Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: BOTA PLOTË HIPOKRIZI!

Pabesia dhe goditjet prapa shpine të përsosura janë bërë parime kryesore në mbarë njerëzimin!
Të thuash nuk është fajtor agresori, ai që sulmon, por është ky që mbrohet!!!
Ta fajësosh këtë që mbrohet – po të mos mbrohej ky, nuk do të kishte luftë!

Derisa të gjitha shtetet pa përjashtim armatosen maksimalisht – për çka e bëjnë këtë armatosje deri në armë atomike?
Lë të kuptohet: sulmo të mos mbetesh fajtor!
Apo i forti ka të drejtë të sulmojë, pushtojë e të grabisë, ndërsa i dobëti nuk bën as të mbrohet!

Rrotullim i vlerave, kritereve, parimeve dhe rregullave ligjore e njerëzore – të gjitha u kthyen me kokë poshtë!
E quajtëm me gjithë mend të gjithë esull agresor Putinin dhe Rusinë mbi Ukrainën dhe kjo ishte e vërteta deri në fund të vitit 2024, por tani interpretohet një e “vërtetë” tjetër – fajtor Ukraina dhe Zelenski pse po mbrohen?!!!

U dënua si kriminel Putini nga shumica e shteteve të botës, u hap edhe gjykata për Putinin në Hagë!
Lëshuan edhe urdhër-arrest për Putinin, por një ditë për diell fajësohet për luftën Ukraina dhe Zelenski!
Ndihma për Ukrainën me miliarda e me shumë lloje armësh, i kthehet në akuzë dhe i kërkohet borxhi Ukrainës – kërkohet edhe Zelenski mish për top!
Kërkohet të eliminohet Zelenski nga pushteti e të vijë dikush i përshtatshëm për Putinin që ta nënshkruajë “paqen” – kapitullimin e luftës mbrojtëse dhe t’i pranojë kushtet e vendosura nga Rusia!

Ashtu siç i shtron Putini, nën maskën e një paqeje të qëndrueshme e të përhershme!
Të ndërrohet pushteti në Ukrainë e të vijnë në pushtet pro-rusët, me të cilët do ta pranonte marrëveshjen Putini!
Gjë që duhej të ndodhte e kundërta – të rrëzohej Putini, të vinte një qeverisje anti-luftës, të ndalej lufta e të bëhej marrëveshja e paqes!

Putini as që pranon të negociojë për pjesët e pushtuara të Ukrainës – ato i konsideron të përfunduara dhe ruse!
Ukrainës i kërkon të mos anëtarësohet kurrë në BE dhe NATO!
Nuk pranon të ketë paqeruajtës në Ukrainë!

Kështu, ky sillet sikur Ukraina të jetë e tija!
Nëse gjërat do të shkojnë kështu, Zelenski do të arrestohet, do ta dërgojnë në Hagë, në burgun që ishte paraparë për Putinin!

Evropa e vonuar si gjithmonë bën disa përpjekje shumë heterogjene, pasi që është e formuar ashtu siç nuk mundet të funksionojë – frika ju ka hyrë në palcë, se do të pushtohet nga Rusia!
Trump, aleat i Putinit, po do me e nxjerrë me faqe të bardhë nga krimet dhe gjenocidi që bëri në Ukrainë, nga dështimi rus para botës në këtë luftë!

Fatin e Ukrainës po e caktojnë superfuqitë pa Ukrainën – pengesë Zelenski, këtij ia bëjnë kurthin dhe e eliminojnë!

Jam shumë i bindur se edhe për Kosovën bëjnë pazare të ngjashme, edhe pse na ndihmuan aleatët ta fitojmë luftën çlirimtare – luftë e drejtë mbrojtëse!
Pas përfundimit të luftës, kurrë nuk e detyruan Serbinë agresore të kërkojë falje, ta marrë përsipër dëmin e luftës dhe shkatërrimin e Kosovës!
Kurrë nuk i vunë kushte të kthejë robërit e kidnapuar, të kthejë kufomat e tyre të masakruara, kurrë s’e dënuan as s’e kritikuan për krime e gjenocid që bëri mbi të pafajshmit, vetëm se pse ishin shqiptarë!

Përherë të fuqishmit hipokritë bëjnë presion mbi Kosovën të ofrojë pajtim me Serbinë agresore – kjo pa kërkuar falje as pajtim me ne!
Për ta joshur agresorin Serbinë, po përpiqen me ia dhënë një pjesë brenda kufijve të Kosovës, siç i dhanë Maqedonisë dhe Malit të Zi!
Ndërsa kurrë nuk e idhnojnë Serbinë me ia përmendë shqiptarët në tokën e vet autoktone, të okupuar nga Serbia – Preshevën, Medvegjën e Bujanocin!

Këto pjesë, edhe pasi i çliroi UÇPMB-ja, ia dorëzuan Serbisë “aleatët”!
Ngjashëm u sollën me Iliridën!

Kurrë nuk u gjykua agresori, por u favorizua!
Ky edhe është parim i pashkruar që i arsyeton vetë të mëdhenjtë, që në vend të drejtësisë përdorin forcën përherë!

Pas njëzet vitesh çlirim i burgosën çlirimtarët e Kosovës – shtrohet pyetja: pse?
Ishte UÇK çlirimtare – mbrojtje e popullit dhe tokës së vet nga agresori serb – të gjithë e dimë që po!

Si të kuptohet kur më shumë burgosen çlirimtarët se sa agresorët e kriminelët serbo-sllavë që bënë gjenocid?!

Si duket, Zelenskin s’e lënë njëzet vite – qoftë e çliruar apo e okupuar dhe e dorëzuar Ukraina – se pse do të ishte jashtë rregullave të të mëdhenjve, po u prish planet dhe po ua ul krenarinë e superfuqive!

Njësoj për liderët e Kosovës që ua prishëm planet Evropës e shpallëm pavarësinë!
Që me siguri në planet e tyre paska qenë të mbetemi nën ombrellën e Serbisë – si autonomi substanciale, qoftë edhe si republikë!

Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës po gjykohet dhe po i vendosen sanksione pse po do me shtrirë sovranitet të plotë e me vendosë shtet ligjor?!!!

Deri kur kështu kjo botë hipokrite, që të drejtën e ka vetëm i forti?!
Mjerë i ligu – po duhet me mbajtë shumë mbi supe!

Duhet të bashkohemi të gjithë shqiptarët në trojet tona autoktone, të bëhemi fuqi dhe me forcë të çlirohemi – se vetëm forca ka mirënjohje!

14 mars 2025
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Epir Qeriqi: Bacë Ali Ahmeti, e vlerësojmë përjetësisht ardhjen Tuaj për ngushëllime për babin tonë prof. Ahmet Qeriqi

Shumë i nderuar bacë, bacë i kombit shqiptar Ali Ahmeti. Nuk me lejohet të belbëzoj …