dhe vetëm pritja kur do të ma përplaste dhe të ma ndante kokën si kungull.
– E njeh Imer Hysiqin, Bajram Sadikun, Januz Hoxhën?
– I njoh, isha përgjigjur me shpejtësi, nga frika se do të më shkallmonte.
– Kur e ke parë për herë të fundit, Imer Hysiqin?
– Ka disa javë, por nuk e di saktësisht. Inspektorit i kisha treguar se Imerin e kisha djalë të hallës, se ishte dy – tri vjet më i moshuar se unë, por nuk e dija se ku ndodhej.
– Kush mund ta dijë se ku ndodhet nëse nuk e di ti, e di familja e tij?
– Nuk e di unë, as familja.
– Ku e di ti që nuk e di familja?
– E di, sepse xhaxhai i tij ka qenë para një jave dhe më ka pyetur për të. Ai më ka treguar se halla ime është merakosur shumë.
– Si quhet ai? Pyetja më kishte ardhur e papritur por mbase nga frika, nuk ia qëlloja emrit.
– Nuk e di emrin e tij, a?
– E di, e di shumë mirë por tash më kujtohet. Po, m’u kujtua, i thashë pas pak, Sadri e ka emrin, Sadri Hysiqi. Isha i sigurt se Imeri dhe Bajrami kishin kaluar kufirin dhe kishin hyrë në Shqipëri, meqë për atë veprim disa herë kishin folur në praninë time, Por meqë unë i kisha kundërshtuar, ata nuk më kishin treguar kur ishin nisur.
– Çka ke biseduar me Januzin, shokun e klasës?
– Nuk e di, kemi folur për mësimet, filmat…
– Po me Ali Isufin, Shemadin Akitin, Riza Gjokën?
– Njësoj…
Mbaj mend se ishte ngehur në këmbë, mu kishte afruar dhe më kishte goditur me shuplaka faqes. Nga varra e pashëruar në hundë sërish më kishte pëlcitur gjaku. Kisha shtypur me gishta plagën dhe pas pak gjaku ishte ndalur.
– Dëgjo, m’ u kishte drejtuar me një zë më paqësor. Përditë do të rrah, përnatë do të flesh në podrum dhe në fund do t’ i tregosh të gjitha. Duhet ta kuptosh se nga këtu nuk dilet gjallë po nuk fole, e kupton apo jo?
– Nuk di çka të flas kisha thënë me mëdyshje me frikë nga ndëshkimi fizik.
– e Njeh Sabri Novosellën?
Në fillim isha turbulluar por pas pak kisha folur.
– Si e njeh atë?
– Është rrobaqepës, njëherë m’i ka qepur rrobat.
– Kur e ke parë për herë të fundit?
– Nuk e di, nuk më kujtohet.
– Ku është tani ai.
Në vend të përgjigjes kisha rrudhur krahët, po nuk kisha folur.
– A i frikësohesh atij njeriu, nëse flet? A të kujtohet kur ta ka lexuar nenin 10 të statutit, të “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, ku thuhet se ai që tradhton organizatën, dënohet me vdekje. Sabriu ta ka lexuar këtë në prani të dy shokëve.
– Jo, nuk më kujtohet, nuk e di kisha thënë, edhe pse nuk kisha marrë guxim ta shikoja në sy. Gënjeshtra e ka një të keqe, që në momentet më kritike, të tradhton. E kisha kuptuar se hetuesi i pamëshirshëm, Zdravkoviq, i dinte të gjitha, andaj vazhdimi i mospranimit do të pasonte me tortura.
– Nuk më habit kokëfortësia jote, sepse je nip i mulla Eminit, i Kadri Bebës, por do ta pësosh keq. Po sikur ta sjellim një shokun tënd këtu, e ai ta thotë ndër sy?
Sërish kisha rrudhur krahët. Realisht isha dorëzuar por nuk ma bënte goja ta pranoja edhe po të më dërrmonte fizikisht. Mirëpo, me gjykimin tim asokohe isha shumë i sigurt se Sabriu nuk kishte pranuar asgjë, se po të kishte pranuar ai, do të më kishin burgosur një vit e gjysmë më parë.
– Adem Demaçin e ke njohur?
– E kam njohur isha përgjigjur. Medreseja, ku unë mësoj ka vetëm një mur ndarës me shtëpinë e tij. Shpeshherë kur kemi lozur dhe na ka rënë topi në oborrin e tij, unë zakonisht kam kërcyer murin dhe e kam marrë topin.
– A të ka qortuar ndonjëherë, a e ka rrahur ndonjërin?
– Jo kurrë, ai vetëm na ka qortuar që të mos kapërcejmë murin e të mos lëndohemi, por të sillemi rrotull dhe të hyjmë nga dera.
– Ti mendon se ai është njeri i mirë?
– Ai është shkrimtar, student kisha thënë, duke menduar se i kisha zhvendosur temën e bisedës.
– Ai është armik i Jugosllavisë, armik madje edhe i juve shqiptarëve. Për punët e tij janë burgosur sa e sa të rinj, kështu si ti dhe kjo do t’ iu kushtojë të gjithëve. Adem Demaçi është armiku numër një i Jugosllavisë dhe ti po ma lavdëron, kishte thënë dhe ishte ngritur në këmbë. Nga frika se do të më godiste, e kisha mbuluar fytyrën me duar, por ai kishte marrë telefonin.
Pas disa çastesh ishte hapur dera dhe një milic kishte sjellë për ballafaqim, shokun tim të klasës J. Hoxhën. E kisha marrë me mend se ai kishte treguar të gjitha. Nuk isha zënë në befasi, sepse kisha dëgjuar se inspektorët e UDB-së bënin ballafaqime të tilla. Asokohe flitej se shumë prej shokëve të tij, gjatë hetimeve i kishin ballafaquar me Adem Demaçin.
Januzi, ishte një nxënës i zgjuar dhe i shoqërueshëm por fliste shumë dhe mbahej se i dinte të gjitha. Për shkak se ishte miop e quanim ne nofkën, “Qorri”, por atij nuk i bënte përshtypje. Kishte një lidhje ilegale me dikë nga të afërmit, apo miqtë dhe na sillte libra të ndaluar, që botoheshin në Shqipëri të cilat edhe i lexonim pa humbur kohë. Gjatë hetimeve ishte treguar i dobët dhe i kishte pranuar të gjitha. Ishte penduar dhe ishte zotuar se nuk do ta përsëriste veprën. Ai, në prani të inspektorit, Zdravkoviq kishte treguar për takimet, bisedat, librat dhe kishte folur për takimet tona me Sabri Novosellën. Sapo kishte përmendur emrin e tij, kisha reaguar, meqë asnjëherë me te nuk kisha shkuar te Sabri Novosella.
– Nuk është e vërtetë, me të asnjëherë nuk kam qenë te Sabriu, kisha mohuar i vendosur meqë isha tejet i sigurt se ai nuk kishte shkuar asnjëherë te rrobaqepësi, i cili qepte dhe shpërndante edhe flamuj kombëtarë me vëllezërit dhe anëtarët e tjerë të organizatës. Për te Sabriu e dija se më kishte dërguar shoku im i klasës, Feti Mehdiu, por ai nuk ishte në mesin e të arrestuarve. Fetiu ishte më i moshuar se ne dhe dukej se kishte vepruar me maturi dhe nuk ishte ekspozuar ashtu sikur kishim bërë ne.
Januzi ishte zënë ngushtë. Kishte pranuar se këtë e kishte dëgjuar nga shokët e tjerë dhe jo nga unë.
– Po të tjerat që i tha shoku yt këtu para teje, a janë të vërteta, m’ u kishte drejtuar inspektori?
– Ky nuk është shoku im, jemi me një klasë, por nuk e kam shok.
– Unë i kam pranuar të gjitha sa kemi folur, po ashtu i kam thënë edhe hetuesit se ti më urren dhe nuk jemi shokë të ngushtë. Ti madje i ke thënë Imer Hysiqit të mos shoqërohet me mua, se kinse jam spiun. Ballafaqimi me të më kishte trimëruar, ndërsa faktin se nuk kisha qenë me të te Sabri Novosella e merrja në favorin tim, pa menduar se pikërisht me atë veprim unë thelloja dyshimet e inspektorit, duke mos pranuar bisedat me të.
Pas largimit të J. Hoxhës, inspektori Zdravkoviq m’u kishte thënë se edhe të tjerët ishin liruar nga burgu.
– Vetëm ti do të qëndrosh këtu, krejt derisa nuk pranon ashtu si shokët e tu. Madje jo në burg, por në podrum, në qeli. Kur të vendosësh të pranosh, i thuaj gardianit. Deri atëherë do të merremi me të tjerët si ti, ishte thënë dhe kishte thirrur gardianin të më dërgonte në qeli.
Podrumi ishte një vend jo vetëm i ndyrë që kundërmonte erë mbetjesh e plehrash por nuk kishte edhe ajër të mjaftueshëm, madje kishte shumë lagështirë. Frika nga podrumi më kishte ngjethë mishtë, mirëpo kishte ndodhur e papritura. Gardiani serb, i cili zakonisht më kapte për zverku, asaj radhe më kishte lidhur duart dhe më kishte përcjellë në një korridor gjysmëharku. Ishte ndalur në qelinë numër katër, kishte hapur derën dhe kishte bërë me kokë, të hyja.
Qelia numër katër ishte dhomë “hoteli” në krahasim me podrumin. Dhoma asimetrike kishte të paktën 12 metra katrorë, mbase edhe më shumë. Në këndin përballë derës ishte “Kiblla” e qeramikës, pastaj dy enë qeramike për ushqim, “kalanica” i quanim asokohe, dy lugë druri dhe një kovë e metaltë për ujë. Në këndin kah shëtitorja ishte dritarja e vogël me grila hekuri nga rreth 15 cm.2. Në dysheme ishin dy dyshekë të lerosur dhe të fortë si guri. Ata nuk i kishte pastruar kush për vite të tëra, meqë hetoheshin edhe shenja gjaku e papastërtie të neveritshme. Në qoshe, ishte një jorgan plumb i rëndë, i papastër i cili ishte bërë si mushama dhe kundërmonte një erë të rëndë. Atë e kisha larguar në këndin tjetër te muri, ku ndodhej poqi elektrik, i futur brenda murit dhe sipëri i kishin vendosur një pllakë metali, të shpuar, ashtu sikur shpohen shoshat, për të pamundësuar kontaktin e të burgosurve me rrymën elektrike.
Meqë ena ishte e mbushur me ujë, kisha pastruar fytyrën nga gjaku. Varra në hundë kishte mbetur e hapur dhe rridhte gjak, por nga pjesa e poshtme të këmishës kisha çjerrë një cohë dhe e kisha vendosur për ta ndalur gjakun, i cili kishte shpërthyer pasi i kisha hequr dregëzën. Isha shtrirë në dyshekët e lerosur dhe ashtu në shpinë më kishte zënë gjumi…
Nga nata e ftohë e atij nëntori në qeli, këmbët m’u kishin mpirë, meqë kisha veshur vetëm një palë rroba të hollë të verës, një këmishë dhe një setër po ashtu të verës, e cila nuk mbante ngrohët. Nga të ftohtit që më kapluar tërë trupin, kisha marrë jorganin e lerosur dhe e kisha hedhur te këmbët, deri në brez, duke menduar se do të më ngrohte, por kisha pranuar të mërdhija dhe jo ta mbuloja dhe shtatin me të. Ndërkohë më kishte zënë gjumi. Nuk di sa mund të kisha fjetur por isha zgjuar nga krisma e fortë, me të goditura në një si hekur po cilindër, që ishte shenjë për zgjim nga gjumi në orën 5 të mëngjesit. Natën instinktivisht isha mbuluar me jorganin e lerosur, të cilin sakaq e kisha hedhur sërish në vendin e mëparshëm.
…
Gardiani kujdestar e kishte hapur derën tërë rrëmbim dhe kur kishte parë se po rrija shtrirë, më kishte bërtitur me një të sharë tipike serbe: “Ustani jebem ti Boga”!. Meqë më kishte sharë serbisht nuk i kisha dhënë aq shumë rëndësi sharjes, e cila me kohë e kisha kuptuar se ishte pjesë e fjalorit ditor të komunikimit, në gjuhën serbe.
Gardiani, duke parë se nuk po gjendesha, dhe duke menduar se nuk dija serbisht, meqë më shihte për herë të parë, më kishte kapur për krahu dhe më kishte nisur drejt një dere të madhe.
Ishte ende terr dhe përpara m’u kishte shfaqur një si humbëtirë e thellë disa metra, rrethuar me mure betoni, ndërsa në anën lindore, mbi pesë metra lart ishte karakolli i milicisë dhe një mitraloz i rëndë, me tytë i drejtuar nga dera ku më kishin nxjerrë. Lartë shihej vetëm qielli plotë me yje. Nga frika dhe e papritura kisha stepur, ndërsa tyta e mitralozit më rrinte si shigjetë mbi kokë.
Kisha menduar se aty ishte vendi ku i pushkatonin të burgosurit dhe kisha ngelë pa frymë, pa kuptuar përse aq shpejt më kishin nxjerrë në atë kthinë të errët. Koka më vlonte dhe kisha humbur fare. M’u kishte kujtuar mësuesi, Fazli Graiçevci, të cilin nuk e kisha njohur, por kisha dëgjuar shumë për të. Kisha menduar se edhe atë e kishin mbytur po në atë vend, 15 muaj më parë. Kisha shtangur duke pritur se çka do të ndodhte me mua…
Pas pak, nga karakolli në pjesën e sipërme të shëtitores kishte dalë një gardian dhe më kishte bërë me dorë që të shëtisja nëpër rreth. Kisha filluar të ecja instinktivisht, ndërsa nuk më hiqej frika se do të më pushkatonin, sapo ta ktheja shpinën. Në anën e shëtitores, kah “karakolli” nuk shihej më mitralozi dhe isha ndalur së ecuri. Pas pak, milici kujdestar, duke kuptuar se isha hutuar tërësisht, kishte nxjerrë kokën mbi shëtitore dhe më kishte shpjeguar se nuk do të më ndodhte asgjë dhe se aty ishte vendi ku të burgosurit duhej të shëtisnin. Asokohe, meqë ishte hera e parë në burg nuk e kisha kuptuar përse duhej të shëtisja, në atë gjysmërreth, që dukej si një fund humnere. Pastaj shëtitorja ishte bërë vendi i rëndomtë, madje i preferuar i lëvizjes për dhjetë minuta në 24 orë…