Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën nismën për lidhjen e një Marrëveshjeje Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në planifikimin e mbrojtjes, qëndrueshmërinë strategjike dhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake. “Me këtë marrëveshje, Kosova dhe SHBA-ja angazhohen në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë planifikimin strategjik dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake,” deklaroi Kurti. Marrëveshja do të përfaqësohet nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se kjo marrëveshje është në përputhje me objektivat e Kosovës për integrim euroatlantik dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me partnerët strategjikë. “Ky hap përforcon partneritetin tonë ekzistues dhe është një reflektim i përkushtimit të ndërsjellë për paqe dhe siguri,” theksoi Maqedonci, duke paralajmëruar një konferencë për media për të dhënë më shumë detaje.
