Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë është shprehur kundër mbylljes së disa qendrave sociale në veri të Kosovës, të cilat ishin të financuara nga Serbia. Sipas UNMIK-ut, ky veprim i institucioneve të Kosovës pritet të ketë ndikim negativ në jetën e përditshme të qytetarëve që mbështeten në këto shërbime për nevoja kritike. Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Ziadeh është i shqetësuar për mbylljen e zyrave të financuara nga Serbia në veri të Kosovës dhe për ndikimin negativ që këto mbyllje kanë në jetën e përditshme të individëve, thuhet në reagim. UNMIK ka bërë thirrje që këto çështje të adresohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.