Autobusët e linjës Podujevë – Prishtinë po vazhdojnë të qëndrojnë para komunës së Prishtinës në shenjë proteste nga pronarët e kompanive ndaj vendimit për mos lejimin e këtyre autobusëve që të hyjnë në territor të kryeqytetit.
Për këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se me vëmendje është duke e përcjellur protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva kundër vendimit për linjat ndërurbane.
Rama ka thënë se ky vendim është duke u respektuar nga linjat ndërurbane që vijnë nga qytetet e tjera dhe u ka bërë thirrje shoferëve të linjës nga Podujeva që ta respektojnë vendimin, ashtu siç bëjnë edhe linjat e tjera të qyteteve të Kosovës.
Ky vendim kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi “Stacionin e Autobusëve”. Deri tani, autobusët nga Podujeva kanë qarkulluar edhe brenda Kryeqytetit, gjë që ka rënduar trafikun dhe ka ndërhyrë në kompetencat e trafikut urban, i cili është përgjegjës për shërbimet e trafikut brenda Kryeqytetit.
Bashkë me ekipin tim kam pritur disa herë përfaqësuesit e linjave nga Podujeva dhe jemi dakorduar që linjat nga Podujeva do të ndalojnë tek “Stacioni i Autobusëve”, ndërkohë që Inspektoriati i Kryeqytetit do të kujdeset për largimin e taksive ilegale në rrugën “Ilir Konushevci”, që potencialisht po dëmtojnë operatorët nga Podujeva.
Prandaj, ftoj protestuesit që të respektojnë vendimin për të cilin jemi dakorduar në takimet tona – ashtu siç bëjnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës.
KY VENDIM
Përveç tjerash, ndihmon për të ulur ngarkesën e trafikut në rrugën hyrëse dhe dalëse të rrugës “Ilir Konushevci”, e njohur si rruga te “Xhamia e Llapit”.
Me këtë reformë, qytetarët nga e gjithë Kosova do të mund të udhëtojnë brenda Kryeqytetit për vetëm 80 cent në ditë, duke përdorur një biletë të përbashkët për të gjitha linjat e transportit publik.
Me këtë reformë, qytetarëve të Podujevës dhe të gjithë Llapit u sigurohet parkimi në “Kodër të Trimave”, ku mund të lënë automjetet dhe të përdorin transportin urban për t’u lidhur me pjesët e tjera të qytetit.
Mosrespektimi i vendimit ka sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjobat e vendosura nga Policia e Kosovës. Vendimet merren për të mirën e përgjithshme të qytetarëve, dhe unë i ftoj protestuesit të respektojnë këto vendime për të siguruar një Kryeqytet më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.