Kryetari I Komunës së Prishtinës Përparim Rama në një postim të tij në facebook ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta me rastin e vdekjes së veprimtarit Bajram Çerkini kryetar i Shoqatës Zëri I Prindëve”.
Në postimin e kryetarit Rama thuhet:
Me dhimbje të thellë, e mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, kryetarit të Shoqatës së të Pagjeturve në Kosovë – “Zëri i Prindërve”. Bajrami ka qenë luftëtar i së vërtetës, shembull i forcës dhe qëndresës.
Si prind, si njeri, dhe si udhëheqës i Shoqatës, ai ka vuajtur dhe luftuar për çdo të zhdukur, duke kërkuar drejtësi dhe paqe për ata që kanë humbur më të dashurit e tyre. Por, ndonëse luftoi me gjithë forcën për të gjetur të vërtetën, ai vetë nuk arriti të ndjente qetësinë në shpirt. Ai iku nga kjo botë pa mësuar fatin e djalit të tij, që për dy dekada nuk u dorëzua së kërkuari.
Largimi i tij është një humbje e madhe për të gjithë ne, për çdo familje që ka humbur familjarë, për çdo qytetar të Kosovës që ka pritur drejtësi dhe për çdo njeri që ka njohur guximin dhe nderin e Bajram Çerkinit.
Pusho në paqe, Baca Bajram. Emri yt do të jetë gjithmonë një simbol i shpresës dhe i luftës për drejtësi, dhe do të mbetet i paharruar në zemrat tona, ka shkruar në llogarin e tij në facebook, kryetari Përparim Rama.