leoni

“Shkolla Shqipe” - Zvicër: Veprat e njerëzve të mëdhenj i bëjnë ata të pavdekshëm, siç është profesor Ahmet Qeriqi

“Shkolla Shqipe” – Zvicër: Veprat e njerëzve të mëdhenj i bëjnë ata të pavdekshëm, siç është profesor Ahmet Qeriqi

Telegram ngushëllimi

Dje me dhembje të madhe, të cilën nuk e përshkruajmë dot, e morëm lajmin se profesor Ahmeti na paska lënë! Ngushëllimet tona në emër të vatrës sonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër. Ngushëllojmë, së pari, njerëzit e tij të afërt, shokët e miqtë që e deshën dhe e ruajnë në zemrat e tyre nderimin për të e veprën e tij atdhetare, shoqërore, letrare, gjuhësore, informative e njerëzore përgjithësisht. Dje kur po donim ta uronim profesor Ahmetin për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, morëm lajmin e trishtuar, se i paska pushuar zemra së rrahuri.

Vepra e jeta e tij janë një mishërim i atdhetarizmit, mishërim me vlerat më të shquara njerëzore. Ai qe luftëtarë e veprimtar i shquar me pushkë në dorë për çlirimin e viseve të robëruara të Shqipërisë, ai qe shkrimtar me penë në dorë që aq bukur e me përkushtim të pashoq shkroi vepra të shquara letrare, gjuhësore, historike e shoqërore, monografi e libra të tjerë, dha intervista e bëri emisione dokumentare, mori intervista nga shokë e miq, nga njerëz të idealit, ai punoi e veproi deri në çastet e fundit të jetës së tij edhe pse zëri i iku edhe pse vetëm me një dorë shkruante, edhe pse nga sëmundja e rëndë i merrej fryma, edhe pse kishte vështirësi të mëdha, por me zemër të madhe e mendjen e pastër, nuk dorëzua asnjë çast, nuk ligështua aspak, qëndroi i gjithmonë luftëtar e atdhetar i shquar, mik e shok me zemër floriri. Ai kishte njohje enciklopedike, që rrezatonte kudo që shkonte. Ai është simboli më mirë i atdhetarisë, intelektual i shquar, shkrimtar e gjuhëtar, kalorës i fjalës e veprimtar i pashoq!

Jeta dhe vepra e tij janë frymëzim për ne, për të gjithë atdhedashësit shqiptarë e brezat që do të vijnë.

Veprat e njerëzve të mëdhenj i bëjnë ata të pavdekshme, siç është profesor Ahmet Qeriqi.

Lavdi të përjetshme veprës e jetës së profesor Ahmet Qeriqit! Kujtimi e vepra e tij do të rrojnë gjithmonë, sa të rrojë gjuha shqipe e Shqipëria jonë!

Në emër të  “Shkollës Shqipe” në Zvicër : prof. Dr. Vaxhid Sejdiu, Isuf Ismaili, mësimdhënës e veprimtarë të tjerë të vatrës sonë arsimore.

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi: Profesor Ahmeti nga sot, nuk është krijues, por veprimtaria e tij i siguron Pavdekësinë bashkë me Përjetësinë e shqiptarisë!

Është ndarë fizikisht nga jeta atdhetari Ahmet Qeriqi! Është dhembje për të gjithë, jemi zvogluar …