Flet “Mjeshtri i Madh” Zhani Ciko: Polifonia është gjëja më e vyer jona, pasi është më e vjetër dhe mbase sa identiteti i kombit tonë
-. Në vitin 1999, një grup i televizionit francez erdhi në Tiranë enkas për të dëgjuar polifoninë pas ngjarjeve të vitit 1996-97
Albert Z. ZHOLI
–Lebërit kanë jetuar e jetojnë në një truall me male të larta, të ashpra e shkëmbore, me mungesa të ndjeshme bimësie, klimë në përgjithësi malore, me verë të freskët e dimër të-ashpër, por vende-vende edhe mesdhetare, ku vera është e nxehte dhe e thatë dhe dimri i butë e i lagët, duke u kufizuar në perëndim nga deti Jon etj. Ndikimi i kushteve të tilla natyrore reflektohet përsëri, sidomos, mbi këngën polifonike labe. Polifonia ka një shtrirje kohore dhe hapësinore të konsiderueshme në trevën ballkanike. Shtrirja e polifonisë me format e saj të larmishme dhe me karakteristikat vendore përkon natyrshëm me atë truall ku është kryer dhe evidentuar edhe përcjellja e kulturës ilire të lashtësisë në ngjizjen dhe konfigurimin e kombësisë shqiptare, pra në ato vende ku jeton edhe sot ky popull. Kjo shtrirje vërehet të mbulojë një territor të gjerë, që përfshin që nga hapësirat verilindore përqark Strugës dhe në lindje të liqenit të Ohrit dhe të atij të Prespës, e deri thellë në jugun shqiptar të krahinës së Çamërisë. Por në forma dhe tipare lokale e gjejmë edhe në viset e Opojës, Kërçovës e të shumë trevave shqiptare të Maqedonisë. Sipas studiuesit Beniamin Kruta: “Disa fakte dëshmojnë se një fillesë polifonike nuk duket se ka munguar edhe në ato zona veriore të Shqipërisë ku kemi shtrirje mbizotëruese të muzikës homofonike. Këtë e vërejmë në sferën e muzikës instrumentale, si në disa vegla me frymë ashtu dhe në disa vegla me tela. Kjo gjë dëshmon për karakterin unitar të kulturës muzikore popullore shqiptare, i cili ekziston jo vetëm në raporte të caktuara midis homofonisë dhe polifonisë, por edhe brenda përbrenda këtyre dy sistemeve”. Por, përsa i përket shtrirjes hapësinore dhe kohore të polifonisë, vërejmë se autoktonia, pra hershmëria dhe vijimësia e saj deri në ditët e sotme në ato vise ku shtrihet edhe linja iliro – arbërore – shqiptare, vërtetohet nga gjurmët që ruhen në territoret e vjetra ilire që u mbishtresëzuan nga popullsi sllave të ardhura më vonë në gadishull në shekujt 6-7 e.s. E duke qenë se sllavët nuk i kanë si karakteristikë të tyre format e polifonisë dy-zërashe, të cilat konsiderohen si mbetëza të nënshtresës ilire në ato troje, provohet qartë se polifonia ka pasur një shtrirje të përkueshme me popullsitë ilire të shekujve 15 të antikitetit dhe se vetë përzierja e tyre me sllavët e ardhur në territoret e Kroacisë, Bosnjës apo Malit të Zi, nuk ka arritur të shuajë gjurmët e trashëgimisë së vjetër muzikore. Vetë studiuesi Cvjeto Rihtman thekson se prania e polifonisë dyzërëshe në këto zona të Bosnje-Hercegovinës mund të shpjegohet si një trashëgim i huazuar nga fiset e lashta ilire. Mund të supozohet edhe se kjo trashëgimi muzikore është ruajtur dhe përcjellë me modifikimet e kohës dhe të gjuhës nga popullsitë iliro-shqiptare të sllavizuara kohë pas kohe, të cilat edhe pse në sipërfaqe shfaqen kohëve të sotme si sllave, nuk kanë arritur të shlyejnë nga vetja atë substrakt të strukturës shpirtërore të origjinës së tyre të hershme.
-Ka shumë vite që flitet për polifoninë, për prejardhjen e saj dhe rolin në jetën e atyre që e këndojnë. Shumë kritik arti e quajnë të magjishme këtë këngë.
Personalisht ju që jeni një nga ndjekësit më të rregullt dhe specialsit si do ta cilësonit Polifoninë Shqiptare?
Për mendimin tim, Polifonia është gjëja më e vyer jona, pasi është më e vjetër dhe mbase identiteti i kombit tonë. Po ju referoj një fakt shkencor që shumë pak njihet dhe shumë pak i jemi referuar dhe shumë pak e kemi dëgjuar. Muzika siç e kemi mësuar nëpër shkolla, ndahet në strukturat e saj në Tone dhe Simitone. Nga një Ton është distanca mes notës Do dhe Re dhe gjysmë Toni mes Do dhe Do diezis. Polifonia jo, polifonia ndahet me çerek toni. Pra është më e lartë se ekzistenca e modeve. Shpesh herë është thënë në studimet tona, ose është parë dhe njihet se disa studime janë edhe të politizuara. Nuk e di kur do shpëtojmë nga kjo e keqe e madhe që na ka zënë. Fenomenin e çerek tonit ne nuk e gjejmë vetëm tek Polifonia që është nga koha e Pellazgëve, apo më parë, por i gjejmë dhe tek rapsodët që tashmë po përpiqen t’i vlerësojnë në rangun e UNESCO-s. Edhe rapsoditë me lahutë janë me çerek toni. Pra, ai lahutari i Veriut, që këndon vetëm majë shkëmbit me labin që jeton mbledhur, bashkë, paskan të njëjtën strukturë. Kjo është diçka shumë interesante, që duhet të ndalen studiuesit tanë. Ndaj, ne duhet të investojmë në këtë drejtim, për këto studime dhe shteti të mos mjaftohet të japi dy çika lekë për Festivalet si “Bylispolifonia”. Punoja në Patos kur u zbulua Bylysi si një vendbanim Ilir. Krahasimi i dytë që dua të bëj është ajo me Polifoninë botërore. Në Botë është një periudhë e caktuar në zhvillimin e muzikës, që quhet periudha e zhvillimeve Polifonike. Këto kanë ndodhur kryesisht në vendet e ulëta në periudhën e zhvillimit të muzikës (Belgjikë, Holandë, Danimarkë). Kjo Polifoni e tyre është një Polifoni jo popullore, jo etnike (komb) por e krijuar nga kompozitorët që zgjodhën rrugën jo të monodisë të një melodie, por zgjodhën rrugën e polifonisë. Dhe nuk zgjodhën rrugën me 5 ose 6 zëra sa ne, por mbi 40 zëra. Polifonia e tyre eklipsoi muzikën, e mbyti nga zërat e shumtë. Mendo çdo ndodhte po të shtoheshin 6 marrës, 7 kthyes e të tjera …Do humbiste, por populli e ruajti në strukturën më të mirë edhe nga pikëpamja e akustikës edhe nga pikëpamja e origjinalitetit të këngës. Të gjitha këto i kanë bërë kompozitorë me emër si Ombreht , Otegen e kompozitorë të tërë të Mesjetës derisa e kaluan këtë periudhë.
-Ju jeni një ndjekës i rregullt i festivaleve të polifonisë por edhe një kritik real i tyre. Mund të na përcjellësh ndonjë rast interesant në lidhje me Polifoninë? Çfarë ka ndodhur me të në momente të ndryshme jetësore?
-Nga festivalet e polifonisë kam shumë kujtime. Në vitin 1999, një grup i televizionit francez erdhi në Tiranë. Ne po përgatiteshim tek orkestra e RTSH për Festivalin e 55 në RTSH. Njëkohësisht kjo orkestër po përgatitej për një koncert të radhës. Një grup nga Elbasani po bënte prova. Unë isha me grupin e violinistëve. Ata donin të shikonin muzikën shqiptare pas atyre që ndodhën në vitet 1997-1998. Një vend që nuk ka muzikë nuk ka të ardhme. Ata donin të shkonin në Vlorë që ishte kryeqendra e rebelimit 1997. Donin të takonin grupet polifonike të Vlorës. Por nuk na dilnin në celular askush. Na thoshin se kanë ikur të gjithë jashtë. Por unë kisha besimin që Polifonia nuk mund të humbiste në Vlorë as në konfliktet më të mëdha. Tek Ura e Mifolit ishin disa postblloqe, që nuk na penguan. Pyeta për të takuar Haxhi Dalipin, por më thanë se ka ikur në Gjirokastër. Shkova në lagjen e tij dhe u futëm në një kafene. Disa fytyra të njohura më pyetën… Profesor përse ke ardhur? U them se televizioni francez do të filmojë këngë labe, a ekziston kënga pas këtyre ngjarjeve? U thashë ndaj në pallat kërkoni sa të mundini njerëz dhe të bëjmë një grup. Po si të këndojmë pa prova më tha njeri? Pas disa minutash ata u mblodhën mbi 15 vetë dhe filluan të këndojnë. Kënga mori për mirë dhe ata nuk dinin të ndalonin. Televizioni francez xhironte pa pushim. Pra kënga labe po mbijetonte, polifonia po tregonte virtytet e saj. Ata bënë një dokumentar 30 minuta ku cilësohej se, ky vend nuk shuhet kurrë se ka këngën e fortë dhe të bukur. Edhe ky aktivitet tregon për rolin e këngës labe dhe polifonisë që ngrihet lart e më lart. Polifonia nuk duhet të tjetërsohet në Isopolifoni.