Në ambientet e teatrit të qytetit “ Adriana Abdullahu” në Ferizaj, u mbajt manifestimi qëndror me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit!
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, zyrtarë nga Drejtoria e Arsimit, mësimdhënës të shumtë, nxënës, prindër, drejtues shkollash e shoqatash të ndryshme.
Të pranishmëve në sallë me një fjalë rastu ju është drejtuar drejtori i Drejtorisë së Arsimit Afrim Llabjani. Ai ka thënë se 7 Marsi, përtej një date të prag pranverës, për mbarë kombin shqiptar, përfaqëson historinë, lavdinë e krenarinë kombëtare, themelet e dijes, shkollën e parë shqipe, misionin e profesionin nga më fisnikët, përfaqëson rrezen e dritës që për shekuj pritën shqiptarët, për ta ndriçuar e lartësuar me shkronjat shqipe që rrodhën ndër shekuj, të kaluarën tonë lavdiplote e të ardhmen shpresëdhënëse.
“Në vitin e largët 1887 në Korçë, zuri fill vatra e parë e dijes shqipe. Zuri fill, Mësonjëtorja kombëtare. Përpjekja shekullore e brezave për arsimin e shkronjat shqipe, u skalit nën emrin e veprën emblematike të patriotit shqiptar, Pandeli Sotiri. Emri i tij, vepra e tij, Mësonjëtorja në Korçë, gërshetuar në ditën e 7-të të Marsit, janë të përjetshme, të pavdekshme e do të rrojnë si frymëzim e kujtesë, ndër breza sa të ketë shqiptarë.
7 Marsi – Dita e Mësuesit, në historinë tonë të pak dekadave më parë, ka sfodin e përgjakshëm të përpjekjeve tona për liri. Këto ditë, çdo shqiptarë, anekënd nderon e përkulet para sakrificës sublime të familjes emblematike të lirisë së Kosovës, Familjes Jashari prirë nga Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, duke shënuar Epopenë e lavdishmë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmorët e martirët, të rënët përgjatë historisë, ranë për lirinë e kombit, ranë për shkronjat shqipe, ranë për gjuhën e nënës e të vatrës stërgjyshore, ranë për dijen e arsimin shqip, ranë për t’u përjetësuar me lavdinë e tyre, me veprën krenare që na lanë pas, me frymëzimin që na trashëguan ndër epoka, sot, kur jemi të lirë, flasim, shkruajmë shqip, ndërtojmë e zhvillojmë Republikën, shtetin e mbarë shoqërinë”, ka thënë Llabjani.
Drejtori Llabjani tutje ka thënë se Ferizaj, arsimit shqip i dha ndër breza, mësues e patriotë, dëshmorë e heronj, veprimtarë e studiues, vepra që i rezistuan historisë.
“Jemi krenarë si ferizajas, hisedarë vlerëplotë për arsimin shqip, sot kur përpjekjet tona, obligimi ynë mbi të gjitha qytetar e atdhetar, është që bëjmë edhe më shumë për arsimin, edhe më mirë për brezat e sotëm e ata që do të vijnë pas nesh, për t’i trasuar rrugën e sigurt drejt së ardhmes. Ferizaj sot, ka themelata të shumta arsimore, janë mijëra mësimdhënës që çdo ditë japin më të mirën nga vetja, nga dija që ndajnë për brezat, për ta forcuar e zhvilluar, vendin, Republikën e gjithë shoqërinë tonë.
Falënderim e mirënjohje, veteranëve të arsimit, drejtuesve arsimor, mësimdhënësve në detyrë, personelit arsimor që pa kursim, çdo ditë, jetësojnë ëndrrën e rilindasve, ëndrrën për arsimin shqip, të begatë e prosperues.
Përpjekja jonë institucionale, nuk do të rresht së krijuari kushte më të mira për nxënësit e mësimdhënësit, infrastrukturë moderne arsimore, programe e nisma që avancojnë mësimdhënien e mësimnxënien në Ferizaj, për të cilat kemi dhënë deri më tani dëshmitë kuptimplote, për ta lartësuar aty ku e meriton arsimi shqip”, u shpreh drejtori Llabjani.
Në fund me mirënjohje u nderuan mësimdhënësit ne pension, si dhe u shfaq një program i pasur kulturo-artistik.