Emin Bajrami, nga Ferizaj, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar në pikën kufitare të Bllacës nga autoritetet maqedonase, bazuar në një fletë-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Arrestimi është bërë, më 15 shkurt, por ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar mbi fatin e tij, nëse do të ekstradohet apo do të lirohet. As Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe as Ambasada e vendit tonë, në Shkup nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje zyrtare për këtë çështje. Rasti i Emin Bajramit është një ndër disa arrestime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në bazë të urdhër-arresteve të lëshuara nga Beogradi. Në raste të ngjashme, dy të akuzuar të tjerë, Nezir Mehmetaj dhe Tefik Mustafa, ndodhen ende në paraburgim në Serbi, ndërsa Nezir Mehmetaj është dënuar me gjashtë vjet burg për krime lufte.
