Procesi i vendosjes së numrave identifikues për shtëpi dhe objekte në territorin e Komunës së Malishevës ka vazhduar sot dhe pritet të përfundojë brenda 15 ditëve të punës. Aktiviteti është parë nga afër edhe nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe drejtori i Urbanizmit, Avdi Morina.
“Vendosja e numrave identifikues është një hap i rëndësishëm për identifikimin dhe orientimin e saktë, përmirëson shërbimet publike, ndihmon në planifikimin e politikave urbane dhe zhvillimore, dhe krijon më shumë siguri për qytetarët tanë”, ka thënë Kastrati, duke përcjellë nga afër realizimin e këtij procersi.
Po ashtu, drejtori i urbanizmit, Avdi Morina, ka sqaruar se më herët janë vendosur një pjesë e numrave identifikues, ndërsa tani vazhdon realizimi i plotë dhe vendosja e të gjithë numrave për shtëpitë dhe objektet në të gjithë territorin e Komunës së Malishevës. Sipas tij, projekti përfshinë 699 rrugë dhe 11.317 numra për shtëpi dhe objekte. Ky projekt financohet nga Banka Botërore dhe po realizohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Malishevës.