Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, u mbajt seanca gjyqësore kundër Slavisha Filiqit, i cili akuzohet në mungesë për krime lufte kundër popullsisë civile. Para trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani, dëshmuan Hetem Sinani dhe Fisnik Thaqi, të cilët ndanë detaje mbi rrëmbimin e dr. Hafir Shalës më 10 prill 1998. Sinani tregoi se po udhëtonte me dr. Hafir Shalën dhe Shaban Nezirin nga Drenasi për në Prishtinë, kur u ndaluan nga tre persona në veshje civile. Dr. Shala u nxor me forcë nga makina dhe u fut në një xhip të zi. Pas ndalimit, Sinani dhe Neziri u dërguan në stacionin e policisë në Prishtinë, por nuk morën asnjë informacion për fatin e doktor Shalës. Sinani theksoi se rrëmbimi ishte një pritë e planifikuar dhe se në atë kohë askush nga autoritetet nuk ndërmori veprime për të hetuar rastin. Fisnik Thaqi, pretendon se ka marrë informata se Slavisha Filiq, pjesëtar i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë, ishte i përfshirë në rrëmbim. dr. Hafir Shala u dërgua në ndërtesën e Sigurimit të Shtetit në Prishtinë, ku u rrah dhe u torturua. Prej asaj dite, fati dhe fundi i jetës së tij mbeten të panjohura.
