Pas shkuarjes në amshim të Babit, në emër të familjes së profesor Ahmet Qeriqit, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë dhe falënderimin tonë më të përzemërt për një grup të mrekullueshëm doktorësh dhe profesionistësh që u kujdesën për shëndetin e Babit, me përkushtim të jashtëzakonshëm, profesionalizëm të pashoq dhe një zemër të madhe për babin tonë, profesor Ahmet Qeriqi, drejtor i Radios Kosova e Lirë.
Falënderimi ynë buron nga zemra për angazhimin tuaj të palodhur dhe për kontributin e pakursyer që dhatë në momentet kur babai ynë kishte nevojë për kujdesin dhe përkrahjen tuaj profesionale. Ju keni treguar jo vetëm njohuri të thella dhe përvojë të shkëlqyer mjekësore, por edhe një humanizëm të rrallë që do të jemi mirënjohës tërë jetën për JU.
- Doktor Ramush Bejiqi, pediatër kardiolog, mirënjohje e veçantë për kujdesin dhe mbikëqyrjen tuaj të vazhdueshme ndaj babait tonë përgjatë 16 viteve. Dedikimi juaj kanë qenë një burim shprese dhe sigurie për ne.
- Doktor Kamber Zeqiraj, neurolog, falënderim të sinqertë për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm, gatishmërinë tuaj të menjëhershme për të ndihmuar dhe këshillat tuaja të vyera, edhe në distancë, të gjitha vizitat mjekësore për Babin i ke bërë falas.
- Doktor Blerim Myftiu, neurolog, falënderim i veçantë për shërbimin tuaj të vazhdueshëm dhe përkushtimin e plotë që treguat ndaj shëndetit të babait tim gjatë dy viteve të fundit. Kujdesi juaj e bëri këtë periudhë më të përballueshme.
- Doktor Fitim Selimi, kirurg torakal, falënderim nga zemra për angazhimin tuaj të pashoq dhe kujdesin maksimal që i kushtuat babait tim gjatë qëndrimit të tij në klinikë, por edhe ditët vijuese. Javët e vështira u lehtësuan falë profesionalizmit dhe ngrohtësisë suaj.
- Doktor Valon Zejnullahu, kirurg, mirënjohje e thellë për përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm dhe për suksesin e operacionit që ndihmoi në përmirësimin e shëndetit të babait tim. Ndihma juaj ishte vendimtare.
- Doktor Isa Haxhiu, urolog, falënderim për gatishmërinë tuaj të vazhdueshme, këshillat tuaja profesionale dhe ndihmën e pakursyer në momentet më të ndjeshme.
- Doktor Jakup Ismajli, mjeku i familjes sonë dhe Dardan Ismajli, endokrinolog, mirënjohje për kujdesin tuaj të pashoq, për përkushtimin dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm, duke ndikuar pozitivisht në trajtimin e shëndetit të babait tim.
- Doktor Naser Bytyqi, stomatolog, falënderim për kujdesin dhe profesionalizmin tuaj, për punën tuaj të palodhur që sigurove shëndetin optimal të gojës dhe të dhëmbëve të babait tim.
Gjithashtu, falënderim i përzemërt për teknikët mjekësorë ditë natë në çdo moment: Jeton Zhitia, Xhemi Arifi, Shaip Gashi, që me profesionalizmin dhe humanizmin e juaj kontribuuat në mënyrë të pakursyer për lehtësimin e çdo momenti të vështirë për Babin.
Ndihma, kujdesi dhe përkushtimi juaj nuk do të harrohen kurrë. Falë jush, Babai ynë pati një trajtim dinjitoz dhe mbështetje të pakusht të gjithë juve që i dhatë shpresë dhe forcë. Jemi mirënjohës përjetësisht.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë, Familja e profesor Ahmet Qeriqit.