Dëshmori Kapllan Ahmetaj ka lindur më 15 gusht të vitit 1953, në fshatin historik të skajit verior të Drenicës, Radishevë. Në këtë fshat kishte lindur dhe ishte rritur edhe trimëresha e Arbnisë së Vogël, Shote Galica. Kjo trimëreshë dhe burrat e Radishevës bëhen tmerri i krajlit të Serbisë. Ushtria dhe xhandarmëria e tij sa herë që ia mësyjnë kësaj treve ndahen me humbje e lemeri. Dëshmi të betejave të shumta janë jo vetëm kallja e fshatit Radishevë dhe shpërngulja e banorëve të tij në Shqipëri, në vitet 20 të shekullit të kaluar, por edhe rënia e shumë trimave. Prandaj, nuk ishte e rastit që Radisheva bëhet edhe çerdhe e çetave të Azem Bejtës. Kjo figurë e madhe e rezistencës kombëtare ishte mik shtëpie edhe i familjes Ahmetaj.
Tradita e rezistencës kombëtare e të parëve të tij, bëhet shkollë e fortë e edukimit atdhetar për dëshmorin Kapllan Ahmetaj. Ai rritet me legjendat për Shotën dhe Azemin. Shembull frymëzues ishte edhe stërgjyshi, Haziri, i cili merr pjesë në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, në Vlorë, më 1912. I dënuar me dymbëdhjetë vjet burg nga gjyqet osmane, vdes në burgun e Shkupit në vitet 20. Po ashtu, gjyshi, Shabani, vritet në betejë me ushtrinë serbe, më 1925, afër vendit të quajtur Varri i Plakës në Radishevë. Edhe vëllai i Shabanit, Bajrami, merr pjesë në brigadën e vullnetarëve të Shaban Polluzhës, në kuadrin e Batalionit të Parë, të udhëhequr nga Imer Fazlia (Ahmetaj).
Kapllani formëson një karakter të veçantë të personalitetit të tij. Ai thoshte se njerëzit nuk duhet të vlerësohen sipas pozitës, kualifikimit, apo sipas pasurisë, por sipas veprimit të tyre. Sipas tij, letërnjoftimi më i qartë i njerëzve është qëndrimi ndaj kombit e ndaj lirisë. Këto pikëpamje si komponente morale të personit të tij, bëjnë që me të filluar lufta në Drenicë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mobilizohet pa hamendje në radhët e saj dhe të luftojë kundër pushtuesit deri në rënie.
Beteja e 5,6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz, epopeja e Komandantit Legjendar dhe e familjeve Jashari, paraqesin impuls mobilizimi edhe për ndërgjegjen e Kapllanit. Ai që prej shumë vitesh njihej dhe shoqërohej me Hamzën, vëllain e komandantit legjendar, Adem Jashari. Ata punojnë së bashku në fabrikën e municionit në Skënderaj, deri me largimin e punëtorëve shqiptarë nga kjo fabrikë, në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar. Duke njohur trimërinë dhe vendosmërinë e Hamzës, Kapllani bindet se UÇK-ja ishte e pathyeshme dhe fitorja e saj e pashmangshme. Prandaj, qysh pas betejave të para të luftës në Drenicë, ai paraqitet vullnetarisht te njësitet e afërta të UÇK-së për mobilizim. Nga komandanti Abedin Rexha – “Sandokani”, merr autorizimin që të formojë njësitet e UÇK-së në vendbanimet e anës së djathtë të rrugës Mitrovicë – Pejë, në mënyrë që në momentin e përshtatshëm, rezistenca e UÇK-së të organizohet edhe në këtë zonë të Drenicës. Për të parapërgatitur këtë organizim, në pranverën e vitit 1998, Kapllani, shkon në Republikën e Shqipërisë për të sjellur armatim për nevojat e luftës çlirimtare. Së bashku me të shkojnë edhe Musa Ahmetaj (dëshmor), Afrim Tahiri, Imer Ahmetaj, Fadil Hajrizaj e shumë të rinj të tjerë të Radishevës e të fshatrave përreth. Nga atje sjell lloje të ndryshme të armëve, minahedhës, pushkë gjysmëautomatike, madje edhe fishekë dum-dum.
Pas kthimit nga Shqipëria, Kapllani me Musën, Afrimin, Imerin, Naimin e me disa bashkëluftëtarë të tjerë, vepron si njësit i UÇK-së, në pikën ushtarake të formuar në Kodrën e Runikut, afër stacionit të policisë serbe. Kjo pikë kishte për detyrë t’i mbante në distancë forcat e pushtuesit, që të mos mund të depërtonin në verilindje të Runikut. Kjo pikë ushtarake kishte për detyrë edhe të vëzhgonte rrugën automobilistike Pejë – Mitrovicë. Në këtë kohë, pjesa e kësaj rruge nga Runiku deri te Përroi i Keq, mbahet nën kontrollin e UÇK-së.
Më 7 korrik të vitit 1998, Kapllani me bashkëluftëtarët Musë Ahmetaj e Naim Ahmetaj, për të vëzhguar rrugën automobilistike në drejtim të Përroit të Keq dhe terrenin përreth saj, arrin në fshatin Çubrel. Në një moment, derisa ky njësit po kalonte nga njëra anë në anën tjetër të rrugës, papritmas bie në pritë të forcave serbe, të cilat kishin arritur të pozicionohen në dalje të këtij fshati. Kundër tij fillon sulm i befasishëm. Zjarrit të armikut i përgjigjet me zjarr edhe Kapllani me shokë. Në këtë shkëmbim zjarri, Kapllani ia fal jetën lirisë së Kosovës. Ai bie dëshmor. Përkrah tij plagë të rënda merr edhe Musa Ahmetaj, i cili ashtu i plagosur arrin të tërhiqet pak më tutje prej vendit të pritës, ku pas një çasti pushon së rrahuri zemra e tij. Pritës i shpëton vetëm kushëriri tjetër, Naimi, i cili nën breshërinë e armëve arrin të largohet nga rrezja e veprimit të armikut.
Pas këtij aksioni, forcat serbe arrijnë ta marrin trupin e dëshmorit Kapllan Ahmetaj, të cilin e dërgojnë në qendrën spitalore të Mitrovicës. Ndërkohë, trupi i Musës gjendet nga bashkëfshatarët e tij te vendi i rënies dhe të njëjtën ditë varroset në Radishevë. Pranë tij, sot në varrezat e këtij fshati pushojnë edhe trupat e martirëve të tjerë të rënë gjatë luftimeve në Radishevë. Dymbëdhjetë emrat e tyre janë skalitur në pllakë përkujtimore. Në mesin e këtyre emrave është edhe ai i dëshmorit Beqir Hajrizaj dhe i dy bijve të tij, nga fshati i afërm Kotorr. Në betejën e 25 korrikut në Radishevë, Beqiri u arrin në ndihmë radishevasve, i armatosur me mitraloz, gryka e të cilit vjell zjarr mbi çetnikët serbë.
Në pllakën përkujtimore për dëshmorët në Radishevë shkëlqen edhe emri i dëshmorit Kapllan Ahmetaj, por mbetet i panjohur vendi ku i pushojnë eshtrat. I vetmi fakt që dihet është se trupi i tij ishte dërguar në morgun e spitalit të Mitrovicës. Këtë informatë ia sjell kushëririt të Kapllanit një mik i tij mjek, i cili në atë moment ndodhet në spital, ku arrin ta shënojë emrin e Kapllanit. Ky mjek, po ashtu njofton se në të njëjtën kohë, në spitalin e Mitrovicës, policia serbe e kishte sjellur edhe një pjesëtar të saj të plagosur rëndë.
Dëshmori Kapllan Ahmetaj ishte fëmija i dytë i prindërve, Aliut e Tahires. Më të madhe kishte motrën, Salën, ndërsa më të rinj, vëllezërit, Skënderin e Xhaferin. Shkollimin fillor e mbaron në Runik, kurse të mesmin në Skënderaj. Pas shkollës së mesme e regjistron degën e historisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, por nuk i vazhdon studimet, për shkak se nevojat ekonomike të familjes e detyrojnë të fillojë të punojë. Meqenëse në atë kohë, në Skënderaj u hap fabrika e municionit, Kapllani arrin të hyjë në punë në këtë fabrikë. Aty njeh shokë të mirë nga treva të ndryshme të Drenicës, me të cilët lidhet ngushtë. Njëri ndër ta ishte edhe Hamëz Jashari.
Në vitet 80 të shekullit të kaluar, Kapllani bie në konflikt me burokracinë e fabrikës, në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve. Për këtë arsye, pezullohet nga puna për disa muaj. Përfundimisht nga puna, administrata e fabrikës e dirigjuar prej politikës antishqiptare të Beogradit, e përjashton në vitin 1990, sikurse edhe shumicën e punëtorëve shqiptarë në Kosovë.
Në vitet e 90-ta, Kapllani kryen punë të ndryshme fizike. Megjithatë, pushtuesi, as kështu nuk e lë të qetë. Në vitin 1994, arrestohet nga policia serbe e Mitrovicës. Nga ai kërkohen armë. Pas shumë torturave, kjo polici e kthen deri në Klinë të Epërme, ku e lë në rrugë, në një gjendje mjaft të rëndë shëndetësore. Këto tortura e shtojnë së tepërmi urrejtjen e tij ndaj pushtuesit, prandaj organizimi i UÇK-së, prej tij u përjetua si shpresë e vetme për kthimin e dinjitetit shqiptar, të nëpërkëmbur nga serbët. Dinjitetin e tillë nuk ia dëshironte as kombit, por as familjes së ngushtë: gruas Fatimes dhe fëmijëve, Ilires, Dardanit, Blerinës dhe Aliut.
Për gjakun e derdhur në themelet e lirisë së Kosovës, emri i dëshmorit Kapllan Ahmetaj radhitet në faqet më të ndritshme të historisë së popullit shqiptar. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …