Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka konfirmuar për mediet se në hapjen e takimit të sotëm në Paris, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë vendosi të heqë nga rendi kërkesën e Kuvendit të Kosovës për marrjen e statusit special. “Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të APKE-së vendosi të heqë nga rendi i ditës pikën 5: “Kërkesa për status të mysafirit special nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigje. Më herët, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, që është pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës pranë Këshillit të Europës, ka thënë se sot në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci me kërkesë të kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kërkesës së Kosovës për marrjen e statusit të mysafirit special në KiE. Ariana Musli-Shoshi tha për Gazetën Express se kërkesa e Kosovës mund të hyjë sërish në rend ditë në prill. Statusi i mysafirit special mund t’i jepet shteteve europiane që s’janë anëtare të organizatës dhe kërkesa e shtetit për t’u bërë mysafir special i drejtohet Kryetarit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetari i parlamentit përkatës, në këtë rast të Kosovës.
