Flet ish-radisti Gazmor Bekteshi; Në atë sistem kushdo mund të mbetej pa drita disa orë, por radiondërlidhja kurrë!
-Radiondërlidhja kishte tre linja furnizimi me energji: Hidrocentralin në Lanabregas, rrjetin Tirana dhe motor-gjenerator.
– Në 8 korrik 1982, fjetëm në Pogradec; më 9 korrik arritëm në Athinë dhe më 10 korrik arritëm në ambasadën tonë në Egjipt.
– Komuniteti më i madh i shqiptarëve në Egjypt ishin nga Korça.
-Në ambasadë kishim edhe një listë me shqiptarë që ishin armiq të sistemit.
– Ushtria në monizëm ishte shkolla më e mirë për t’u edukuar dhe kalitur, apo përgatitur për jetën.
-Në ushtri kam kujtimet më të bukura pasi përkonte me periudhën më të bukur të jetës sime.
– Radiondërlidhja ishte e organizuar në dy drejtime: në atë brenda vendit, me degët e PB, dhe në atë të jashtme, me ambasadat tona.
Intervistoi Albert Z. ZHOLI
Gazmori është gazmor siç ka dhe emrin. Njeri korrekt, i dashur, i respektueshëm. Skraparlli tipik. Gazmor Qamil Bekteshi, ka lindur më 14 nëntor 1958 në fshatin Prishtë, Skrapar. I martuar me znj. Shpresa Skënder Guri, e lindur në Tiranë më 17 prill 1959.Kanë një djalë të quajtur Elis Bekteshi, lindur më 16 prill 1983 në Kajro, Egjipt.Elisi është i martuar me znj. Miranda Aziz-Haxhire Hoxha, nga rrethi i Beratit. Gazmori ka kryer shkollën fillore, një mekanike për axhustator në Shkozet, Durrës (1973-1975), dhe në vitin 1989 shkollën e mesme të përgjithshme pa shkëputje nga puna, “K. Kristoforidhi” në Tiranë,
Shpresa ka mbaruar shkollën e mesme “Qemal Stafa” në Tiranë.
-Ushtria në sistemin monist thuhet se ishte shkollë më vete. Kur keni shkuar ushtar dhe në çfarë vendi e keni kryer ushtrinë?
Ushtar jam mobilizuar në shtator 1977, në kufi, në Hanin e Hotit, Shkodër. Pas një jave, për llogari të Degës së PB, kam shkuar për ndërlidhës në Tiranë në Repartin 75 të ndërlidhjes të MPB. Komandant Rasim Mia, nga Kanina; Komisar Skënder Guri nga Turbohova e Skraparit. Më pas u bëra edhe dhëndër në këtë familje, u martova me vajzën e tij të dytë, Shpresën, në vitin 1981, me ndërmjetësimin e një njeriu të të dy familjeve dhe një njeri të shkëlqyer nga Erseka, oficer ndërlidhjeje, Vasil Peçi. Jam i bekuar që kam grua Shpresën, familjare, e zgjuar, e urtë dhe e meriton shprehjen “Dardha bie nën dardhë”.
Jeta më e bukur me kujtime dhe mbresa aqsa dhe shkolla e mesme, është edhe ushtria, apo aksionet. E them me bindje shumë të madhe, se ushtria është shkolla më e mirë për t’u edukuar dhe kalitur, apo përgatitur për jetën. Kam kujtimet më të bukura për këtë periudhë të jetës sime. Drejtuesit e këtij reparti elitë të MPB, ishin si prindër për ne. Përveç titullarëve, nuk mund të harroj të gjithë personelin e këtij reparti, si komandant Fejzi Buzi, komisar kompanie Harallamb Gabia, komandant toge Mantho Dhrami, kujdestarin Zihni Bici, apo personelin e sallave të radio-ndërlidhjes me degët e PB të vendit, apo me ambasadat tona jashtë, që në çdo moment na trajtuan si kolegë dhe jo si ushtarë. Iu jam mirënjohës dhe nuk do t’i zhgënjej kurrë!
-Si ishte organizuar radiondërlidhja në ushtrinë shqiptare moniste?
Radiondërlidhja ishte e organizuar në dy drejtime: në atë brenda vendit, me degët e PB, dhe në atë të jashtme, me ambasadat tona. Takimet ishin të vendosura sipas një rrjeti të caktuar dhe me orare të ndryshme.
Aparaturat me kohën e tyre, ishin normalisht moderne dhe kryenin funksionalitetin e tyre. Radistët përgatiteshin mbi bazën e një kursi 9-mujor, dhe në fund jepej testi dhe bëhej klasifikimi, Shërbimi kryhej sipas një grafiku që bëhej nga përgjegjësi i turnit dhe kualifikimi i ushtarëve ishte në një shkallë të kënaqshme, dhe sipas këtij rezultati, një pjesë e mirë e tyre shërbeu në degët e PB në rrethe në jetën e tyre civile. Ia panë hairin këtij zanati.
-Ku filluat punë pas përfundimit të ushtrisë?
Mbas lirimit nga ushtria në vitin 1979, kam qenë rezervist në degën e PB Skrapar; kam bërë 2 herë sëtrvitje dhe gjatë kësaj kohe bëheshin takime e stërvitje me qendrën, që ishte Reparti 75 në Tiranë. Kemi dalë shumë mirë dhe jemi vlerësuar. Në raste gadishmërie secili kryente detyrat që ishin të përcaktuara sipas urdhrit të shërbimit të Komandës. Por unë, duke qenë se kisha mbaruar një shkollë mekanike, më ishte besuar dhe detyra e mirëmbajtësit të motorave që prodhonin energji, sepse, ky sektor ishte tepër i veçantë dhe nuk mund të mungonte energjia. Ky sektor kishte tre linja furnizimi me energji: Hidrocentralin në Lanabregas, Rrjetin Tirana, dhe motor-gjenerator.
–Ju për një kohë keni qenë radist në ambasadën shqiptare në Egjypt. Ku dhe si shkuat në atë shtet? Çfarë impresionesh ruani?
Në 8 korrik 1982, u nisa së bashku me gruan për në ambasadën shqiptare në Egjipt, nëpërmjet rrugës tokësore. Në 8 korrik fjetëm në Pogradec; më 9 korrik arritëm në Athinë dhe më 10 korrik arritëm në ambasadën tonë në Egjipt. Atë ditë luhej finalja e futbollit Itali-Gjermani. Ishte e para ndeshje që shihja në televizor me ngjyra. Në këtë emërim, për të qenë i sinqertë, rol kishte luajtur edhe vjehrri im, pavarësisht se e them me shumë modesti, se isha i përgatitur mjaft mirë në këtë profesion, saqë edhe sot transmetoj me mendje në gjumë; e kam pasion të jashtëzakonshëm, saqë, kur shkoja për ndihmë në Repartin 75, shefi i atij sektori e shprehte hapur xhelozinë për aftësinë time.
Në ambasadë kam qëndruar nga korriku 1982 deri në maj 1986. Me shumë çiltërsi mendoj se bashkë me gruan time, kemi lënë gjurmë të shkëlqyera në marrëdhënie e në punën tonë. Këtë e tregon edhe fakti, që edhe pse kanë kaluar rreth 40 vjet, ne kemi marrëdhënie shumë të mira, respekt për të dy titullarët, ambasadorin Murat Angoni dhe Alkyz Cerga, si dhe për të gjithë ata me të cilët punuam dhe jetuam për disa vjet.
-Si ishin marrëdhëniet Shqipëri -Egjypt dhe si bashkëpunonit me komunitetin shqiptar aty?
Marrëdhëniet me shqiptarët në Kajro ishin shumë të mira dhe të ngushta. Organizoheshin shumë darka të shpeshta, përveç darkës së 29 Nëntorit. Ata e kishin ambasadën si një shtëpi të tyren, dhe çmalleshin si me Shqipërinë. Por fatkeqësisht, fëmijët e tyre kishin filluar të martoheshin me egjiptianë, turq, etj. Kështu mund të kenë shkuar drejt plakjes së shqiptarëve. Komuniteti më i madh i shqiptarëve atje ishin nga Korça. Kishte edhe një listë me shqiptarë, që ishin armiq të sistemit.
Në rrafshin familjar ishte koha kur unë dhe gruaja u bëmë prindër, në moshën 25 vjeç. Ardhja në jetë e djalit tonë Elis, lindur në spitalin Amerikan në Kajro, ishte gëzim i papërshkruar! Në rrafshin kulturor, nuk e teproj të them që ishte një rast, apo fat që nuk mund të përsëritet në jetë, se patëm rastin të punojmë me njerëz të kulturuar, të edukuar, të parë dhe të dalë.Vetëm ambasadori Murat Angoni kishte 37 vjet në shërbimin e jashtëm. Dhe mjaftonte që ai të të shikonte, ti mund të mësoje. Ishte mundësia që mund të siguroje të gjitha pajisjet e domosdoshme për familjen: Tv, sobë, lavatriçe, frigorifer. Kemi kujtim edhe sot papiruse egjiptiane. Vizitat në Piramidat, hipjet në deve, vizitat në Port-Said, e qytete të ndryshme, darkat në Nil me anije, etj,. do të mbeten të paharruara!