Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë vendosur nga GJKKO për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Mësohet se në vendimin e sotëm, Gjykata e Lartë bën me dije se ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të dhënë më 19 nëntor të vitit të kaluar. Masa u rrëzua edhe për Monika Kryemadhi, e cila kishte depozituar rekurs me argumentin se masa “detyrim paraqitjeje” është e paligjshme. Ndaj saj rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mos deklarim pasurish. Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre. Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në Amerikë dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në KQZ.
