Në Deçan u mbajt aktiviteti për ambasadorët e paqes dhe promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari Ben Blushi

Në Deçan është mbajtur aktiviteti për ambasadorët e paqes dhe promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi. Pikërisht në Ditën e Verës, Komuna e Deçanit, në bashkëpunim me Federatën e Paqes Universale, organizoi aktivitetin me temën “Paqja, trashëgimia jonë e përbashkët”. Kjo ngjarje e rëndësishme synonte promovimin e vlerave të paqes dhe nderimin e personaliteteve që kanë kontribuar gjatë gjithë jetës së tyre me punën dhe përkushtimin e tyre, duke i lënë shoqërisë vlera të mëdha të paqes shpirtërore dhe morale përmes veprimtarisë së tyre.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryesuesi i Asamblesë Komunale të Deçanit, Hajdar Sutaj, i cili theksoi:

“Deçani di të respektojë vlerat e luftës dhe të paqes, duke i parë ato si pjesë të pandashme të identitetit dhe historisë sonë. E sotmja është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ruajtur dhe promovuar këto vlera, duke i dhënë brezave të ardhshëm një shembull të mirë të përkushtimit ndaj paqes, dijes dhe kulturës.” Më pas, aktiviteti vijoi me një prezantim nga Ejona Içka, kryetare e Federatës së Paqes, e cila foli mbi vlerat, parimet dhe veprimtarinë e Federatës Universale të Paqes, duke përshkruar historikun e saj dhe shtrirjen në vende të ndryshme të botës.

Promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur BEN BLUSHI

Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte promovimi i librit “Parajsa artificiale” nga shkrimtari i njohur Ben Blushi. Në fjalën e tij përshëndetëse, autori u shpreh:

“Deçani ka burra shumë trima dhe gra mikpritëse, një vend me vlera të mëdha të traditës. Për mua është një kënaqësi e veçantë të jem sot për herë të parë në Deçan, përpara këtij publiku kaq të madh e të dashur, për të promovuar librin tim “Parajsa artificiale.”

Ai shpjegoi se ky libër është një dialog mes dy personazheve brenda 12 orëve, i ndarë në dy pjesë: Ferri dhe Parajsa, duke ofruar një reflektim të thellë mbi jetën dhe shoqërinë. Pas prezantimit, Blushi zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit, të cilët patën mundësinë të bëjnë pyetje mbi librin dhe krijimtarinë e tij letrare. Në këtë aktivitet morën pjesë shkrimtarë, poetë, piktorë, gjeneralë, mësues, anëtarë të Asamblesë Komunale, artdashës të librit, nxënës dhe të ftuar të tjerë.

Nderimi me titullin “Ambasador i Paqes”

Një nga momentet më emocionuese të aktivitetit ishte ndarja e titullit “Ambasador i Paqes”, ku 14 personalitete u vlerësuan për kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më paqësore. Ndër të nderuarit ishin:

Sami Cacaj – Nënkryetar i Komunës së Deçanit

Ben Blushi – Politikan, gazetar dhe shkrimtar i njohur

Abdyl Mushkolaj – Gjeneral i nderuar

Musë Prelvukaj – Piktor i njohur

Lumturie Haxhishabani Nura – Mësuese e dalluar

Agron Mulliqi – Piktor dhe profesor në Fakultetin e Arteve

Merita Myderrizi Maloku – Profesoreshe në Fakultetin e Arteve

Bija Jasiqi – Piktore

Ajete Povataj – Poete me stil unik dhe emocionues

Mirushe Byci – Mësuese

Merita Luzha Kuraja – Ambientaliste e përkushtuar

Iliriana Hasaj – Mjeke që ka dhënë kontribut të madh gjatë luftës dhe vazhdon të kontribuojë në fushën e mjekësisë

Edone Kameraj – Përgjegjëse për informimin e qytetarëve përmes uebfaqes zyrtare të Komunës

Ismet Kukleci – Ekspert i reformave në administratë dhe i licencuar nga Ministria e Drejtësisë për negocimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Federata Universale e Paqes i vlerësoi këta individë për angazhimin e tyre në fusha të ndryshme, duke kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë dhe më paqësore.

Nxënësit e gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan lexuan 21 shprehje të zgjedhura nga libri “Parajsa artificiale”, duke përcjellë mesazhe të fuqishme për të pranishmit.

Piktori Musë Prelvukaj, i cili u nderua me titullin “Ambasador i Paqes”, dhuroi pikturën e tij të paqes për shkrimtarin e njohur Ben Blushi. Në fjalën e tij, ai u shpreh:

“Deçani, për gjashtë vite me radhë që marr pjesë në koloninë e piktorëve, më ka pritur gjithmonë me mikpritjen dhe traditën që i ka hije. Këtu ndihem mirë dhe sot, pikturën time të paqes ia dhuroj politikanit, gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Ben Blushi. Vlerat në duart e vlerave – për mua është një nder i madh.”

Aktiviteti u organizua nga Ajne Iberhysaj, moderatore e programit dhe Enver Cacaj, kryetar i Këshillit Lokal për Paqe.

Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit patën mundësinë të marrin një kopje të librit Parajsa artificiale me autografin e autorit Ben Blushi, si dhe të realizojnë fotografi me të.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Rahovecit

Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Rahovecit përmes faqës zyrtare në facebook njofton të …