Elez Durmishi: Sot i dhamë lamtumirën e fundit luftëtarit të lirisë dhe veprimtarit të qështjes kombëtare Ahmet Qeriqi!

Sot i dhamë lamtumirën e fundit luftëtarit të lirisë dhe veprimtarit të qështjes kombëtare Ahmet Qeriqi!
Të nderuar Veteran dhe Invalid të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familje të dëshmorëve, miq, kolegë, bashkëveprimtarë, e nderuara familja Qeriqi.
Sot jemi mbledhur këtu me zemra të pikëlluara për t’i dhënë lamtumirën e fundit Ahmet Qeriqit, një njeriut të rrallë, një intelektuali, një ish të burgosuri politik, një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një atdhetari të përkushtuar dhe një zëri të fuqishëm të kombit tonë.
Ahmet Qeriqi ishte një burrë i urtë e vizionarë, një luftëtarë me pushkë e me pendë, një luftëtar i fjalës dhe i së vërtetës. Me penën e tij të mprehtë dhe me përkushtimin e tij të palëkundur, ai i shërbeu atdheut, kulturës dhe çështjes kombëtare me një dashuri të pashoqe deri në ditën kur ndërroj jetë.
Ahmet Qeriqi, ka lindur në Krojmir të Drenicës më 24 dhjetor 1946, ku edhe përfundoi shkollën fillore dhe më pas vijoi studimet në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë më pas përfundoj Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në vitin 1973 dhe Studimet Pas Universitare.
Ahmet Qeriqi ishte aktiv në veprimtari ilegale që nga vitet 1960, duke bashkëpunuar me figura të njohura të kohës, përfshirë formimin e Organizatës për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar.
Pasi u arrestua dhe u dënua në vitin 1965 për propagandë armiqësore, ai prapë u dënua në vitin 1975 dhe në vitin 1980 dhe përfundimisht në vitin 1982 ai u dënua me 8 vite burg, ku gjatë kësaj periudhe u përjashtua nga shkolla dhe kaloi nëpër periudha të vështira, duke qëndruar në arrati përafërsisht 400 ditë.
Ai mori pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe vuajti dënime të shumta për veprimtari politike dhe propagandë armiqësore, duke kaluar një periudhë të gjatë në burgje të ndryshme të Jugosllavisë.
Përveç angazhimeve politike dhe edukative, Ahmet Qeriqi kontribuoi në organizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ku nga Shtabi i Përgjithshëm u caktua përgjegjës i Radio Kosova e Lirë dhe e udhëhoqi me përkushtim pas luftës e deri në ditën e vdekjes së tij.
Ahmet Qeriqi është autor i dhjetëra veprave, qindra analizave, komenteve e shkrime të ndryshme duke lënë pas një trashëgimi të madhe kombëtare, letrare, publicistike e krijuese.
Përmes shkrimeve, analizave dhe kontributit të tij të çmuar në informimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar, ai mbeti gjithmonë një zë i guximshëm, i cili nuk u përkul kurrë para sfidave.
Gjatë gjithë jetës së tij, Ahmeti ishte njeri i sakrificës dhe i përkushtimit. Ai e deshi Kosovën dhe kombin shqiptar me gjithë qenien e tij, duke i shërbyer me ndershmëri dhe dinjitet.
Ai nuk i kurseu asnjëherë përpjekjet e tij për të mbrojtur të vërtetën dhe për të ndriçuar rrugën tonë drejt lirisë e drejtësisë.
Njerëzit e mëdhenj jo rastësisht lidhen me data dhe ngjarje të mëdha që shënon kombi ynë, sot në ditën e Mësuesit, 7 Mars, po na lë mësuesi ynë, ai po na lë pikërisht në natën e zjarreve me 7 Mars, duke na lënë në kujtesë gjithmonë lidhjen shpirtërore që kishte me trimat e Prekazit e me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Si njëri ndër njerëzit më të afërt të tij edhe në momentet kur po luftonte me sëmundjen, edhe kur nuk mundë të fliste më, isha aty, isha aty me ty dhe do të vazhdoj të qëndroj afër idealeve tona dhe kauzës tonë të përbashkët.
Sot, me humbjen e tij, ne kemi humbur një njeri të madh, por trashëgimia e tij do të mbetet e pavdekshme. Ahmet Qeriqi do të jetojë përherë në mendjet dhe zemrat tona, përmes veprës së tij dhe përmes kujtimeve të paharruara që la pas.
Në emër të të gjithë atyre që e respektuan dhe e çmuan, në emër të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë atyre që ndjen dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe.
Lamtumirë, Ahmet Qeriqi! Puna dhe përkushtimi yt do të mbeten përherë një dritë që do të ndriçoj për ne dhe për brezat që vijnë. U prehsh në paqe shoku im!
Lavdi jetës dhe veprës së Ahmet Qeriqit!
Krojmir 07.03.2025

Kontrolloni gjithashtu

Nexhmedin Bashota:  Friksohem se nuk do të kemi më njeri më të kompletuar siç e kishim Bacën Ahmet

 Friksohem se nuk do të kemi njeri më të kompletuar siç e kishim Bacën Ahmet. …