Ahmet Qeriqi u lind në Krojmir të Drenicës jugore, më 24.12.1946 ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën tetëvjeçare, paralel me kolegjin fetar islam, i kreu në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Ka vazhduar mësimet në Medresenë e mesme deri në dhjetor të vitit të tretë, kur më 6 nëntor të vitit 1965, u arrestua dhe u dënua dy muaj burg për vepër penale, propagandë armiqësore, së bashku me medresistët, Riza Gjoka nga Anamali dhe Shemadin Akiti nga Zajazi i Kërçovës. Për këtë shkak Drejtoria e Medresesë e përjashtoi nga shkolla, pa të drejtë regjistrimi në shkollat fetare të ngjashme në RSFJ. Dënimin e ka mbajtur në Burgun e Prishtinës në muajt nëntor dhjetor 1966. Gjatë viteve 1967-1969 ka kryer shërbimin ushtarak ne Krizhevci të Kroacisë.
Pasi ka kryer me sukses provimet pranuese në vitin shkollor 1969-1970 është regjistruar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Dega, Gjuhë me Letërsi Shqipe, të cilin e ka kryer me sukses në vitin 1973.
Në vitin 1971 është martuar me Zymryte Vehbi Shamollin nga Shala, (Ish-Sedllar). Ka katër bija dhe dy bij: Antigonën, Arbanën, Labërien, Rrezartën, Epirin dhe Zamirin. Është gjysh i njëmbëdhjetë nipave e mbesave.
Prej vitit 1973 e deri në vitin 1978 ka punuar profesor i gjuhës shqipe dhe latine në Gjimnazin e Ferizajt dhe të Vitisë. Prej vitit 1978 e deri në mars të vitit 1981 ka punuar në Akademinë Pedagogjike dhe në Shkollën Teknike të Prishtinës. Ka kryer edhe studimet e shkallës së Tretë, në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Prishtinë.
Më 1 dhe dy maj të vitit 1975, ishte në Bullgari, së bashku me, Sytki Selmanin nga Shkupi dhe Muharrem Bajraktarin nga Ferizaj. Atje ishte furnizuar me “literaturë të ndaluar” në ambasadën e Shqipërisë, në Sofje. Në mbrëmjen e 3 majit, në përpjekje për ta dërguar literaturën e fshehtë në Krojmir, në dalje të Shtimes, në orët e mbrëmjes, policia vendore e stopon, por ai nuk ndalon dhe pas tri orë ndjekje nga veturat e policisë së Shtimes e të Therandës, literaturën e ndaluar e fsheh në varrezat e fshati Bllacë. Gjatë kthimit bie në pritë të policisë, rrahet brutalisht nga Hasim Milici, polic në Shtime dy policë nga Theranda-ish Suharekë dhe nga komandanti serb i Stacionit të policisë në Shtime, Gjorka”. Dënohet dy muaj burg për armëmbajtje pa leje dhe hapet hetimi për vepër penale “pengim në detyrë i personit zyrtar”. Me ndihmën juridike, që i kishte ofruar ish shoku i tij i Medresesë, asokohe kryetar i Gjyqit komunal të Ferizaj, Rifat Abdullahu, lirohet nga ndjekja penale, “pengim në detyrë i personit zyrtar”. Burgun për kundërvajtje e ka mbajtur në Ferizaj në tetor- nëntor të vitit 1975.
Në vitin 1977 ka regjistruar shkallën e tretë studimeve në “Letërsi shqipe”ku ka kryer edhe provimet në vitin 1979.
Në tetor të vitit 1979, pas bastisjes që i bënë në shtëpinë e tij në Shtime, inspektori i UDB-së, Adem Goga (Ibrahimi) Muharrem Gagica, komandant i Policisë së Ferizajt dhe policët e stacionit të Shtimes i zbulojnë dy fletore me shkrime e poezi. Për shkak të përmbajtjes kombëtare të shkrimeve, të cilësuara si shkrime anti-jugosllave, në nëntor të pa atij viti hapet procedura për, “Propagandë armiqësore”, sanksionuar nga neni 133 i LPJ-së” dhe fillimisht dënohet gjashtë muaj burg. Pas ankesës së prokurorit, Reshat Millaku, i shqiptohet dënimi përfundimtar 1 vit e gjashtë muaj.
Me veprimtari ilegale është marrë prej vitit 1964, së bashku me Feti Mehdiun, për mes së cilit është vënë në kontakt me Sabri Nososellën, anëtar i LRBSH-së. Ka mbajtur kontakte ilegaliteti me medresistët: Riza Gjoka, Shemadin Akti, Hasan Ballovci, Mehmet Gashi. Po ashtu ka bashkëvepruar edhe me Imer Hysiqin dhe Jakup Nuhi Hysiqin nga Shtimja dhe Bajram Sadikun nga Reçaku. Imeri dhe Bajrami në nëntor të vitit 1965 kishin ikur nga Kosova për në Shqipëri.
Në vitin 1976 ka formuar Organizatën për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, në Shkup, së bashku me Muhamet Ademin, Beqë Dervenin dhe Sytki Selmanin, të tre nga Shkupi dhe krahina e Dervenit.
Ka bashkëvepruar ilegalisht edhe me Zenun Gjocin, nga Rashiqi, Imer Halilin nga Prekazi i Epërm, Bajram Qerimin nga Tërpeza e Vitisë, profesor në Ferizaj, ( i vrarë në rrethana misterioze, në vitin 1978), Agim Ollurin, pedagog në Ferizaj, Agim Fejzullahun, po ashtu pedagog, ( vrarë mizorisht në Shtime në vitin 1976), Shaban Krasniqin nga Karaçica, Sheqir Zenelin, profesor nga Prishtina, kushëririn, Sylë Qeriqin e Elez Durmishin nga Krojmiri e të tjerë.
Në vitin 1981 ka marrë pjesë aktive në demonstratat e rinisë studentore së bashku me nxënësit e shkollës teknike ku ka punuar. Ka mbajtur lidhje veprimtarie ilegale me nxënësit e Akademisë Pedagogjike dhe të Shkollës teknike, në Prishtinë: Fatmir Graiçevci nga Hadja, Lutfi Maqedoni nga Prishtina, Naser Hajrizi, dhe Asllan Pireva, po ashtu nga Prishtina, të dy të martirizuar nga Milicia e RSFJ-së më 2 prill 1981. Ka mbajtur kontakte ilegaliteti edhe me nxënësit: Ilaz Zhitia, Naim Mahmudi, Rrahim Rama e të tjerë, më vonë të gjithë të dënuar me burg të rëndë për organizim dhe pjesëmarrje në demonstratat e marsit e prillit të vitit 1981.
Së bashku me 24 të arrestuar, në shkurt të vitit 1983 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dënohet tetë vjet burg për vepër penale “propagandë armiqësore” nga nenet: 133 dhe 134 të LPJ dhe pesë vjet mos ushtrim të detyrës së mësimdhënësit, pas daljes nga burgu.
Burgun e ka mbajtur në Prishtinë, Gjurakoc, Smrekovnicë, Suboticë dhe në Novi Sad.
Gjatë hetimeve dhe nëpër burgje është torturuar nga inspektorët e UDB-së, Mehmet Maliqi, Lutfi Ajazi, Bashkim Kursani, Ibush Kllokoqi, hetuesi, që paraqitej si Ramçe nga Prizreni, polici serb Miça, polici rusin, i mbiquajtur “Grozni” në Novi Sad.
Prej vitit 1988 e deri në tetor të vitit 1997 për ta mbajtur familjen punoi në zdrukthëtari, bujqësi dhe ndërtimtari.
Prej vitit 1990 ka mbajtur kontakte ilegaliteti me Azem Sylën, Sheqir Zenelin, Kadrie Gashin, Reshat Gashin, Ismet Shamollin, Imer Halilin, Zenun Gjocin, Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Nezir Myrtajn, Ruzhdi Jasharin, Jetë Hasanin, Muhamet Malësorin dy të fundit dëshmor të UÇK-së e shumë të tjerë.
Ka marrë pjesë aktive në organizimin e luftës së UÇK-së prej vitit 1997, fillimisht në pikën e Krojmirit, së bashku me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Heset Ollurin, Halil Ollurin, Sejdi Elezin, Vehbi Qeriqin, Naim Rizanin, Mehdi Qeriqin e të tjerë.
Prej nëntorit të vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999 ka qenë përgjegjës dhe gazetar i Radios-Kosova e Lirë, e cila ka transmetuar program në Malet e Berishës, në Drenicë.
Prej korrikut të vitit 1999, ka drejtuar Radion-Kosova e Lirë, në Prishtinë.
Ahmet Qeriqi, vdiq me 7 mars 2025.