Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara për përvjetorin e tretë të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, e cila mban një pozicion neutral ndaj konfliktit, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për ndërprerjen e luftës. Rezoluta e shkurtër pasqyron ndryshimin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës nga Presidenti Trump pas marrjes së detyrës muajin e kaluar dhe qëndrimin e tij më pajtues ndaj Rusisë. Ky është një ndryshim nga administrata e ish-presidentit Joe Biden, e cila udhëhoqi përpjekjet në OKB për të mbështetur Ukrainën gjatë gjithë luftës. “Kjo rezolutë na vendos në rrugën drejt paqes”, u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, diplomatja amerikane Dorothy Shea. “Është një hap i parë, por vendimtar – për të cilin të gjithë duhet të jemi krenarë. Tani ne duhet ta përdorim atë për të ndërtuar një të ardhme paqësore për Ukrainën, Rusinë dhe komunitetin ndërkombëtar.
