Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për një rast “vrasje në tentativë”.
Pas publikimit të fotografive të të dyshuarve S. T. dhe E. B. më 6 shkurt 2025, policia ka vazhduar hetimet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Më 22 shkurt 2025, Sektori Rajonal i Hetimeve, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacione mbi vendndodhjen e tyre. Njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të specializuara hetimore për të vërtetuar praninë e të dyshuarve dhe pasi është konfirmuar identiteti i tyre, policia ka arritur t’i arrestojë ata në një objekt banesor në Fushë Kosovë.
Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona mobil dhe dy copë fishekë, ndërsa të dyshuarit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndalur në mbajtje.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë publike dhe inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo informacion të rëndësishëm për ruajtjen e rendit dhe ligjit.
Gjakovë, 22 shkurt 2025