Avokati shqiptaro-amerikan, Peter Lumaj, ka hedhur poshtë spekulimet që ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, është larguar nga detyra në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe se është nën hetim. Në një deklaratë të dhënë në Top News, Lumaj sqaroi se Yuri Kim vazhdon të ushtrojë funksionin e saj dhe nuk ka asnjë hetim ndaj saj. Lajmet që qarkulluan në mediat e lidhura me Sali Berishën janë quajtur të pabaza nga avokati, i cili theksoi se informacionet për hetime janë përhapur vetëm nga dy burime shqiptare dhe se ato nuk kanë asnjë mbështetje në SHBA. Sipas Lumajt, në Departamentin e Shtetit ende po diskutohet nëse Kim do të vazhdojë të qëndrojë në pozitat e saj, të cilat janë në seksionin për Azinë dhe Europën. Lumaj theksoi se këto janë vetëm thashetheme të përhapura në rrjetet sociale dhe nuk ka asnjë hetim të fshehtë në lidhje me ish-ambasadoren Kim.
