Edhe para se të fillonte gjykimi në Gjykatën e Hagës, e sidomos pas zhvillimit të ngjarjeve brenda kësaj gjykate, kuptohet botërisht, se kjo është baltosje e hapur dhe trysni në pushtetarët tjerë të Kosovës, për ta ulur kokën, duke u treguar kështu “shqiptarë të mirë”, apo “shqiptarë të ndershëm” siç i ka quajtur Serbia një kategori shqiptarësh me të cilët ka dashur të qeveris, deri sa ishte këtu.
Koha tregoi se Carla del Ponte kishte interesa ekonomike në Serbi, dhe siç thuhet Dik Marti ishte i sponsorizuar nga Beogradi e Moska, për ta dezinformuar botërisht Këshillin e Evropës dhe opinionin ndërkombëtar duke e akuzuar UÇK-në. Nuk e di, për shkaqe kohore, a do t’i vërsulen edhe UÇK-së në Maqedoni e UÇPMB-së në Luginën e Preshevës.
Në anën tjetër, faktori shqiptar, nuk shihet askund, se sa ka arritur për të ushtruar presionin e vet përmes fakteve para faktorit ndërkombëtar, duke kërkuar që pinjollët e Millosheviqit – Aleksandër Vuçiq, Ivica Daçiç me kompani, që të dërgohen në Hagë, si pushtues, si agresorë, si nxitës për krime dhe si propagandues të terrorit serbë mbi shqiptarët. Dëshmitë jo vetëm shqiptare për krimet serbe janë të shumta, por nuk e di se sa janë grumbulluar e sistemuar për tu plasuar para faktorit ndërkombëtar. Kjo është para së gjithash obligim i mekanizmave përkatës shtetërorë, të ngarkuar me këtë detyrë, siç është Instituti për Krime Lufte në Kosovë, që këto të dhëna të deponohen aty ku duhet dhe si duhet, duke e hartuar edhe padinë për gjenocid ndaj Serbisë si shtet.
Ndërkaq, në këtë drejtim, nuk mund të paramendohet se sa janë morbide komentet e disa shqipfolësve nëpër rrjete të ndryshme sociale, për individ të caktuar të UÇK-së.
Në anën tjetër, edhe ‘arsyetimi’ i kryeministrit, se, për shkaqe të plotësimit të formularëve nuk kam denjuar të shkoj në vizitë në Hagë, është ‘arsyetim’ skajshmërisht i paarsyeshëm dhe i paqëndrueshëm, pavarësisht dallimeve që kanë mundur e mund t’i kenë.
Ndërkaq për disa element të hardallosur, të quajtur analista e opinionista në Shqipëri, e jo vetëm, që kanë vjellur e vazhdojnë të vjellin vrerë kundër UÇK-së, as që ja vlen të bisedohet. Ata me këto qëndrime, vullnetarisht, kanë trokitur në derën e historisë, e cila patjetër se do t’ua përcaktoj vendin e vet, brenda historisë, deshën apo nuk deshën.
P.S
Me komente e moralizime të tipit: se kush e formoi, kush pranoi, kush e votoj etj. këtë gjykatë, do të doja të më kurseni.