Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë reaguar pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, theksohet se BE-ja pret që pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, Kosova të angazhohet për përmirësimin e sundimit të ligjit, administratës publike dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Deklarata thekson se, gjatë fushatës, ka pasur sulme ndaj mediave dhe gazetarëve, duke nxitur nevojën për një mbrojtje më të fortë të lirisë së shprehjes. Bashkimi Evropian, përmes Misionit të Vëzhguesve Zgjedhorë, ka konstatuar se zgjedhjet u mbajtën në një atmosferë të qetë dhe konkurruese, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe përputhshmëri me ligjin zgjedhor. BE-ja kërkon që autoritetet kosovare të vazhdojnë me përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe të zbatojnë obligimet e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit.