Më 5 mars 2025, në orën 21:00, ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ky proces, që pritej të përfundonte deri në orën 19:00, u vonua për dy orë për shkak të problemeve me një kuti votimi. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, njoftoi se është përmbyllur numërimi i mbi 15,500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe ai i personave me nevoja të veçanta, që ishin fletëvotimet e fundit të këtij procesi zgjedhor. Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja është e obliguar të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare, për të mundësuar paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Afati për dorëzimin e ankesave llogaritet nga ora 21:00 e datës 5 mars 2025.
