Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në kuadër të aktiviteteve të tij, sot ka vizituar një biznes privat që operon në fushën e teknologjisë informative, konkretisht punëtorinë e mësimdhënësit Mefail Sertolli. Gjatë vizitës, ai e falënderoi Sertollin për përkushtimin e tij në inkurajimin e të rinjve për t’u angazhuar në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin e komunës dhe më gjerë.
“Teknologjia informative është thelbësore në botën e sotme, pasi hap mundësi të reja për arsimim, punësim dhe inovacion. Kjo fushë është shumë e kërkuar, por pa praktikë të mirëfilltë, nuk mund të ketë progres real. Prandaj, falënderoj mësimdhënësin Mefail Sertolli për mundësinë që u ofron të rinjve, veçanërisht nxënësve të shkollave të mesme, për të zhvilluar aftësitë e tyre praktike dhe për të avancuar në botën digjitale,” tha Kastrati gjatë vizitës.
Ai e vlerësoi lartë kontributin e Sertollit, duke theksuar se mbështetja e sektorit privat në zhvillimin e aftësive teknologjike të të rinjve është një investim i rëndësishëm për të ardhmen e komunës.