Ish-komandanti famëkeq serb, Goran Radosavleviq – Guri, shfaqet në kampin para Presidencës së Serbisë

Pjesëtarë të njësitit famëkeq serb “Beretat e Kuqe”, përfshirë ish-kolonelin Goran Radosavleviq – Guri, janë parë të martën në kampin para Presidencës së Serbisë në mbështetje të protestuesve që kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve. Radosavleviq, emri i të cilit lidhet me masakrën e Reçakut dhe vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi, është një nga figurat më të diskutueshme për përfshirjen në krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Ai akuzohet se ka udhëhequr sulmin ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998, ku u vranë mbi 50 shqiptarë, përfshirë më shumë se 20 anëtarë të ngushtë të familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari. Në janar të vitit 1999, ai dyshohet se ishte përgjegjës edhe për masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë. Përveç këtyre krimeve, Radosavleviq është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhdukjen dhe vrasjen e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit – tre shqiptarë me shtetësi amerikane, të ekzekutuar pasi u arrestuan nga forcat serbe në vitin 1999. Pavarësisht akuzave për krime lufte, Radosavleviq vazhdon të jetë figurë aktive në politikën serbe dhe ka mbështetjen e qarqeve nacionaliste në Serbi.

Kontrolloni gjithashtu

Ferat Shala reagoi ndaj ngritjes së çmimit të energjisë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar ndaj raportimeve të ZRRE-së për rritjen e çmimit …