E nderuara motër Arbana! Besoj deri diku e kuptoj mallin dhe dhimbjen tuaj. Është një dhimbje që duhet t’ju bëjë të fortë, sepse misioni i babait tuaj në shërbim të familjes dhe në dobi të atdheut ishte i madh dhe i paharruar. Ai do të mbetet i shkruar në faqet e historisë sonë të lavdishme! Vërtet, fëmijët për prindërit ndjejnë dhimbje, mall dhe, në fillim të largimit, ju duhen disa ditë për ta bindur veten që babai juaj nuk është më fizikisht mes jush. Por tani ai ka bërë një vend edhe më të madh se më parë tek ju – tek shpirti juaj, shpirtërisht. Motër, mos ndje dhimbje, mos ndje mall, por ndjehu e fortë dhe krenare për një baba siç ishte babai i juaj. Ai ishte i fortë dhe donte që edhe ti të ishe e fortë. Ai ishte një sypatrembur dhe një kontribuues i madh në rrugët e lirisë së Kosovës. Të tillë të donte ai që të ishe edhe ti. Babai juaj e kreu misionin e tij dhe tani jeton në paqe dhe në qetësi të përjetshme pranë Zotit të tij! Andaj, lejo që ai të jetë atje në paqe dhe ju vazhdoni jetën tuaj në qetësi, duke u përqafuar me kujtimet më të mira nga koha juaj si baba e vajzë! Motër, ndajmë dhimbjet me ju. Edhe pse ndoshta dhimbjen nuk mund ta zvogëlojmë, duhet të themi: Një baba i tillë nuk duhet vajuar, as ndjerë dhembje, por duhet përherë të ndjehesh e lumtur dhe me fat që keni pasur një baba të tillë. Ju duhet të jeni krenarë me çdo hap të tij dhe me veprat që ai i dha dhe i la Kosovës sonë të dashur, tokës sonë të çliruar nga lufta, betejat e dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, njëri prej të cilëve ishte edhe babai juaj. Por mos harroni që ëndrra dhe amaneti i tij ishte çlirimi i tokave shqiptare dhe ribashkimi me Shqipërinë! Motër e dashur, lutemi që shpirti i babait tuaj, luftëtarit të lirisë Ahmet Qeriqi, të jetë në paqe përjetë! Nderime për figurën e tij! Respekt dhe mbarësi për ju dhe familjen tuaj, po ashtu edhe për TV-Dielli dhe Kosova e Lirë! Ngushëllime! Nderim, nga i vogli në botën e madhe, Rudi Berisha
