Këta sikur me qenë lepuj, po frikohen nga Rusia e Putinit. Pse kjo ndodhë? Tani kanë filluar edhe nga Ushtria Serbe të frikohen. Çfarë mund të kenë këta që e madhërojnë kaq shumë fuqinë e të tjerëve!
Neve nuk na lanë të fuqizohemi as të bëjmë ushtri. Mezi e nxorëm nga UÇK-ja e lavdishme një gjysmë ushtri e gjysmë civile TMK-n, pastaj këtë me shumë vështirësi e transformuam në FSK! Gjithnjë nga aleatët me numër të kufizuar të personelit dhe të armëve dhe llojeve të tyre!
Nëse do të bjerë kjo tani, sikur sistemi domino, Trump tradhtoi demokracinë amerikane dhe po vepron me diktaturë të bazuar në parimin e forcës! Ky nuk respekton norma e rregulla të deritanishme botërore! Europës po i kthen shpinën dhe po lidh aleancë me Rusinë!
E çuditshme! Oksidentalistët po shpërbëhen pa i goditur askush, ndërsa në anën tjetër po fuqizohen aleancat: Rusi, Kinë, Iran, Kore e shtete të ndryshme afrikane dhe disa në Europë si Hungaria, Serbia, Sllovakia e të tjerë! Kjo sjellje e papërgjegjshme do t’i kushtojë shumë Amerikës, Europës dhe mbarë njerëzimit e tërë botës!
Këtu qartë shihet se demokracia paska qenë e mashtrueshme, ose paska ecur me hapa breshke! Sa shpejt po rrëkullisen gjërat! Vetëm një hap u bë prapa, u kthyem dyqind vite mbrapa, diku kah viti 1865 jemi!
Pse u deshtë kjo? Pse paskemi vendnumëruar me dekada dhe paskemi qenë të vetmashtruar! Kujt i shërben kjo katrahurë drejt regresit? Pse u deshtë të na frenojnë në zhvillimin e sigurisë dhe të na mashtrojnë me pseudo-sigurinë!
Ky populli ynë me lidership të mjerë dhe injorant besoi verbërisht! Me përpjekjet maksimale mezi arritëm ta bëjmë një FSK kështu si e sa e kemi! UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i dhe aleatët në asnjë mënyrë nuk donin që Kosova të ketë ushtrinë e vet për mbrojtje, duke thënë se ne jemi këtu KFOR, EULEX – ju s’keni nevojë për ushtri!
Ky popull naiv me gjithë lidershipin ranë lehtë viktimë. Mendonin dhe e thonin edhe me propagandë si dhe e pengonin krijimin e ushtrisë për vetëmbrojtje të shtetit e të lirisë sonë! Serbia vazhdimisht armatosej maksimalisht dhe me armët më moderne nga Rusia, Kina e Irani! Europa jo që nuk e pengoi, por edhe ju shiti armët dhe aeroplanët më modernë të tipit Rafale nga Franca!
Këto ndryshime të shpejta janë shumë të rrezikshme. Ne mund të vonohemi sa që dikur mund të jetë shumë vonë! Pse frikohen Europa, pse Europa s’ka një Shtab dhe një ushtri të përbashkët? Pse të mos ketë strukturat e specializuara dhe njësi ekzekutuese të gjinive të ndryshme, të tilla sa t’i kenë të gjitha që i duhen sigurisë së Europës, ta sigurojnë nga cilido agresor i mundshëm!
Pse e bën BE-në ashtu si nuk duhet, e si nuk mund të funksionojë! Pse Europa u zu në befasi? A mos vallë ju ra borë në verë apo ishin të fjetur me dekada? Ndoshta iluzionistë menduan se dikush ka me i mbrojtur përherë! Ndoshta utopistë, menduan kurrë nuk do të ketë luftëra dhe kurrë nuk do të ketë nevojë për siguri!
Tani i ka kapur paniku sa që frikohen nga çdokush e nga çdo gjë si lepujtë! 27 shtete bashkë me rreth 400 milionë popull me një dendësi demografike dhe me një zhvillim ekonomik më të fuqishëm se kontinentet e tjera!
Nga paniku këta vështirë se do ta marrin veten e të mbrohen me sukses. Duhet vepruar shpejt, drejt dhe saktë me strategji e qëllim të qartë!
Ne shqiptarët duhet sa më parë ta bëjmë dhe të përkryejmë mbrojtjen e përbashkët të gjithë shqiptarëve në tokat e veta! Të mos mbajmë shpresa të rreme se na mbron dikush tjetër! Pse duhet të vijnë forcat e huaja të vendosen në Kosovë e të na mbajnë nën vazalitet!
Ne duhet ta rrisim numrin në 40 mijë ushtarë aktivë dhe gjysma e kaq rezervë, t’i sigurojmë armët efikase mbrojtëse duke i blerë më modernet! Si dhe t’u japim ndalim këtyre që i kanë këtu KFOR-i dhe aleatët, për mos tjetër arsye pse të na presin në besë. Na i kanë borxh se na kanë penguar mos me i rritë kapacitetet e sigurisë, në emër të dofarë standardeve, bile pos pengesave të sigurisë nga aleatët dhe KFOR-i!
Ndërhyri edhe Banka Zhvillimore Europiane dhe ajo Botërore! Me kontroll të zhvillimeve ekonomike duke na mbajtur me fytëngushtuar ekonominë! Kjo i bie se na ruajtën si demin para kasapit! Tani i vringëllojnë shpatat për ta ndarë e prerë Kosovën në favor të Serbisë e për hatër të Rusisë!
Lidershipi i Kosovës e i Shqipërisë, si dhe e gjithë shqiptaria, janë para një sprove të madhe e të vështirë me shumë rreziqe! Duhet të jemi të gjithë vigjilentë që t’i përballojmë sfidat që do ta godasin popullin dhe atdheun tonë!
Ana tjetër, tradhtohet populli dhe atdheu!
10 mars 2025 Sadik Halitjaha