Në fund të mandatit të Qeverisë në detyrë, janë shpërndarë kontrata për pastrimin e veturave, që janë fituar nga kompania GMM Group. Kjo kompani ka marrë kontratat nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Bujqësisë dhe Telekomi i Kosovës. Interesant është se kompania GMM Group ka fituar të tria tenderët, megjithëse ajo ka vetëm pak muaj eksperiencë dhe figuron me vetëm një punëtor në (ARBK).
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka shpallur fituese të tenderit kompaninë GMM Group për pastrimin e 37 veturave, me një vlerë prej 6,000 eurosh. Tenderi kërkonte që objekti i autolarjes të kishte tri kabina dhe të ishte jo më larg se 5 kilometra nga Prishtina. Po ashtu, kjo kompani ka fituar edhe tenderin e Telekomit të Kosovës dhe të Qeverisë për pastrimin e veturave zyrtare, ku kërkesat ishin të ngjashme.
