Gjatë dëshmisë së tij, në Hagë, ish-komandanti SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi foli për sulmin në stacionin e policisë serbe në Runik të Skenderajt, në vitin 1997. Ai pohoi se urdhri për këtë sulm ishte dhënë nga Adem Jashari dhe se qëllimi kryesor ishte të dëshmohej ekzistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Komandanti legjendar Adem Jashari më caktoi detyrën për këtë sulm. Unë kam qenë pjesë e grupit të tij që nga viti 1991 dhe e kam mbështetur në çdo aspekt,” tha Selimi. Ai shtoi se sulmi ishte i bashkërenduar dhe kishte për synim të tregonte se UÇK-ja ekziston. “Sinjali i këtij sulmi ishte pikërisht ekzistenca e UÇK-së,” theksoi ai. Prokurori Halling i prezantoi Selimit një komunikatë me numrin “36”, e cila përshkruante një operacion të sinkronizuar të njësive të armatosura të UÇK-së në zonën operative 1, përfshirë sulmin në stacionin e policisë në Runik. Selimi sqaroi se vendimi për daljen publike të UÇK-së ishte marrë nga Adem Jashari dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi e realizuan këtë dalje. Gjatë dëshmisë, Selimi foli edhe për Betejën e Likoshanit në vitin 1998, ku ishin plagosur Sabit Geci, Musë Jashari dhe Sabit Lladrovci. Ai përshkroi kundërpërgjigjen e UÇK-së, ndaj forcave serbe, të cilat kishin përdorur mjete të blinduara dhe helikopterë, në betejë. Selimi pohoi se takimi i tij i fundit me Adem Jasharin ishte më 4 mars 1998 në fshatin Ticë, ku ishin të pranishëm edhe Rrahman Rama dhe Rrustem Mustafa. Ai gjithashtu sqaroi se gjatë luftës kishte përdorur nofkën “Sulltani” dhe shenjën thirrëse “101”.