Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, dhe Kreu i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, kanë nënshkruar Procedurat e Përbashkëta Operative të Rishikuara dhe një Memorandum Mirëkuptimi për mbështetjen e KFOR-it ndaj EULEX-it. Këto dokumente synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin dhe koordinimin mes dy misioneve në operacionet e mundshme të përbashkëta, duke respektuar plotësisht mandatet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë. Bashkëpunimi i ngushtë mes KFOR-it dhe EULEX-it shërben si shembull i integrimit efektiv të përpjekjeve civile dhe ushtarake për të rritur sigurinë në terren, duke nxitur stabilitetin dhe paqen përmes rritjes së ndërveprueshmërisë, thuhet në njoftimin e përbashkët. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre specifike për sigurinë.
