Kryengritja e Shtatorit të vitit 1913, padyshim se përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme kombëtare, të zhvilluara pas shpalljes së pavarësisë dhe vendimeve arbitrare të Konferencës së Fuqive të Mëdha në Londër (1913). Përkundër asaj se territori shtetëror dhe popullsia e Mbretërisë së Serbisë gati u dyfishua, kjo si rrjedhojë e luftërave ballkanike dhe nga pazarllëku i Fuqive të Mëdha, Serbia nuk ishte e kënaqur, duke pretenduar aneksimin e tokave të tjera shqiptare, që ajo i konsideronte si “pika strategjike”. Një pretendim i tillë doli nga vetë kryeministri i Serbisë Nikolla Pashiq, i cili në ekspozenë e tij dhënë para deputetëve, menjëherë pas shuarjes së kryengritjes, veç tjerash, u shpreh: “Qeveria e Mbretërisë Serbe ka menduar të kërkojë nga Fuqitë e Mëdha të bëhet ridefinimi i kufijve, në përputhje me interesat, si të njërës po ashtu edhe të palës tjetër, si dhe me qëllim që t’i qetësojë Fuqitë e Mëdha, sipas të cilëve Shqipëria duhet të ekzistojë…”
Është më se e rëndësishme të vihet në dukje fakti se Kryengritjen e Shtatorit e nxitën autoritetet ushtarake e policore serbe, të cilët pas ultimatumit të marrë nga Fuqitë e Mëdha, që trupat serbe të tërhiqen brenda kufijve të përcaktuar në Konferencën e Londrës, ata si kundërpërgjigje ndaj kësaj ua ndaluan shtetasve shqiptarë shfrytëzimin e tregjeve në Dibër dhe Gjakovë. Më 5 (18) shtator të vitit 1913, qeveria e Mbretërisë Serbe, përmes një qarkore njoftonte përfaqësuesit e saj diplomatik të akredituar në vendet e Fuqive të Mëdha, në të cilën thuhej: “Serbia ka filluar të tërhiqet nga Shqipëria, me qëllim të pengimit sa më të lehtë të sulmeve arnaute në territorin tonë. Mirëpo, në kufi ndodhën çrregullime dhe arnautët filluan të sulmojnë në masë trupat tona dhe, nga raportet që i posedojmë, përgatitet një sulm serioz dhe i organizuar. Prandaj vendosëm t’ua ndalojmë arnautëve nga Shqipëria çfarëdolloj qasjeje në tregjet tona, përderisa nuk kthehet gjendja normale…”
Një vendim i tillë revoltoi tejmase popullsinë lokale, e cila së shpejti kaloi në një kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesit serb. Zyrtarët politik e ushtarak serbë nga Shkupi, Manastiri, Ohri, Prizreni, raportonin për një lëvizje të madhe që dukej në horizont. Shtytje të madhe lëvizjes i jepnin shqiptarët në krye me Isa Boletinin, Elez Isufin, Bajram Currin etj. Kryengritja filloi natën e 18/19 shtatorit 1913 në rrethin e Peshkopisë. Kryeshefi i qarkut të Dibrës, përmes telegrameve të 7 (20) dhe 8 (21) shtatorit, njoftonte se “rreth Peshkopisë po zhvillohen luftime me shqiptarët”. Më 9 (22) shtator Ministria e Punëve të Brendshme e Mbretërisë Serbe njoftonte se “shqiptarët janë 10 kilometra në afërsi të Dibrës”, ndërsa “Peshkopia dhe Zhirovnica janë marrë”. Po këtë ditë qeveria serbe i porositi përfaqësuesit e saj diplomatikë që t’i njoftojnë Fuqitë e Mëdha se shqiptarët kanë sulmuar në mbarë brezin kufitar “menjëherë pas tërheqjeve të trupave tona nga pikat strategjike, që ishim të detyruar t’i lëshojmë pas kërkesës së Fuqive të Mëdha”
Ndër krerët më të dalluar që i prinë kësaj ngjarjeje me rëndësi historike duhet veçuar: Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, Elez Isufin, Mehmet Pashë Derallën, Sefedin Pustinën, Shaqir Jegenin etj. Është e rëndësishme të thuhet se kryengritësve shqiptar do t’iu bashkëngjiten edhe disa krerë të shquar të organizatës maqedonase VMRO, si Millan Matev, Petar Çaulev, Stefan Hoxhov etj. Lidhur me inkuadrimin e këtyre personaliteteve në organizimin e kryengritjes, në një dokument serb, veç tjerash, thuhej: “nga 17 shtatori në Elbasan qëndrojnë vojvodët bullgarë Millan Matov dhe Stefan Hoxhov së bashku me tre oficerë dhe një numër të madh të çetnikëve bullgarë, se Petar Çaulevi në marrëveshje me Dervish Himën përgatitën çetën prej 300 vetash dhe po presin ardhjen e Pop Hristovit me çetnikët e rinj nga Bullgaria…”.
Gjithnjë duke iu referuar burimeve diplomatike e ushtarake serbe, kuptojmë se kryengritja e Shtatorit fillimisht shpërtheu në Dibër, që më pas e njëjta të zgjerohet në mbarë brezin kufitar, nga bashkimi i dy Drinave e deri në Ohër, përkatësisht në relacionin Prizren-Dibër-Ohër. Ndër shkaqet përse kryengritja së pari filloi në Dibër e jo edhe në Prizren, sipas kryeshefit serb të këtij qarku, ishin mosmarrëveshjet midis Riza Beut dhe Isa Boletinit, në njërën anë, të cilët ishin të mendimit që “t’i sulmojnë trupat kufitare” serbe dhe “t’i dëbojnë përtej Drinit të Bardhë” dhe Bajram Currit, në anën tjetër, i cili siç vihet në pah “ishte kundër këtij sulmi”. Më 20/21 shtator rreth 6.000 kryengritës kaluan Drinin e Zi dhe u futën në qarkun e Dibrës. Kryengritësit fillimisht çliruan Peshkopinë dhe, më pas, edhe Dibrën dhe Zhirovnicën. Në ballë të kryengritësve, siç thuhej në raportet ushtarake serbe, qëndronin dy ushtarakët e mirënjohur shqiptar Isa Boletini dhe Elez Isufi.
Për marrjen e Dibrës nga ana e kryengritësve shqiptarë Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Serbe, përmes një qarkore, njoftonte të akredituarit e saj në botën e jashtme, në të cilën thuhej: “Të nxitur nga agjitatorët nga Vlora dhe Elbasani nën udhëheqjen e një anëtari të Qeverisë së Vlorës dhe disa oficerëve dhe çetnikëve të huaj, rreth 10 mijë shqiptarë ditëve të fundit kanë sulmuar territorin serb. Shqiptarët janë futur në qytetin e Dibrës, të cilin e kanë mbrojtur vetëm dy çeta serbe…” Më tej në të thuhej se për shkak “të mbrojtjes së territoreve dhe të krenarisë së saj” qeveria mbretërore është e detyruar të mobilizojë një pjesë të ushtrisë së saj, të cilës “do t’i jepet për detyrë t’i shpartallojë sulmet dhe ta sigurojë rendin dhe qetësinë në kufij”. Me një retorikë të ngjashme do të shprehet edhe Nikolla Pashiqi, i cili për sulmin e shqiptarëve e fajësoi qeverinë e Vlorës, që sipas tij “lejoi formimin e grupeve të fuqishme” të armatosura shqiptare, të cilat “lirisht mund ta merrnin atë që u nevojitej, si dhe armatim modern që qe blerë ose marrë me qëllim të marrjes së qyteteve të cilët në Konferencën e Londrës nuk iu dhanë Shqipërisë”
Edhe gazeta opozitare serbe “Radniçke Novine” në shkrimin me titull “Lufta e Tretë Ballkanike”, botuar më 12 (25 shtator) shkruante: “Më 8 (21) shtator shqiptarët në numër prej 6.000 kryengritës kaluan Drinin e Zi dhe u futën në qarkun e Dibrës. Fillimisht morën qytetin e Peshkopisë dhe, më pas, u futën edhe në Dibër. Nga Dibra kolona shqiptare u nda në dy pjesë: njëra është nisur kah Struga, Ohri dhe Manastiri, ndërsa tjetra kah Kërçova, Gostivari, Tetova dhe Shkupi. Luftimet janë shumë të përgjakshme. Shqiptarët tashmë kanë arritur në territorin ndërmjet Resnjës dhe Manastirit, prandaj nuk përjashtohet mundësia që të futen edhe në Manastir.”.
Më 24 shtator inspektori i policisë serbe nga Shkupi njoftonte se shqiptarët janë nisur në dy drejtime: një kolonë nga Elbasani për Ohër, ndërsa e dyta nga Dibra për Strugë dhe se shqiptarët e kanë marrë Mavrovën. Ndërsa më 26 shtator autoritetet policore serbe nga Ohri njoftuan se shqiptarët nga Qafë Thana janë nisur për Strugë dhe Ohër, ndërsa grupi i dytë nga Elbasani për Pogradec. “Me shqiptarët nga Elbasani” thuhej në njoftim: “Shkojnë vojvodët bullgarë me çetnikët me qëllim që të nxisin revoltë te shtetasit tanë kundër nesh dhe t’i detyrojnë të kërkojnë autonomi së bashku me shqiptarët.”. Po këtë ditë kryeshefi i rrethit të Prespës informonte se çetat shqiptare i udhëheqin Petar Çaulev dhe Kërste Trajçev me çetnikët e tyre. Edhe kryeshefi i qarkut të Prizrenit bënte me dije se shqiptarët nga Shqipëria kanë filluar të kalojnë nga ana e majtë e Drinit të Zi në krahinën e Lumës dhe të grumbullohen në masa më të mëdha te fshati Ratkajë. Plani i tyre është të përqendrohen për ta sulmuar Prizrenin.”
Katër ditë pasi u çliruar Dibra, Millan Matovi së bashku me katër shokët e tij arriti në këtë qytet për të arritur një marrëveshje me parinë dibrane, të cilës i prinin Sefedin Pustina, Shaqir Jegeni etj. Sipas një dokumenti serb, kjo marrëveshje përfshinte katër pika, si:
- Krijimi i komiteteve të përbashkëta, të cilët në harmoni do të veprojnë për çlirimin e viseve të pushtuara nga Serbia;
- Të zhvillojnë agjitacion të përbashkët brenda territoreve të pushtuara;
- Të bëjnë organizimin e përbashkët të popullsisë shqiptare e maqedonase, t’i armatosin dhe në momentin e dhënë t’i sulmojnë trupat ushtarake serbe, dhe
- Përmes kryengritjes së përgjithshme t’i çlirojnë ato vise, e më pas ta ftojnë Evropën që të ndërhyjë në favorin e tyre.
Këto ngjarje tronditën thellë autoritetet e atëhershme pushtuese të Beogradit, të cilat e fajësuan faktorin ndërkombëtar, sidomos Austro-Hungarinë dhe Turqinë, se gjoja kjo kryengritje e shqiptarëve është përgatitur me mbështetjen e tyre. Lidhur me këtë, Nikolla Pashiqi i porosiste përfaqësuesit diplomatikë serbë që të reagojnë te qeveritë e Fuqive të Mëdha se “në Ballkan kemi një dukuri të aventurës, qoftë nga Turqia apo nga cilido të qenët e saj lidhur me ngjarjet e tanishme në kufirin serb-shqiptar” dhe se “sulmi shqiptar në territorin tonë është organizuar nga Shqipëria”
Në qarkoren që Spalajkoviqi më 28 shtator ua dërgoi të akredituarve serbë në botën e jashtme vihej në dukje se: “…sulmi i shqiptarëve në kufirin e Serbisë dhe sulmi i tyre brenda territorit serb në mënyrë sistematike është përgatitur shumë më herët” dhe se i njëjti: “është organizuar nga Vlora nën drejtimin e drejtpërdrejtë të dy anëtarëve të Qeverisë së përkohshme, ministrit Hasan Prishtina dhe Isa Buletinit…”. Më tej në të thuhej se: “Shqiptarët në tre muajt e fundit kanë arritur të furnizohen me një sasi të madhe të armatimit dhe municionit, se bëhet fjalë për kryengritje të shqiptarëve brenda territorit të Serbisë, se atyre armatimi iu ka ardhur nga jashtë dhe se mu për këtë arsye “shqiptarët nga Shqipëria angazhoheshin që sa më parë t’u mundësohet hyrja e lirë në Serbi me pretekst që të kenë qasje të lirë në tregjet e Dibrës e të Gjakovës”, se “Qeveria e Serbisë që nga 28 korriku ua ka tërhequr vërejtjen Fuqive të Mëdha për propagandën e ndryshme që shpërndahet në Vlorë, ku në atë kohë qëndronte revolucionari i mirënjohur bullgar Sandanski, i cili zhvilloi negociata me qeverinë e përkohshme të Shqipërisë për organizimin dhe armatosjen e çetave kundër Serbisë dhe zgjerimin e kufijve të Shqipërisë.”, se më 15 gusht “Bajram Curri, Isa Boletini dhe Riza Beu udhëtuan për Vlorë me ftesë të qeverisë së atjeshme për shkak aksioneve të mëtejshme …etj”.
Menjëherë pas sulmit të befasishëm në Dibër dhe, më pas, edhe në Strugë, Ohër, Prizren, Gjakovë dhe në qendra tjera, qeveria serbe vendosi të mobilizojë divizionin e Moravës, përkatësisht njësitë e saja të këmbësorisë I, II, III dhe XIV. “Radniçke Novine”, në shkrimin e sipërpërmendur, vinte në dukje se nga sulmi i shqiptarëve te “qarqet qeveritare dhe ato ushtarake mbisundon një hidhërim i madh” dhe se ato “janë të vendosura që shqiptarëve t’u hakmerren në mënyrë të paskrupullt. Njësiti shqiptar për detyrë do të ketë jo vetëm t’i ndërpres sulmuesit, por edhe t’i dënojë”.
Më 29-30 shtator 1913 filloi kundërofensiva e ushtrisë dhe e çetave çetnike serbe. Në luftimet disaditore ushtria serbe, e pajisur me armatim bashkëkohor, arriti t’i thyejë forcat kryengritëse fillimisht në frontin e Strugës, Ohrit e Dibrës, e më pas edhe të Prizrenit e Gjakovës. Më 2 tetor kryeshefi serb i qarkut të Prizrenit e njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme në Beograd për luftimet e ashpra të zhvilluara një ditë më parë midis forcave serbe dhe atyre shqiptare në Opojë të Prizrenit. Një ditë më pas inspektorati i policisë së Shkupit njoftonte se ushtria serbe është futur në Pogradec dhe se “i tërë qarku i Manastirit është pastruar nga arnautët dhe çetnikët bullgarë”.
Gjithnjë duke iu referuar burimeve serbe, kryengritësit, në pamundësi që t’iu bëjnë ballë forcave të shumta pushtuese serbe, në pjesën e parë të tetorit qenë detyruar të tërhiqen. Tërheqja e tyre u bë në dy drejtime, një pjesë kah Topojani, ndërsa pjesa tjetër kah Bulqiza. Është e rëndësishme të thuhet se forcat ushtarake serbe në shenjë hakmarrjeje vranë dhe masakruan një numër të madh të popullsisë civile. Kështu vetëm në vendin e quajtur “Dudllëk”, në afërsi të Gostivarit, janë varrosur në një gropë qindra shqiptarë të vrarë e të masakruar. Vrasjet e popullsisë civile dhe djegiet e vendbanimeve të tëra ishin të panumërta. Këtu po i referohem raportit të Komandës së Divizionit të Moravës, dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtarak Serb më 8 tetor, ku veç tjerash thuhej: “Më 7 tetor në ora 09:55 para dite filloi sulmi në frontin e gjerë, kështu që krahas eliminimit të kryengritësve eliminuam edhe fshatrat. Veprimit të këmbësorisë i parapriu sulmi i artilerisë, që filloi së pari me gjuajtje ndaj kryengritëse, e më pas kaloi në rrënimin e shtëpive, që u krye me shumë sukses. Njësitë, pasi depërtuan në pozitën në veri të fshatit Tërbaç, u ndalën në atë pozicion dhe filluan me vrasje masive”.
Trupat serbe, me pretekst e ndjekjes së kryengritësve, sërish depërtuan brenda kufirit të shtetit shqiptar, duke i zënë përsëri “pikat strategjike”. Komandanti i Divizionit të Moravës më 8 tetor i shkruante një raport të detajuar ministrit të Luftës, ku e njoftonte për zhvillimet luftarake në mbarë brezin kufitar, si dhe për marrjen e sërishme të “pikave strategjike” brenda kufirit të Shqipërisë. Sipas tij, këto pika “detyrimisht” duhej të ngeleshin si linja kufitare të Serbisë “nëse dëshirohet të garantohet siguria në viset kufitare me Shqipërinë dhe shqiptarët”. Më tej ai e njoftonte ministrin për një ekspeditë deri në Elbasan dhe Mat, me qëllim – siç pohon ai – “dënimin e shqiptarëve të cilët kanë kaluar në territorin tonë”. “Mirëpo, kjo ekspeditë”, thuhet më tej në raport, “nuk do të zgjaste shumë, sepse menjëherë do të ktheheshim prapa, nëse nuk do të kishim mundësi që ato vise t’i ruanim për ne”.
Për rimarrjen e pikave strategjike, nga ana e ushtrisë serbe njoftohemi edhe nga telegrami i Nikolla Pashiqit, dërguar legatës serbe në Londër, ku thuhej: “Ushtria e Mbretërisë së Serbisë pasi i dëboi grupet armiqësore shqiptare nga territori serb dhe i mori pozitat strategjike më se të nevojshme, nga ku më lehtë mund të përmbyset sulmi i serishëm eventual i shqiptarëve në tokat serbe, mori urdhëresë të ndalet dhe të mos vazhdojë më tej në Shqipëri. Në ato pozita do të ngelë përkohësisht përderisa nuk merret garanci përfundimtare për paqen e mëtejshme të kufijve.”
Ndaj përpjekjeve të qeverisë serbe për një revizion të kufirit shqiptar-serb, që në fakt nënkuptonte marrjen e territoreve të reja shqiptare nga ana e Mbretërisë Serbe, reagoi qeveria austro-hungareze, e cila përmes ambasadorit të saj në Londër, bëri me dije se: “Austro-Hungaria nuk do të lejojë kurrfarë ndryshimi të kufijve midis Shqipërisë dhe Serbisë”.
Duke e pasur parasysh faktin se qeveria serbe nuk i tërhiqte trupat e veta ushtarake nga territori shqiptar, qeveria austro-hungareze, fillimisht, përmes përfaqësuesit të vet të akredituar në Beograd, gojarisht ia tërhoqi vërejtjen qeverisë serbe “për pasojat shumë serioze nga aksioni luftarak kundër Shqipërisë, me të cilën do të shkeleshin vendimet e Konferencës së Londrës dhe se në atë rast Serbia do të sillej në mënyrë kontradiktore ndaj vendimeve të kësaj Konference.”. Meqenëse një paralajmërim i tillë nuk u mor parasysh nga autoritetet e Beogradit, pasoi ultimatumi i qeverisë austro-hungareze, e cila kërkoi që “brenda tetë ditësh trupat serbe të kthehen në kufijtë e përcaktuar në Londër”, andaj ushtria serbe u detyrua të tërhiqet nga territori i shtetit shqiptar. Kryeministri Nikolla Pashiq, në ekspozenë e sipërpërmendur, pasi e shprehu pakënaqësinë e tij ndaj këtij ultimatumi, shtoi: “Mundemi vetëm ta shprehim keqardhjen tonë të thellë që, përkundër dëshirës sonë për kthimin e besimit dhe të marrëdhënieve të mira midis Serbisë dhe Austro-Hungarisë, gjatë tërë kohës ndodhin incidente të pasqaruara, që i përkeqësojnë marrëdhëniet dhe i pengojnë qëllimet të cilat shkojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes së volitshme për çështjet që janë në favor të dy shteteve.”.
Pas vendimit për tërheqjen e trupave serbe nga territori i Shqipërisë, me urdhëresën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Divizioni i Moravës ndërmori një aksion të gjerë për çarmatosjen e popullsisë së rretheve të Dibrës, Gostivarit, Tetovës, Kërçovës, Strugës, Ohrit, Prespës dhe Manastirit. Gjatë kësaj fushate mijëra banorë qenë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në Shqipëri ose në shtetet e tjera të Ballkanit e të Evropës.