Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare gjatë administratës së parë të Donald Trumpit, John Bolton, ka shprehur shqetësim për politikat e mundshme të presidentit Trump në mandatin e tij të dytë, duke theksuar se aleatët duhet të jenë të përgatitur për një luftë tregtare dhe për mundësinë e ndryshimit të politikave të Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës dhe Lindjes së Mesme. Në një intervistë në Top News, Bolton fokusohet edhe në Ballkan, duke theksuar se situata mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje që kërkon vëmendje të menjëhershme dhe se mund të bëhet prioritet për administratë. Bolton shprehu mendimin e tij për mundësinë e një shkëmbimi territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar si një mundësi për të parandaluar konflikte, por vetëm nëse një zgjidhje e tillë arrihet në mënyrë paqësore dhe jo të imponuar nga jashtë. Ai gjithashtu vlerësoi përpjekjet që u bënë për marrëveshjen e emrit të Maqedonisë së Veriut, duke e quajtur atë një shembull për arritjen e kompromisit, dhe duke sugjeruar se një zgjidhje e ngjashme mund të jetë e mundur mes Kosovës dhe Serbisë për të çuar përpara proceset e integrimit në NATO.
