leoni

Luljeta Abdullahu: Një humbje e madhe – Lamtumirë, Profesor Ahmet Qeriqi

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Profesor Ahmet Qeriqit, një figure e shquar e mendimit kombëtar, publicistikës dhe letërsisë shqipe. Përtej të qenit një intelektual i rrallë, ai ishte një njeri me një dashuri të pashoqe për fjalën e shkruar, për atdheun dhe për të vërtetën.
Pata nderin ta njoh në një mënyrë të veçantë—si redaktorin e librit tim të fundit. Edhe në kohën kur luftonte me sëmundjen, ai e përmbushi me përkushtim këtë detyrë, duke lënë në çdo faqe vulën e mençurisë dhe përvojës së tij. Për fat të keq, ai nuk do ta mbajë në duar botimin final, por emri i tij do të qëndrojë përjetësisht në të, si një dëshmi e punës dhe pasionit të tij të pashtershëm.
Profesor Ahmeti ishte një zë i fortë në kohë të vështira, një dritë udhërrëfyese për shumë breza. Kontributi i tij në organizimin dhe udhëheqjen e Radios Kosova e Lirë, si dhe në tërë veprimtarinë kombëtare, do të mbetet një trashëgimi e çmuar.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij të dashur—bashkëshortes, fëmijëve, nipave e mbesave, të cilët me krenari do të mbajnë gjallë kujtimin e tij. Sot, një njeri i madh u nda fizikisht nga ne, por ai do të jetojë përjetësisht përmes veprës dhe mendimit të tij.
U prehtë në paqe, Profesor Ahmet Qeriqi! 🌿
Në hyrje të librit tim, janë fjalët dhe kritikat e profesorit tani të ndjerë:
Luljetë e nderuar!
Për librin preferoj titullin: 24 Orët e Kujdesit intensiv dhe rrëfime përditshmërie
Hiqen poezitë ose le të botohen sipjes e e veçnatë në fund.
Më mirë do të ishte që të botohen me disa të tjera si pëmbledhje poetike.
Librin e kam redaktuar dhe lekturuar, por duhet një redaktim teknik nga ai që e faqos.
E kam ndarë në 24 kapituj, pasi edhe I akordon titullit, dhe është më lehtë për lexuesin.
Librit I mungon kronologjia e datave, por kjo nuk e dëmton përmbajtjen si tërësi.
Para se tëbotohet, versionin përfundimtar të librit duhet të ma dërgosh, pasi e kam marrë
përsipër redaktimin.
Ky është vlerësimi im që mund të të vendoset në fillim, por nuk prish punë asapak edhe nëse
vendoset në fund të librit.
24 Orët e Kujdesit intensive dhe rrëfime përditshmërie, vepër e Luljeta Abdullahut,
specialiste e Mjekësisë Nukleare
Një libër meditativ, dokumentar dhe artistik.
Doktoresha e njohur, Luljeta Abdullahu, specialiste e Mjekësisë Nukleare, kohë më parë ka botuar
një cikël poezish bashkëkohore, të cilat kanë zgjuar kërshërinë e lexuesve, pasi janë të pasura me
shumë specifika të këndvështrimit të jetës dhe realitetit, në të cilin po jetojmë, veçmas ne, në
Kosovë. Tani ka nxjerrë në dritë librin, meditative dokumentar, titulluar, “24 Orët e Kujdesit
intensive dhe rrëfime përditshmërie", një vepër e arrirë, e veçantë si përnga zhanri, ashtu
edhe nga tema e përmbajtja.
Duke qenë se krijuesja zotëron një gamë të gjerë diturish e përgatitjesh arsimore, shkencore,
shoqërore, filozofike e veçmas mjekësore, që është edhe profesioni primar i saj, doemos se nuk do
të duhej të pranonte që tërë ai angazhim, mund, sakrificë nga një herë me punë të pandërprerë
edhe 24 orë e më shumë, të kalojë e të radhitet në heshtjen e lodhshme të përditshmërisë, pa u
shënuar diku, pasi që fjala edhe harrohet, por ajo që shkruhet mbetet, për shumë kohë, sidomos
nëse është shkruar me realizëm, ndjenja e përkushtim, ajo edhe i përballon kohës, duke qenë
edhe në shërbim të opinionit lexues.
Ashtu sikur poezitë, edhe proza e Luljeta Abdullahut, në radhë të parë është meditative, vrojtuese
e realitetit dhe punëve të përditshme, regjistruese e rasteve të pritura e të papritura, të jetës në
punë, shoqëri apo në familje, në rrethanat e njohura e të pa njohura, që i sjellë jeta dhe me të
cilat duhet ballafaqim për t’ i përmbushur ato, në radhë të parë si detyra të obligueshme të
profesionit. Ajo krijon duke qenë e pajisur me njohje të thellë të realitetit nisur nga materia, që zë
fill nga thërrmijat atomike, formësohet në kohë e hapësirë, për t’u materializuar në një mendim
filozofik mbi jetën dhe preokupimet ku njeriu gjallon, rropatet, sakrifikohet dhe mundohet ta
gjejë veten, disi më ndryshe, apo thjesht, pajtohet me realitetin, sikur bëjnë shumica.
Në veprën meditative, dokumentare e artistike, 24 Orët e Kujdesit intensiv dhe rrëfime
përditshmërie"autorja merret me kategoritë filozofike të makro dhe mikro-universit, sikur
janë, koha dhe hapësira, materia, gjithësia, pafundësia, universi pa fill e mbarim, që janë
kategori fizike e filozofike, metafizike e fetare, me të cilat janë marrë e merren shkencëtarët
përgjithësisht, por edhe krijuesit, të cilët përmes imagjinatës së tyre ndërtojnë universin e
mendimeve sepse: Jeta është e stërmbushur me sfida, me të pritura e të papritura, jeta të
ballafaqon me botën tënde dhe botën rreth teje, ku ti mund të jesh edhe protagonist, por edhe
vetëm një episod i një çasti tjetër kalimtar, sepse ajo paraqitet me të gjitha trajtat e veta, me të
gjitha hiret, nga të cilat edhe mund të të anashkalojë, por nganjëherë të ballafaqon me rrebeshet
e papritura të saj dhe pastaj varet, se cili do të jetë qëndrimi, që do të marrësh për të mbijetuar,
dhe, deri kur do të mund të mbijetosh, sepse fundi gjithsesi një ditë vjen dhe nuk kthen prapa.
E kundruar nga aspekti krijues, Luljeta Abdullahu, refleksin meditativ e kap kalimthi, në
kapërcim, dhe pastaj përmes diskursit artistik e sjellë me masën e kohës, duke krijuar imazhin e
gjësendeve, ku nëpër detaje, me figuracion të pasur artistik e stilistik, krijon pasazhin e natyrës
në lëvizje, e cila tretet në njëlloj simfonie të përjetësisë, ku të gjitha pjesët shkrihen në tërësinë e
saj, ku ciklohet dhe riciklohet gjithçka sipas natyrës së gjërave, sipas ligjeve të jetës.
Luljeta e zotëron dhe e begaton me figuracion të pasur artistik, poezinë ashtu edhe prozën,
rrëfimin shumë specifik, monologun e brendshëm e të pasur të stilit të Xhejms Xhojsit, sepse ajo
pretendon të jetë diçka më shumë kur mediton, kur bota e ndjesive i sillet vërdallë dhe nuk
mund të qëndrojë indiferente, por as nuk pranon të reagojë me patetikë e ofshama, apo ta
demonstrojë troç mospajtimin e saj. Ajo tërë ketë gjendje e manifeston me maturi, pasi i kupton
në esencë proceset dhe nuk habitet nga asgjë, duke qenë e vetëdijshme se jeta ka i ligjet e veta, të
cilat edhe mund të na anashkalojnë, nëse nuk dimë të bashkohemi me to. Autorja e librit shkruan
lirshëm, me kujdes e seriozitet, me thjeshtësi e modesti, por edhe me përgjegjësi, vëmendje e
vetëpërmbajtje, pa paragjykime e mëri, përveç në ndonjë rast të caktuar.
Rrëfimet e caktuara të cilat i ka shënuar në data të caktuara, në radhë të parë kanë vlera
dokumentare, individuale, familjare e kolektive.
Vepra letrare dokumentare, “24 Orët e Kujdesitintensivdherrëfimepërditshmërie” për
nga aspekti i temave dhe përmbajtjeve që trajton është heterogjene, madje në dukje edhe e
shkapërderdhur, por në tërësinë e saj, ajo para së gjithash ka një strukturë organike të sintetizuar
e cila rrjedhë nga përditshmëria, në punë, në rrethin ku punon vetë e me të tjerët, në familje e në
shoqëri.
Me prezantimin e temave e përmbajtjeve, në këtë libër ajo përpiqet të diagnostifikojë, jo vetëm
sëmundjet e pacientëve, por edhe jetën, fatin dhe preokupimet njerëzore.
Që në pjesën e pare të librit shkuan se “epitetit "doktor", që shpreh një karakteristikë cilësore,
nuk është emër personal, por epitet i atyre që kanë arritur ndriçimin e një fjale betimi, dhe kjo
është një barrë me shumë sfida. Betimi i Hipokratit i dhënë, ju detyron dhe ju ngarkon me etikë
mjekësore.
Nisur nga këto pozita ajo rrëfen për punën angazhimin, sidomos atë angazhim që bashkë me të
tjerë kishte bërë gjatë pandemisë së coronavirusit: ne si staf dhamë kontributin tonë për aq sa
na shqetësonte situata, andaj nga OMK dhe nga OIM jem i shpërblyer me nga një pllakate
Mirënjohje, dhe unë në një postim e quajta "Kur bashkimi bëri fuqinë". Jam përfshirë në këtë
fushë për mbi 25 vjet, ne përdorim materiale radioaktive për të diagnostikuar dhe trajtuar disa
sëmundje, pa asnjë përfitim shtesë.
Autorja e librit, Luljeta Abdullahu flet për lidhjet fiziologjike, veçanërisht ato shqisore, të cilat
ekzistojnë midis anëtarëve të së njëjtës shoqëri, në çdo krijesë, por në shoqërinë njerëzore, si
superlative dhe e përzgjedhur si më e avancuara dhe më e përsosura, por mbizotëron edhe
mosmarrëveshja dhe ne jetojmë në shoqëri si të izoluar, pavarësisht se ndodhemi brenda saj.
Shpëtimin e shoh vetëm tek ata që kanë të njëjtën ndjesi dhe pavarësisht distancave kush jeton
ku, mund të jetë në një cep krejt tjetër të botes, kur ndjen një energji për të ndër-vepruar,
mjafton të na japë shpresë për të justifikuar emërtimin e llojit (species) tonë e ashtuquajtur
humane, që të mos robotizohen të gjithë dhe sigurisht se mund të dialogojmë.
Në profesionin human sikur është mjekësia, autorja na shpjegon se shpesh shtrohet pyetja, çfarë
duhet të bëjmë, ose çfarë rruge duhet të zgjedhim, t’ i kërkoni pacientit të nënshkruajë se nuk
jeni në gjendje të përballoni studimin ose do t'ju duhet të kaloni ndonjëherë edhe tre orë derisa të
arrini qëllimin për t'u qetësuar ai dhe se gjithçka do të shkojë ashtu siç është në rastin më të
mirë. Ne shpesh i drejtohemi Zotit dhe e falënderojmë Atë, për të na hapur rrugën drejt begatisë,
por doza e rrezikut është e ndryshme dhe surprizat mund të ndodhin në çdo moment. Por kjo
mund të prekë këdo, edhe ata që e marrin shumë seriozisht këtë dizajn ashtu thjeshtë shtruar,
sepse ne nuk e mbajmë dakikun e shpirtit të askujt në dorë.
Në këtë vepër meditative, dokumentare e artistike, autorja ka prekur një “univers” të tërë temash,
rrëfimesh, konstatimesh, analizash, interpretimesh, qasjeve ndër më të ndryshmet, si arsimi,
edukimi, rrethi familjar e shoqëror, komunikimi dhe puna e përditshme, tejet e mundimshme,
rrethi familjar e shoqëror, duke u marrë me to në kauzalitetin, varshmërinë e ndërvarshmërinë e
tyre, nga të gjitha segmentet e vrojtimit.
Ajo shkruan se “Të jetosh në një planet me madhësinë e një grimce në horizontin e pafund, me
privilegjet më të larta mbi krijesat e tjera në glob, është një dhuratë e pa krahasueshme që
vetëdija jonë nuk mund ta imagjinojë ndonjëherë. Prandaj kur i drejtoj dikujt një urim, them, u
bëfsh edhe ti gjysh a gjyshe, nuk ka gëzim më të madh e më të mire në këtë jetë. Dashuria,
edukimi, përkushtimi janë virtytet thelbësore të një personi të formuar si duhet.
Tërë vepra është e sintetizuar në një lidhje konceptesh, idesh, perceptimesh, mendimesh e
gjykimesh ndër më të ndryshmet që i prodhon përditshmëria, kauzaliteti, transcendentalja, e
lidhur dhe e ndërlidhur në tërësinë e gjërave, të zhvilluara në kohën dhe hapësirën e caktuar
dokumentare, ndërsa amalgamuar organikisht, në tërësinë e universales. Është interesante se si
brenda një cikli të ditës dhe natës, ky 24 orë që nganjëherë mund të zgjasë më shumë ose më
pak, mund t'ju sjellë të përjetoni energjinë e dridhjeve nga frekuenca dhe gjatësi vale të
ndryshme…
Prej konceptesh dhe interpretimesh filozofike, që lidhen me jetën dhe meditimin, autorja bën
digresione, për të sjellë pjesë nga ditari i përditshmërisë, i ndodhive të caktuara ditore, të cilat
plotësojnë zbrazëtirat, vanitetin, monotoninë, me praninë e tyre kalendarike, si ditët e shënuara
kombëtare e ndërkombëtare, festat, manifestimet, ekskursionet, vajtje-ardhjet në vende të
ndryshme qoftë zyrtare e profesionale, njohjet e rinjohjet, shkëmbimi i përvojave dhe i diturive
dhe tërë një jetë në lëvizje, në punë, angazhim profesional, prezantim familjar e shoqëror.
Libri, trajton edhe segmente arsimuese, edukative, madje edhe moralizuese e predikuese,
përsëritje rrethanash e ambientesh familjare, miqësore e shoqërore, të cilat janë pjesë e
përditshmërisë, dhe, si të tilla ato nuk e rëndojnë veprën, por e zgjerojnë atë në tërësinë e
paraqitjeve komplekse, duke bërë sa më të kuptueshme për lexuesin e pasionuar dhe studiuesin e
letërsisë së mirëfilltë në kohën tonë, kur botohet gjithçka dhe nga kushdo qoftë… po secili sipas
kutit të vet.
Bota dhe imagjinata krijuese e doktoreshës, Luljeta Abdullahu, në radhë të parë është realiste,
pasi ka bazament dokumentaritetin, ndodhinë e pritur e të papritur të jetës personale dhe atyre
me të cilët punon dhe jeton, rrëfimin e shënuar me qëllim mos-harrimi, sinqeritetin në
interpretimin e përditshmërisë, pa e ekzagjeruar apo pa e paragjykuar me njëanshmëri, gjykimin
kritik dhe korrekt, që buron nga intelekti dhe talenti për të rrëfyer bindshëm, lirshëm dhe pa
pretendime megalomane.
Në këtë vështrim për veprën letrare, dokumentare, “24 Orët e Kujdesit dhe Përkujtimet e Kohës”
të Luljeta Abdullahut, duke qenë redaktor, kam edhe shumëçka të vlerësoj e të gjykoj për këtë
libër të veçantë, por nuk do të zgjatem për shkaqe që vetëkuptohen dhe që janë në akord me
praktikën e përgjithshme të paraqitjes së mendimit e vlerësimit të veprës edhe për lexuesit.
Uroj që doktoresha Luljeta Abdullahu, të mos i ndahet profesionit, por as letërsisë, sepse ka çka
thotë dhe di si ta thotë e ta shkruajë.
Ahmet Qeriqi
22. 5.2024
Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Nisma Socialdemokrate ngushëllon për ndarjen nga jeta të prof. Ahmet Qeriqit

Me dhembje të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të Ahmet Qeriqit, një …