leoni

Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Të vërtetat e pjesshme dhe mosgatishmëria e dëgjimit për t’u kuptuar

Opozita sot vazhdon së trumbetuari në opinionin publik për mobilizim për ta “çkapur” shtetin nga pozita, por asnjëherë nuk ofroi se çfarë ajo do të bëj ndryshe e mbase shembujt tregojnë se nuk ka alternativë tjetër veç zëvendësimit të njerëzve e jo të politikave.

Thonë që e vërteta dhe politika janë në mardhënie të këqija midis tyre. E vërteta e ngritur për dikë si sajesë e veprimeve në bazë të inateve a përfitimeve të mundshme, e nxjerrë nga metoda egolitariste të bindjes së vartësve ka dënim edhe më të madh politik, pasi krijon partizan të çështjes e fanatik të bindjeve, ku mendimi racional, diskutimi humb fuqinë. Është shumë normale që opozita në Kosovë të ketë diskurs tjetër politik nga opozita. Është shumë me dobi që ky diskurs politik të jetë një alternativë e re karshi ekzistueses që bënë pozita. Gjithsesi që në dobi të konsolidimit e zhvillimit të demokracisë në vend, ky diskurs të jetë i ngritur dhe argumentuar për të qenë bindës se vërtetë është një alternativë dëshmuese për shumicën e qytetarëve të vendit. Sistemi demokratik nuk njeh formë tjetër të veprimit apo tentimit që vullnetet elektorale të uzurpohen duke përdorur e përsëritur të vërteta të pjesëshme që bazë kanë më tepër veprimin inatçor sesa alternativën në funksion të bindjes së qytetarëve për të. Është e kuptueshme se vrapi për të zënë diçka në këtë dinamizim të jetës por dhe politikës e shkatërron mendjen dhe shpirtin e synuesve. Vetëdija e ngritur e opozitës së sotme vërtetë ka kaluar nga një gjendje tjetër, kur mendonte se e kishte në dorë pushtetin dhe për pak çaste e humbi atë dhe këtu edhe fillon zemërimi e shqetësimi. Zemërimi i tepërt nuk krijon racionalitet e as që ngritë alternativë e diskurs por vetëm mllefosje për gjithçka që e rrethon.

Opozita aktuale duhet të lirohet nga zemërimi i ngritur me pozitën në kohën e pas përfundimit të zgjedhjeve, të njohur si bllokada institucionale. Lirimi nga ky zemërim i hap mundësi të reja veprimit dhe jo zhurmave të krijuara artificialisht, siç po ndodhë sot. Opozita sot vazhdon së trumbetuari në opinionin publik për mobilizim për ta “çkapur” shtetin nga pozita, por asnjëherë nuk ofroi se çfarë ajo do të bëj ndryshe e mbase shembujt tregojnë se nuk ka alternativë tjetër veç zëvendësimit të njerëzve e jo të politikës. Ta hjekum filanin se është i afërt me pozitën, ta sjellim fistekun që e kemi tonin.

Shihe veprimin praktik në Prishtinë në kompaninë për pastrimin e mbeturinave, ku kjo opozitë donte ta largonte kryeshefin e kësaj kompanie për ta vendosur një militar të vetin aty e që është edhe familjar i një deputeteje  (burri mbase). Me këtë veprim, por edhe të tjerë të ngjajshëm dëshmohet se kjo nuk ka alternativë të “çkapjes së shtetit” por të kapjes së pushtetit për fat të keq jo përmes votës e bindjes tek qytetarët, por zhurmës së ardhur nga zemërimi nëpër fazën nëpër të cilën po kalon ajo. Mendoj që këtu mbaron edhe politika si koncept, këtu kundërshtitë nuk kapen për çështjet dhe diskutimet për to, por beteja bëhet për individët. Veprimet e tilla Kosovën jo që e çojnë përpara, por e lëndojnë dhe kthejnë prapa. Kjo më së miri përshkruhet me fjalën e urtë popullore: “Për inat të resë me dekt djali”.

Qëndrimi i pozitës karshi zemërimit të opozitës

Ishte inkurajuese deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për të hapur diskutim institucional lidhur me shqetësimet e ngritura të opozitës në këtë kohë. Vërtetë çasja e tillë duhet të zhvillohet e kultivohet për të ecur para. Demokracia zhvillohet vetëm si produkt i diskutimeve të vazhdueshme e jo prerjeve politike. Kosova ka nevojë që në kuadër të sistemit të ngritur të debatojë për katandisjen e sistemit të drejtësisë, ka nevojë të diskutoj për rrugët që çojnë tek zhvillimi ekonomik, ka nevojë të diskutoj për fenomenin e korrupcionit dhe luftës ndaj tij.

Ka edhe shumë çështje të tjera për debatim institucional dhe aty do të ishte shumë i dobishëm mendimi i opozitës si prodhim alternativ e i argumentuar e jo si përfundim i zemërimit. “Mos i bjerë me shkelm kosheres që dëshiron t’i marrësh mjaltin” thotë një proverb amerikane dhe Kosova, qytetarët e saj kanë nevojë për mjaltin e prodhuar si nga pozita edhe nga opozita. Ky mjalt gjithsesi duhet të dalë jo nga zhurma e rruga, por si prodhim i debateve

Vullneti politik i dëgjimit për t’u kuptuar

Në Kosovë, në jetën politike të saj, ka kohë që mungon dëgjimi empatik apo thënë më kuptueshëm dëgjimi me qëllim për t’u kuptuar. Mungesa e tillë ka nxjerrë në sipërfaqe zhurmën si mjet imponues të  komunikimit të përcjellur edhe me veprime jodemokratike. Padyshim që zhurma apo britmat nuk e tregojnë vërtetësinë për çështjen e ngritur, madje shpeshëherë mund të konsiderohen edhe si improvizim apo mungesë e dijes që çështjet e ngritura të faktohen në argument dhe që të luftohet në kuadër të rregullave sistemore të demokracisë. Qytetarët e vendit mbase janë lodhur nga kjo gjendje e krijuar nga politika e tillë, e cila mbase ka harruar racionalitetin dhe arsyen. Kur flet pozita, mungon dëgjimi për ta kuptuar nga opozita. Kur flet opozita, nuk dëgjohet nga pozita me synim për ta kuptuar dhe nuk e kam të qartë se cili është shpërblimi nga ky mosbashkëveprim. Në këtë mes ka krizë të arsyes.

Mungesa e dëgjimit për t’u kuptuar në mes të liderëve politik, si duket është produkt i një zemërimi të mëhershëm dhe se tejkalimi i tij mbase po duket të jetë i vështirë. Të bërit politikë veshur me petkun e zemërimit, është e pamundur dhe të tillët në mendje do të jenë të robëruar, apo jo të lirë. Zemërimi është më shumë tipar i fëmiut të sëmurë, i cili vazhdimisht qanë dhe përmes të qarit kërkon diçka për të realizuar. Mendoj që aktualisht politika në Kosovë, e udhëhequr nga zemërimi, i ngjason këtij fëmiu të sëmurë e i cili edhe kur të shërohet vazhdon të qaj e përmes të qarit vazhdon të kërkoj e kërkoj. Mungesa e dëgjimit empatik në politikën tonë ka prodhuar edhe një gjuhë komunikuese nga distanca jo me qëllimin që konkurrenca ta kuptoj përmes dëgjimit, por që e vërteta e nxjerrë nga ta, të depërtoj tek qytetari. Kjo e bënë të qartë pozicionin e tillë politik, e cila i ngjason një fushate paraelektorale. Jemi lodhur nga gjuha e tillë e të mençurit thonë se gjuha që nuk ndëshkohet në mëngjes, do të ndëshkohet në mbrëmje. Një gjë e kam të qartë se vendit tonë si pasojë e mosveprimeve politike të duhura në kohën e duhur iu la një elefant, të cilin duhet ushqyer. Politika nga mungesa e dëgjimit për t’u kuptuar ndër vete, jo që nuk do arrijë që elefantin ta çoj diku tjetër, por mbase do t’ia bëjë edhe një vëlla apo motër.

Bahri Bivolaku: Lufta politike për betejën e të sotmes

 Fokusimi i tërë në kohën e kaluar dhe në të ardhmen të bënë ta humbasësh të sotmen, madje grupimet politike që pozicionimin e tyre politik e vendosin mbi këto premisa bëhen edhe të dëmshëm për shoqërinë në luftën politike për betejën e të sotmes.

Një natë Nastradini ndërsa flinte, shtyu me nxitim të shoqën dhe thirri, aman o grua, shpejt më jep syzat. Për çka i do në këtë orë o lum?-Ia pret gruaja. Po e shoh një ëndërr të mirë. Mirëpo janë disa gjëra që nuk i dalloj mirë, prandaj dua syzet që ëndrrën ta shikoj siç është. Anekdota tregon thelbin e politikës dalluese në Kosovë, pasi disa akterë të saj veprimin politik e nxjerrin nëpërmjet kujtesës dhe parashikimit duke harruar të tashmen. Fokusimi i tërë në kohën e kaluar dhe në të ardhmen të bënë ta humbasësh të sotmen, madje grupimet politike që pozicionimin e tyre politik e vendosin mbi këto premisa bëhen edhe të dëmshëm për shoqërinë në luftën politike për betejën e të sotmes. Një koncept të tillë të njeriut që po fle me syza që ëndrrat t’i dalloj mirë si duket po e bart politika opozitare e veçanarisht Lwvizja Vetvendosje që si duket ka humbur të tashmen për të pasur gjithë atë zhgënjim. Jeta politike mes ëndrrës për të kaluarën dhe asaj të parashikimit për të ardhmen është iluzore. Politika më tepër ka të bëjë me veprimet për të sotmen, e cila është bazë reflektuese e së nesërmes. Iluzore është sot të kërkosh nga politika e Kosovës për të ecur e vetme në një rrugë që mbase të gjithë e dimë se kah duhet t’i bie. Politika e Kosovës në raport me kërkesat ndërkombëtare për detyrat e shtëpisë, qoftë ajo edhe për veriun e vendit,demarkacionin apo asociacionin, assesi nuk mund të identifikohet si e vetme apo edhe si pasqyrim i ecjes përkrah tjerëve , por ecjen pas, pasi që dihet se si e tillë që është Kosova miqtë i ka të pabarabartë me veten dhe është imagjinare dhe tejet idealiste të mendosh që atyre miqve t’u rrish përkrah në politikë.

Petku për Kosovën qepej më herët

Njerëzit që po flejnë me syze si duket po harrojnë që në Ballkanin Perëndimor Evropa e SHBA-ja ka kohë që kanë rritur dozën e ilaqeve për politikat e shteteve pjesëmarrëse për të arritur cakun e dëshiruar. Ato politika në Ballkan, të cilat jetojnë nga kujtesa për të kaluarën dhe parashikimi për të ardhmen nga ai brum do të jenë vazhdimisht në gjumë dhe parë ëndrra me syze. Politika në Kosovë, bisedimet me Serbinë, demarkacioni, asociacioni etj,  të dizajnuara shumë kohë më parë do të duhej t’i shikonte me sy hapur, pra e zgjuar dhe jo në ëndërr. Do të duhej t’i shikonte si një rast të mirë, mundësi për t’i lëvizur gjërat drejt pozitivës dhe jo t’i shikonte vetëm si kërcënim duke jetuar me ëndrrën se dikur Kosova kishte kufijtë e saj autonom. Iluzionet e ëndrrave tona po na bëjnë të harrojmë se ne ustait rrobaqepës i dërguam material jo të bollshëm e madje edhe me ngjyra për të na qepur rrobat. Petku për Kosovën qepej më herët, qepej tek numri i pamjaftueshëm i ushtarëve të lirisë dhe hyzmeti i saktë që bëmë si popull. Petku për Kosovën andaj do të jetë edhe kolorit, pasi ky edhe ishte hyzmeti ynë në luftë, ky ishte hyzmeti ynë gjatë bisedimeve të Vjenës dhe ky ishte hyzmeti ynë i pasqyruar në dokumentin e presidentit Ahtisari. Sot alamet politikanët e ëndrrave me syze pa përtesë bëjnë deklarata patriotike se nuk e duan petkun e dizajnuar për Kosovën, duke harruar se cili është qeizi i tyre dhe shoqërisë që bredhë rreth tyre për të ardhur këtu ku është sot Kosova. Po harrojnë se qeizi nuk bëhet nga ëndrrat e llafet dhe në kohë jo të duhur.

Vajzat e reja qeizin e bëjnë disa vjet para martesës, trimat në luftë e të mençurit konceptet e tyre politikë i ngrisin në kohë lufte apo menjëherë pas saj për të materializuar aktin e trimërisë. Sikur ta kishim qeizin e fortë në kohën e duhur në Kosovë nuk do të kishte kriminelë, nuk do të kishte barrikada e as që do të pritnim që Bashkimi Evropian të na servonte marrëveshje me Serbinë. Kosova, politika e saj tani duhet të mësohet të lëvizë me petkun që e ka të dizajnuar karshi qeizit që ka dhënë në kohën e duhur. Kosovën e pret një rrugë e gjatë për ta pasur petkun e vet e që do t’i bie taman. Ne gatuam bukën me miell misri e po shohim ëndrra me syze se buka na del nore. Një mendimtar pat thënë: “ Kush nuk do të arsyetoj është fanatik e ëndërrimtar, kush nuk di të arsyetoj është budalla dhe kush nuk guxon të arsyetoj është skllav i të tjerëve ”.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …