Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nuk e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të ndryshojë kursin e saj, por kanë pasur ndikim në mirëqenien e qytetarëve. Pa një konsensus të qartë brenda BE-së se kur mund të hiqen, pasiguria vazhdon të formësojë situatën. Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të nivelit të lartë, Bashkimi Evropian vazhdon të refuzojë heqjen e këtyre masave, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Prishtinës, por edhe të Parlamentit Evropian. Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i bllokut tha se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”. Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse Qeveria e vendit ka ndonjë sinjal se kur do të hiqen masat e BE-së. Ai nuk u përgjigj as sa llogaritet të jenë humbjet nga to.
