NATO është organizatë politike dhe ushtarake e themeluar në vitin 1949, pra 75 vjet më parë. Për historinë, misionin, rolin dhe kontributin e saj për paqen dhe lirinë, janë ruajtur, klasifikuar dhe publikuar dokumente arkivore; janë shkruar e botuar libra dhe artikuj të shumtë në disa gjuhë; janë përgatitur edhe dokumentarë. Dokumente, dokumentarë, libra e artikuj janë publikuar edhe për rolin dhe angazhimin e NATO-s në Ballkan, madje edhe në Kosovë dhe për Kosovën. Mirëpo, gjatë hulumtimeve të mia, nuk kam hasur në vepra të shkruara e të botuara në gjuhën shqipe që trajtojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse rolin dhe kontributin e kësaj organizate për Kosovën, posaçërisht për rolin dhe kontributin vendimtar për largimin e forcave ushtarake, policore dhe të sigurisë së Serbisë dhe Jugosllavisë nga Kosova. Nga një mungesë e tillë, më lindi ideja të shkruaj për këtë organizatë, me fokus të veçantë për Operacionin “Forca Aleate”, pa të cilin Kosova mund ta mbyllte (ashtu siç e nisi dekadën e dytë) shekullin XX, nën Serbi dhe Jugosllavi, pas vendimeve në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913) e Konferencën e Paqes në Paris.
Vendimet e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), nuk ishin të drejta për shqiptarët, sepse jashtë Shqipërisë së pavarur mbetën më shumë se gjysma e tyre. Në përpjekje për t’i përmirësuar këto padrejtësi u bënë sakrifica të shumta fillim e fund shekullit XX. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve u zhvillua edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës 1997-1999. Derivat i këtyre përpjekjeve, sakrificave dhe luftës së UÇK-së është edhe Operacioni “Forca Aleate”, i njohur në opinionin publik më shumë si fushata ajrore e NATO-s (mars-qershor 1999), me të cilin NATO kontribuoi në çlirimin e Kosovës. Rruga deri te çlirimi i Kosovës ishte e gjatë dhe me shumë pengesa. Protestat, demonstratat dhe kryengritjet e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), gjatë Luftës Parë Botërore (1914-1918), mes dy luftërave botërore (1918-1941), gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës (1945-1948); protestat dhe demonstratat e viteve 1968, 1981, 1989 dhe 1990, dëshmuan se shqiptarët nuk do të ndalen deri në çlirimin e Kosovës. Rrethanat e krijuara pas rënies së Murit të Berlinit, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, rënia e sistemit monist në Evropën Juglindore, fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja (Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Maqedonisë) në fillim të viteve ’90, u dha shpresën e shansin historik edhe shqiptarëve të robëruar nën ish-Jugosllavi, pra edhe atyre në Kosovë, që ta marrin fatin e vet në dorë. Greva e Minatorëve të Minierës “Trepça” në Stanterg (20-28 shkurt 1989), protestat dhe demonstratat e viteve 1989, 1990, të cilat u organizuan në shenjë revolte për suprimimin e Autonomisë së Kosovës (mars 1989) dhe si kundërvënie ndaj terrorit që ushtronte Serbia, formimi fillimisht si lëvizje i LDK-së (23 dhjetor 1989), Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë (1990), Deklarata e Kuvendit të Kosovës (2 korrik 1990), Kushtetuta e Kaçanikut (7 shtator 1990), veprimet e fshehta (ilegale) të grupeve, organizatave dhe lëvizjeve shqiptare, krijuan një mundësi të re në rrugën për liri dhe pavarësi. Përpjekjet e shqiptarëve në gjysmën e parë të viteve ’90 që me mjete paqësore pacifiste ta fitonin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk dhanë rezultate. Në një situatë të tillë, Serbia po shtonte kontrollin në Kosovë deri në atë masë sa në raste të caktuara, me dy-tre policë serbë, mbante nën kontroll gati gjysmën e një qyteti. Kur Jugosllavia e Millosheviqit e viteve ’90 shumicën absolute të shqiptarëve i largoi nga puna, ua mbylli shkollat, mjetet e informimit, ua helmoi nxënësit, i keqtrajtoi, i burgosi, nisi t’i ekzekutonte, t’i vriste e masakronte, madje një pjesë edhe t’i zhdukte pa gjurmë, atëherë shqiptarët filluan të organizohen për luftë të armatosur. Konferenca e Dejtonit (1995) ua shoi shpresat shqiptarëve të Kosovës se mund të çliroheshin pa luftë. Në një situatë të tillë për jetë o vdekje, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kur UÇK-ja filloi aksionet e saj të armatosura kundër pushtuesit, faktori relevant ndërkombëtar u bind se duhej bërë diçka, sepse, si rezultat i terrorit të Millosheviqit, shqiptarët u detyruan t’i rrokin armët dhe të luftojnë. Një luftë tjetër në Ballkan e imponuar nga Serbia, po rrezikonte paqen dhe sigurinë rajonale. Nga rreziku i përshkallëzimit të luftës në nivel rajonal dhe për të parandaluar një katastrofë humanitare ndërhyri faktori ndërkombëtar. Organizata dhe subjekte ndërkombëtare (OKB, Grupi i Kontaktit, NATO, BE dhe OSBE), shtetet e fuqishme (SHBA, Britania, Gjermania, Franca, etj) që nga fundi i vitit 1997, dhanë deklarata, shprehën qëndrimet e tyre dhe reaguan në mënyra të ndryshme kundër terrorit që ushtronte regjimi i Millosheviqit. Një varg rezolutash të OKB-së, një mori deklaratash dhe vendimesh të Grupit të Kontaktit, aktivizimi i urdhrit të NATO-s (tetor 1998) për sulme të mundshme ushtarake kundër Serbisë, marrëveshja e tetorit 1998 Holbrook-Millosheviq, madje edhe Konferenca e Rambujesë dhe Parisit (shkurt, mars 1999), nuk arritën ta bindin Millosheviqin, dhe regjimin kriminal të Jugosllavisë që të ndalte dhunën e terrorin, ekzekutimin e vrasjen e mijëra shqiptarëve, deportimin e mbi 1 milionë shqiptarëve, djegien e qindra mijëra shtëpive dhe pronave të tjera të shqiptarëve. Prandaj, në rrethana të tilla, bota e qytetëruar perëndimore, fuqitë kryesore përparimtare të botës, u bindën se, për ta ndaluar terrorin e gjenocidin kundër shqiptarëve, duhej të përdorej forca ushtarake, pra ishte e domosdoshme ndërhyrja e NATO-s. Është i veçantë roli dhe kontributi i NATO-s për të mos lejuar një luftë rajonale, për të mos lejuar katastrofën humanitare në Kosovë, për të ndërprerë gjenocidin në Kosovë, por edhe për t’i larguar të gjitha forcat serbe dhe jugosllave nga Kosova. Për largimin e forcave armike nga Kosova, pra edhe për çlirimin e Kosovës, kontribut të veçantë ka dhënë edhe NATO me Operacionin “Forca Aleate” (Operation “Allied Force”). Ky Operacion, është tema bosht e kësaj monografie.
Kjo monografi, mbase e para e këtij lloji te ne, ka lindur si ide goxha moti, por materializimi i saj nisi vite më parë, pikërisht në muajin korrik 2019, atëherë kur shkova për hulumtime në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë (AMPJRSH) në kuadër të Institutit të Historisë-Prishtinë. Aty gjeta Dosjen ”Franca për Kosovën”, e cila për mua ishte një zbulim i rëndësishëm për luftën e Kosovës 1998-1999. Punimet “Roli dhe kontributi diplomatik, ushtarak dhe humanitar i Francës për paqen dhe lirinë e Kosovës 6 shkurt-20 qershor 1999”, “Qëndrimi i Francës për Kosovën 1998-1999” dhe “Qëndrimi dhe kontributi franko-gjerman në Operacionin ”Forca Aleate” 24 mars-20 qershor 1999”, shënojnë fillimin e punës sime në këtë monografi. Aprovimi si projekt nga Instituti i Historisë ndodhi para një viti (2023), ndodhi atëherë kur unë e kisha përfunduar 70-80% të punës.
Janë disa motive që më kanë nxitur të merrem me trajtimin e kësaj teme, por sakrificat që janë bërë për çlirimin e Kosovës për të cilën, pavarësisht interesave të saj strategjike, kontribuoi edhe NATO, përbëjnë lajtmotivin. Lënda e kësaj monografie, në aspektin tematik ka në fokus rolin dhe kontributin e NATO-s për Kosovën në aspektin ushtarak dhe humanitar, por jo vetëm. Në aspektin formal lënda është mbarështuar, jo rastësisht, në shtatë kapituj dhe njësi tjera më të vogla. Në Kapitullin I, “NATO”, është paraqitur një vështrim i shkurtër për këtë organizatë politike dhe ushtarake që nga themelimi (1949), duke u fokusuar te rrethanat dhe qëllimet e themelimit të saj, në krijimin e organeve, strukturës, ngritjes së forcës, konceptet strategjike dhe simbolet e saj. Kapitulli II, “Kosova dhe përpjekjet diplomatike të faktorit ndërkombëtar”, hapet me një vështrim të shkurtër për krajatat nëpër të cilat ka kaluar Kosova në shekullin XX, posaçërisht në vitet ’90, vijon me përpjekjet paqësore të shqiptarëve të Kosovës për liri, pasohet me përpjekjet e faktorit relevant ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje politike dhe diplomatike për Kosovën (në kuadër të Jugosllavisë) në fund të shekullit, por edhe me rolin e OKB-së, Grupit të Kontaktit, BE-së dhe OSBE-së. Disa fjalë janë thënë edhe për Konferencën e Rambujesë, me të cilën mbyllet ky kapitull. Kur filloi NATO t’i shprehte publikisht qëndrimet dhe shqetësimet e saj për Kosovën, cilat ishin përpjekjet e kësaj organizate për ta parandaluar eskalimin e situatës dhe krizën humanitare, çfarë stërvitjesh dhe operacionesh u organizuan nga ajo në kontekst të situatës para fillimit të operacionit, si u emërtua operacioni, kur filluan dhe sa zgjatën përgatitjet e planit të operacionit, si funksionoi komanda dhe kontrolli, cilat ishin objektivat politike, ushtarake, strategjike dhe gjeopolitike si dhe cilat ishin caqet (objektivat) e planifikuara për t’u goditur gjatë operacionit? Këto janë disa nga pyetjet në të cilat jam përpjekur të jap përgjigje në Kapitullin III “Operacioni “Forca Aleate”. Në Kapitullin IV, “Fazat e operacionit”, i gjithë fokusi është orientuar te sulmet e përditshme 78 ditore të NATO-s mbi objektivat (caqet) ushtarake e policore serbe dhe jugosllave, në rolin shumë aktiv dhe vendimtar të NATO-s në aspektin ushtarak dhe humanitar, por edhe sfidat me të cilat ajo u ballafaqua. Roli dhe kontributi i shteteve pjesëmarrëse në operacion, divergjencat si rezultat i interesave të ndryshme mes shteteve dhe përpjekjet për ruajtjen e kohezionit dhe unitetit brenda Aleancës etj., përshkojnë fillim e fund Kapitullin V, “Shtetet pjesëmarrëse në operacion dhe kontributi i tyre”. Opinionet e publikut evropian, amerikan dhe rus për fushatën ajrore të NATO-s kundër RFJ-së; pikëpamjet dhe vlerësimet e ndryshme për fillimin, rrjedhën dhe rezultatet e OFA-s; krimet e forcave serbe në Kosovë, dëmet kolaterale të NATO-s, humbjet e forcave serbe, të NATO-s dhe të UÇK-së, por edhe kostoja e operacionit, kanë gjetur hapësirën e nevojshme në Kapitullin VI “Opinione dhe vlerësime për operacionin, krimet e forcave serbe, dëmet kolaterale të NATO-s, humbjet e forcave serbe, të NATO-s dhe të UÇK-së”. Në Kapitullin VII dhe të fundit, “Hyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës”, janë veçuar kushtet, faktorët, vendimet dhe marrëveshjet që çuan deri te përfundimi i luftës. Në këtë kuadër janë veçuar Marrëveshja Teknike Ushtarake e Kumanovës (9 qershor 1999), vendimi për suspendimin e operacionit të NATO-s, Rezoluta 1244 (10 qershor 1999), hyrja e KFOR-it në Kosovë, Marrëveshja UÇK-NATO për demilitarizim dhe transformimin e UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës si dhe fillimi i misionit ndërkombëtar (UNMIK) në Kosovë. Përveç parathënies dhe përfundimit, libri përmban burimet dhe literaturën, treguesin e emrave, listën e shkurtesave, listën e figurave dhe përmbajtjen (pasqyrën e lëndës). Për kursim të shpenzimeve të Institutit jam detyruar që figurat (faksimilet e dokumenteve, hartat dhe disa fotografi) t’i vendosi në pjesën e fundit të librit.
Dokumentet arkivore të klasifikuara dhe të paklasifikuara të vjela nga arkiva kombëtare dhe ndërkombëtare, fizike dhe elektronike, të shteteve dhe organizatave politike, ushtarake dhe humanitare; librat e botuara (monografi, analiza, studime dhe ditarë) të historianëve, studiuesve, ministrave të jashtëm, krerëve të shteteve dhe qeverive, të diplomatëve dhe ushtarakëve madhorë; artikujt e ndryshëm studimorë dhe analitikë nga ekspertë të fushave përkatëse; raportet, intervistat dhe shkrimet tjera të botuara në revista e gazeta prestigjioze botërore etj., janë referencat kryesore që i kanë dhënë formë dhe përmbajtje këtij libri. Mbi 90% e referencave të sipërpërmendura janë nga gjuha angleze, franceze, gjermane, italiane, spanjolle, daneze, portugeze, norvegjeze, serbe, turke dhe greke.
Përgatitja e këtij libri, të parin me këtë temë, dhe të tetin që kam botuar në fushën e historisë, letërsisë dhe publicistikës, ka qenë një sfidë për mua, një sprovë në fushën profesionale në kuadër të përpjekjeve për të shkruar historinë e luftës së Kosovës (fillimisht në aspektin ushtarak), historinë e Kosovës 1998-1999, të cilën e kam prezantuar dhe është pranuar si projekt në periudhën 4-5 vjeçare në Institutin e Historisë në Prishtinë, me titull “Kosova 1998-1999”, për të cilin jam duke punuar. Realizimi i këtij projekti për mua është më shumë se një dëshirë, është më shumë se një sprovë profesionale, është dëshirë dhe sprovë jetësore me këtë tematikë dhe në fushën e ngushtë profesionale. Krejt kjo në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata burra dhe ato gra që kanë dhënë shumë, sidomos për ata burra dhe ato gra që kanë dhënë çdo gjë, madje edhe jetën për çlirimin e Kosovës, por edhe për ato shtete dhe organizata që kanë dhënë kontribut në këtë aspekt. Sprova ime sapo ka filluar. Fjalën e ka lexuesi i zakonshëm dhe lexuesi model (Eco) për këshilla, rekomandime dhe vërejtje, të cilat i mirëpres. Ato më japin ndihmë, më japin kurajë për ta finalizuar projektin “Kosova 1998-1999”.
Falënderoj Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, drejtoren prof.dr.Teuta Shala-Peli, recensentët: dr. Mrika Limani-Myrtaj dhe dr. Arbër Hadri, lektorin prof. Fazli Hajrizi, të cilët më kanë ndihmuar me rekomandimet dhe punën e tyre profesionale. Botimi i këtij libri do të vonohej sikur të mos ishte ndihma e nipit tim, Altin Kurtit, student i Historisë në Fakultetin Filozofik, i cili ma lehtësoi punën dhe ma shkurtoi kohën, duke shtypur një pjesë të konsiderueshme të materialeve.
Kjo monografi e sheh dritën e botimit me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi, 75-vjetorit të themelimit të NATO-s, 30-vjetorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 25-vjetorit të Operacionit “Forca Aleate” dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.