leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Tym e flakë gjithandej Kosovës

(Vetëm për 10-të ditë, mbi 290 zjarre në Kosovë!)

Nëse është ky shteti i Kosovës që po ndërtojmë, nëse ne jemi bijtë e saj dhe nëse e duam shtetin tonë, atëherë shtrohet pyetja logjike: përse qytetarët tanë (një pjesë e pandërgjegjshme e tyre), kanë marrë shkrepësen në dorë dhe po i vejnë flakën mezhdave, shkurreve, amullive të mbetura, mbeturinave plastike, pyjeve madje po vejnë në rrezik serioz edhe djegien e shtëpive si dhe jetën e qytetarëve tanë!

Ky veprim sa primitiv, aq edhe i çoroditur, këta piromanë janë bërë të pa mëshirshëm ndaj natyrës, bukurive të saj, pyjeve, humusit të Kosovës dhe qytetarëve tanë, duke rrezikuar kështu të djegin edhe shtëpitë, stallat dhe ushqimin e bagëtive. Me këtë veprim të marrë, ata po rrezikojnë  pasurinë, bizneset dhe jetën e qytetarëve.
Kudo që kaloje, tym që të futej brenda në makinë dhe sa s’të ngulfattë, tym që të futej në oborr, në shtëpi, tym që zinte rrezet e diellit dhe errësonte qiellin e Kosovës. Flitej se persona të pandërgjegjshëm, ua futin flakën pyjeve me qëllim që ta presin masën drunore për ta kthyer atë në përfitime materiale më pastaj, veprime kriminale këto, të bëra me vetëdije me të cilat duhet të merret ligji. Ky veprim kriminal që po djeg tokën, pyjet, bimët dhe gjallesat e tokës tonë, duhet ndaluar, duhet dënuar dhe duhet ndëshkuar rëndë.

Duke qenë të vetëdijshëm se; sa vite duhen që të rigjenerohet pylli, shkurret, humusi dhe gjallesat e tokës sonë, dëm ky i pariparueshëm që po shkaktohet nga piromanë të ndryshëm, Kosovën po e dëmton më shumë se flakët e luftës që vendi ka përjetuar decenie më parë. Kosova është djegur me zjarr e flakë shumë herë, është bërë shkrumb e hi, por është djegur nga pushtuesi, dhe tani prej nga ky “inspirim” kriminal për ta djegur Kosovën sot?, ku është ndërgjegjësimi ynë qytetarë, ku janë organet e rendit, a duhet që çdo qytetari të Kosovës t’ia vemi nga një polic tek koka, tek rruga, tek porta, deri kur kështu, ku është emancipimi ynë qytetarë e shtet ndërtues?, si shpjegohet kjo; për vetëm më pak së dy javë, në Kosovë janë shkaktuar mbi 290 zjarr-vënie!!!

Piromania e të çmendurve ishte njeri nga segmentet që po djeg Kosovën, segmenti tjetër është papunësia e madhe në Kosovë, në veçanti rinia që ka mbaruar e po mbaron shkollimin e po sorollatet rrugëve të atdheut me shpresa të thyera për një vend pune, për një jetë e perspektivë më të mirë, me pasiguri nën sqetull, me ambient dhe urbanizëm të degraduar, me shëmti që të zë syri kudo, hedhje mbeturinash vend e pa vend, vend i kazinove dhe kabareve që shpesh përfundojnë edhe me raste fataliteti.
Mjerisht, vendi ynë është bërë strofull i bredhjeve të bandave keqbërëse, ku plaçkitën shtëpitë e objektet tjera në pikë të ditës, vend i bredhjeve të qenve endacakë e agresivë, prerja  dhe masakrimi i pyjeve, shëmtimi i gjelbërimit, ndotja e lumenjve, hedhja e mbetjeve inerte etj. Kosova është shndërruar në shtet të kanoçeve, shisheve të plastikës, gomave të harxhuara makinash, teneqe të ndryshkura, xhama të thyer, hekurishte e karroceri makinash të ngrëna nga ndryshku i kohës, qese najloni, medikamente të skaduara, fasha, pelena dhe gjilpëra të përdorura, mbetje kafshësh hedhur gjithandej, nuk ka lokal e bufet që nuk pihet duhani, ku të zë hundët era e rëndë e nikotinës, ku qytetari i rëndomtë nuk mund ta pijë as edhe një kafe pa marrë erën e pisllëkut të nikotinës, jo vetëm në rroba, por deri në palcë! …
Kosova me shtylla elektriku druri gati të kalbura e shtrembëruara, me telave të rrymës shtrirë për dhe që rrezikojnë jetën e fëmijëve tanë, me puse e lumenj të kontaminuar, me shpërthime  kanalizimesh ku fekalet vërshojnë qytetet, fshatrat, fushat, luadhet, arat etj.

Në segmente të caktuara, ka rrugë që kanë filluar të shtrohen e ndërtohen, me katër e dy shirita, por që kanë mbetur në vendnumëro për shumë vite, me gropa e pesete të hapura, ku mund të përfundosh së bashku me makinën! Në këto rrugë, krijohen tollovi, mbushur me baltë gjatë dimrit, dhe pluhur gjatë verës, grumbuj gurësh, dheu, makinash që nuk punojnë më, por që “rrezitën, mrizojnë”, anash rrugëve, kompani ndërtim që kanë “fituar” tender e kanë vu monopol mbi këto rrugë, rrugë të cilat nuk përfundojnë asnjë herë, si ato: Skenderaj- Kamaran, Prishtinë -Podujevë, Prishtinë -Pejë, Ferizaj- Kaçanik, Prishtinë- Mitrovicë e dhjetar tjera. Fatkeqësisht edhe ato që i kanë “përfunduar”,  ende pa kaluar viti, janë qarë e shembur. Rrugë këto që në fatkeqësi komunikacioni, kanë marrë jetën e shumë qytetarëve të cilët ngasin makinat në pa përputhshmëri me kushtet e ngasjes, këputën jetë të tëra ne mes duke përfunduar nën kamion, nën makina, nën ura e në ara e luadhe! A ka vlerë jeta e një qytetari tek ne, a e vlerësojmë ne jetën tonë, pse po e digjni Kosovës edhe kështu të djegur o njerëz?!…

Të gjitha këto parregullsi në ambientet ku kanalizime janë futur shkel e shko, vetëm sa për të thënë se kemi bërë një punë, rrjetë uji, rrjet elektriku etj. Për pasojë, kanë krijuar ambient dhe kushte të volitshme që shumë nga insektet infektuese, në mesin e tyre edhe mushkonja të shumta të cilat  mund të jenë bartëse të sëmundjeve të rrezikshme për qytetarët tan, minj, mace, qenë endacak etj. Në shumë fshatra, aty ku kanë shpërthyer kanalizimet e fekaleve janë kontaminuar kullosat e bagëtive, qumështin e të cilave e përdorin qytetarët tanë, fëmijët tanë!, A ka shtet, kush i mirëmban këto kanalizime që kanë vërshuar ara dhe luadhe, që kanë krijuar vatra insektesh, që kanë kontaminuar ujin e pijes të të gjitha puseve të mëparshme, duke e bërë të pa pijshëm madje as rrobat nuk guxojnë të pastrohen më atë uji që dikur ishte bilur, ishte i pijshëm, uji me të cilin jemi rritur!

E pa besueshme, por e vërtetë, me sytë e mi kam parë njerëz të papërgjegjshëm, më mirë me thënë idiot, të cilët në shtëpitë e tyre mbushin thasët me mbeturina, dhe në kalim e sipër i hedhin nga dritarja e makinës; buzë arave, buzë luadheve, buzë asfaltit e kudo! Si masakrohet vendi ynë kështu, pse e përdhunoni kaq rëndë e pa mëshirë atdheun- ju o të pandërgjegjshëm e turpi ju mbuloftë!
Mendoni pak: këtë vend do ta trashëgojnë pas nesh bijtë dhe bijat, nipërit dhe mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat tona, Kosova nuk është vetëm e një brezi, Kosova është e jona, ta ruajmë e mos ta djegim e mos ta vrasim me dorën tonë o ju vraftë buka e saj!

CH-13-03-2025

Kontrolloni gjithashtu

Epir Qeriqi: Bacë Ali Ahmeti, e vlerësojmë përjetësisht ardhjen Tuaj për ngushëllime për babin tonë prof. Ahmet Qeriqi

Shumë i nderuar bacë, bacë i kombit shqiptar Ali Ahmeti. Nuk me lejohet të belbëzoj …