leoni

Agron Xhemajli: BESIM AHMETI – BESIM PËR FITORET!

Përmes këtij shkrimi të shkurtër biografik, e kujtojmë Besimin e paharruar, në katër vjetorin e ndarjes nga jeta.

Një njeri që tërë jetën ishte në shërbim të Atdheut. Besimi reflektonte besim kudo ku ishte i pranishëm, mu ashtu siç ia kishin vu emrin.

Besimi u lind në vitin 1970 në fshatin Banullë të Lipjanit. Baba i tij Hamiti një punëtor i zellshëm zbriti nga malësia e Zhegocit, fshati Verbicë, në rrafshin e Kosovës, në vitet e 60-ta. Ai me bashkëshorten e tij Latifen krijuan famlje të madhe me gjashtë fëmijë, nga ta tre djem dhe tri vajza.

Fëmijë shumë, punëtorë mjaftë, e ushtarë për atdheun, thuhej nëpër oda, në mendimet e mençura filozofike të pleqve të urtë! Kështu ishte familja e Besim Ahmetit.

Viti 1968 ishte fillimi i shprehjes së hapur të kundërshtimit të robërisë jugosllave e cila nuk pushoi ndër vite, deri në Luftën Çlirimtare. Në të gjitha fazat e kësaj lufte për liri, njerëzit e familjes së Besimit ishin të përfshirë. Më vonë kur ishte i rritur, edhe ai vet.

Babi i Besimit, Hamiti kishte emigruar jashtë vendit për bukën e gojës, sepse regjimi okupator ndëshkonte njerëzit që e kundërshtonin edhe me papunësi.

Hamiti, siç kishte treguar vet, ishte njohur në mërgim me njerëzit e rezistencës kombëtare.

Nga ndikimi i kohës, shtypjes së okupatorit por edhe nga ndikimi i babait Hamitit, fëmijët e tij, edhe Besim Ahmeti ishin përfshi në demonstratat e vitit 1981. Vëllai i madh, Bislimi arrestohet nga okupatori si organizator i demonstratave. Kërkesat e këtyre demonstratave paqësore u shtypën me gjak e hekur nga okupatori, por puna nuk u ndal. Përveç Republikës së Shqipërisë që i përkrahu me qëndrim shtetëror, ndonjë shtet tjetër nuk e bëri këtë, përveç individë, e gazetar apo humanist të drejtave të njeriut nëpër Evropë! Pas këtij arrestimi, familja e Hamitit do të jetë në shënjestër të pushtuesit. Ajo nuk do të lihet e qetë, por as nuk do të mund të ndalet në rrugën e saj patriotike.

Edhe në ngjarjet e bujshme të vitit 1989, Besimi do të jap kontributin e vet. Këto ngjarje e ringritën moralin pas shtypjes së vitit 1981, e kthyen besimin për vazhdimësinë.

Në këtë kohë, Besim Ahmeti është i pjekur me moshë dhe me bindje politike, dhe ishte njëri prej organizatorëve të këtyre demonstratave në Lipjan me rrethinë. Besimi kontribuoi që pakënaqësia dhe revolta të shprehet duke i nxjerrë njerëzit në rrugë.

Besimi i takonte bindjeve politike se okupatori nuk largohet pa e detyruar. Rrjedhimisht Besimi po punonte në këtë drejtim, përgatitje e lidhje me shokë e organizma që të vie deri te koha kur armikut do t’ia kthente hapur pushkën.

Koha e pushkës erdhi dhe thirrjes e nevojës së atdheut Besimi iu përgjigj menjëherë. Nga mërgimi ku ishte për një kohë të shkurtër, u kthye në Shqipëri e nga andej në frontin e Pashtrikut. Në njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën e Pashtrikut, më saktë në Luftën e Pashtrikut luftoi Besimi deri në përfundim të luftës.

Pas përfundimit të luftës, si shumë tjerë Besimi e kuptonte se Kosova nuk e arriti plotësisht qëllimin pasi që ende nuk e kishim organizimin shtetëror. Andaj menjëherë angazhohet edhe politikisht që gjendja të ndryshoj në këtë favor. Shokët që e kanë njohur Besimin, e dinë se ishte punëtor dhe organizator i madh e i vendosur. Besimi ishte në dijeni të plotë të situatës, pa ndërprerë ishte në korrent me njerëzit në terren. Qëndrimi i tij në shikim të parë ishte i heshtur e fjalë pak, por në diskutime Besimi nuk hezitonte as ngurronte të fliste dhe aq më pak të demaskonte të metat në rrugën që kishim përpara.

Jeta familjare e Besimit ishte me plot vuajtje ekonomike, e të kushteve elementare. Kur hyje në shtëpinë e tij e kuptoje këtë, por asnjë herë nuk e dëgjoje të ankohej.

Në shumë diskutime të tij, ka qenë i preokupuar thellë për gjendjen ne veri të Mitrovicës, sidomos për lëshimet që i bëheshin Serbisë në atë pjesë të atdheut tonë me thesare të pafundme minerare, e ekonomike.“Me asnjë çmim nuk duhet ta lëshojmë atë pjesë“, thoshte Besimi.

Në të gjitha protestat e pas luftës që bëheshin për përmirësimin e pozitës së Kosovës, ai organizonte njerëzit dhe rrethin e tij. Deri në shpalljen e pavarësisë, ishte shumë aktiv. Besimi për kontributin e tij asnjëherë nuk priste shpërblim nga shoqëria. Edhe pse ajo e la në gjendje të rënë ekonomike, përkundrazi Besi nuk shfaqte asnjë pendesë për atë që kishte sakrifikuar për lirinë e atdheut, duke qëndruar si një patriot i vërtete, në këmbë dhe me dinjitet të lartë njerëzor.

Deri në ditën e fundit të jetës së tij, jetoi i thjeshtë dhe modest. Mbase kur prindërit ia kishin vënë emrin Besim, sikur edhe i kishin dhënë mision të shpërndaj besim tek njerëzit. Dhe vertëtë i tillë ishte Besim Ahmeti – besim për fitore!

Më 3 mars të vitit 2021, sëmundja e befasishme na e mori Besimin tonë të çmuar, shumë të nevojshëm për shtetin e lirinë e plotë kombëtare, bashkimin me Shqipërinë të cilën e kishte ideal. Pas vetes la familjen e tij të çmuar, bashkëshorten Linditën, e cila është bija e patriotit të madh Sabit Rakës veprimtar i shquar kombëtar nga Kaçaniku, me tërë familjen pjesë e luftës çlirimtare, bija e të cilit Jehona Raka ra dëshmore me kusherirën e saj Lumnijen.

Besimi e Lendita kanë tre fëmijë: Idealin, Liridonën dhe Arbërin, të cilët po shkollohen, punojnë dhe kanë filluar të krijojnë familjet e tyre, dhe janë krenarë me veprimtarinë kombëtare të babit të tyre.

Agron Xhemajli, 3 mars 2025

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Amaneti i Sylejman Vokshit!

–         “ Edhe tri jetë po t’i kisha, të tria do t’i falja për Shqipërinë!”… Janë …