Gjykata Speciale, në Hagë, ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut në rastin kundër administrimit të drejtësisë. Përmes tri vendimeve të ndara, më 7 shkurt 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot, ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për tre të akuzuarit për dy muaj. Për Hashim Thaçin, Prokuroria kishte argumentuar se paraburgimi i tij është i nevojshëm, pasi nuk kishte asnjë ndryshim nga gjetjet e gjyqtares së procedurës paraprake në vendimin për arrestim dhe konfirmim të akuzave. Mbrojtja të akuzuarve ka shprehur shqetësimin se në dy çështje të ndryshme, për krime lufte dhe kundër administrimit të drejtësisë, ka pasur konstatime të ndryshme sa i takon rrezikut të arratisjes. Lidhur me këtë mbrojtja kundërshtoi argumentet se rëndësia e krimeve në rastin aktual dhe dënimi i mundshëm i Thaçit, i jep atij motive që të arratiset pasi ky argument është hedhur poshtë nga paneli i gjyqtareve, në rastin për krime lufte. Në vendimin e parë, gjyqtarja e procedurës paraprake kishte arritur në përfundimin se ekzistojnë dyshime ta bazuara se Thaçi mund të arratiset, të pengojë procedurat ose edhe të kryejë krime të tjera.
![](https://www.radiokosovaelire.com/wp-content/uploads/800-450-Hashim-Thaci-660x330.jpg)